Ministria e Bujqësisë bëri të ditur sot se ka bllokuar importin e mishit të gjedhit nga vendet Turqi, Maqedoni, Serbi, Bullgari, Greqi, të cilat janë prekur nga sëmundja Dermatoza Nodulare e gjedhit, dhe i bën apel fermerëve në të gjithë vendin që të bëjnë kujdes për rrezikshmërinë e përhapjes së saj edhe në gjedhët e vendit tonë.
Sëmundja nuk paraqet rrezik për njerëzit, bën te ditur ministria e Bujqesise.
Drejtoria e Shërbimi Veterinar në Ministrinë e Bujqësisë njofton fermerët që në këto kushte të kontrollojnë më shpesh kafshët e tyre për shenja të sëmundjes, sidomos lezionet në lëkurë.
Të minimizojnë ekspozimin e kafshëve ndaj insekteve mushkonjave dhe mizave thumbuese. Dhe nëse dyshojnë që sëmundja është e pranishme në tufën duhet të informojnë menjëherë shërbimin veterinar, për të konfirmuar praninë ose jo të sëmundjes. Shërbimi veterinar po përgatitet për të përballuar sëmundjen në rast shpërthimi, citon njoftimi i Ministrisë së Bujqësisë.
1. Çfarë është sëmundja e Dermatozës Nodulare?
· Kjo është një sëmundje virale e Gjedhit dhe karakterizohet në mënyrë tipike nga nyje në lëkurë duke përfshirë gjithë sipërfaqen e trupit: kokën gjymtyrët, hundën, bishtin, mukozën e gojës. Nyjet zhvillohen edhe në traktin gastrointestinal dhe aparatin e frymëmarjes..
· Kjo sëmundje ndodh gjatë verës dhe vjeshtës në muajt, kur insektet janë me shumicë.
· Sëmundja prek gjedhin e të gjitha moshave por më rëndë moshat e reja.
· Sëmundja shkakton dobësim, humbje të përkohshme apo të përhershme të prodhimit të qumështit, dështime, dëmtim të lëkurës, inflamacioni i gjirit, pneumoni, çalim, sterilitet tek demat, lopët dhe ngordhje të kafshëve.
2. Si mund të infektohen kafshët?
· Rruga kryesore e transmetimit është mekanike, nga mushkonjat dhe mizat e ndryshme.
· Nga kontakti me kafshët e sëmura.
· Nëpërmjet marrjes së ushqimit të kontaminuar..
· Viçat infektohen nga qumështi i lopës të sëmurë./a.m.