Gjysma e dytë e muajit korrik që përkon dhe me nisjen e pikut të sezonit turistik, nuk e gjeti më shumë se 50 për qind të kapacitetit hotel Alben në zonën e Kunës në Shëngjin.
Kjo është hera e parë në shtatë vite që ky resort në vijën e parë të plazhit ka të akomoduar kaq pak pushues. Administratori i këtij biznesi, Zef Shtjefni e lidh këtë situatë me krizën që ka prekur shumë familje, si shkak i rritjes së kostos së jetesës.
“Kemi hyrë në pikun e sezonit turistik dhe aktualisht që flasim po punojmë më pak se 50 për qind të kapacitet,” tha Shtjefni.
“Në krahasim me një vit më parë kemi më pak klientë dhe kjo është hera e parë që ndodh diçka e tillë të paktën në 7 vitet e fundit,” shtoi ai,
Sipas Shtjefnit arsye për mungesën e pushuesve mund të jetë edhe rritja e çmimeve, por ai thekson se rritjet janë brenda kostove.
Hotelieri shprehet se në Shëngjin çmimet janë rritur me 20 për qind, ndërkohë që kostot për bizneset akomoduese janë rritur gjithashtu me 20-30 për qind. Në hotelin e Shtjefnit është shtuar çmimi i mëngjesit me 3 euro, ndërsa çmimet e dhomave janë njësoj me vitin e kaluar.
“Nëse rritet kostoja e perimeve në treg, energjia, vaji, etj. normal që rriten dhe çmimet në restorant,” shpjegoi Shtjefni.
“Unë mendoj se kriza që ka prekur shumë familje, po ndikon sepse përballë rritjes së kostos së jetesës nuk kanë mundësi që të bëjnë pushime,” shtoi ai.
Situatë të ngjashme raporton dhe Besnik Sula, i cili drejton gjithashtu një hotel në vijën e parë në qendër të plazhit të Shëngjinit.
“Fillimi ishte shumë i mirë [sezoni turistik], mendonim se pas festës së bajramit do të ketë fluks të madh,” tha ai, duke kujtuar pritshmëritë e bizneseve në fillimit të sezonit.
“Aktualisht po punojmë me kapacitet 50 për qind të vitit të kaluar,” shtoi Sula, ndërsa theksoi se çmimet në Shëngjin janë më të mira se kudo sepse “pavarësisht rritjes së kostos jemi munduar që të mos lëvizim.”
Në këto kushte operatorët turistik i kanë kthyer sytë tek kthimi i emigrantçve gjatë muajit gusht, çka mund të sjellë një rritje të pushuesve në bregdet.
“Shpresat i kemi që të lëviz diçka gjatë muajit gusht sepse kthehen emigrantët dhe mund të popullojnë bregdetin,” tha Sula. “Por mendoj se deri tani situata nuk është aspak pozitive,” shtoi ai.
Rajoni i Lezhës ofron turizëm gjithvjetor dhe referuar të dhënave zyrtare të raportuara numri i vizitorëve përgjatë 1 viti shkon në rreth 1 milion, ndërsa numrin me të lartë të pushuesve në bregdetin e Lezhës e zënë shqiptarët e Kosovës me mbi 60 për qind të vizitorëve.
Teksa sezoni turistik ka hyrë në pikun e tij, krahasuar me vitet e shkuara numri i pushuesve në bregdetin e Shëngjinit është më i ulët, çka e dëshmojnë dhe çadrat dhe shezlonget e mbyllura. Pushuesit thonë se çmimet janë rritur, duke sjellë reduktim të ditëve të pushimit në plazh.
“Do qëndroj një javë! Puna e çmimeve është arsyeja kryesore sepse janë rritur gati 50%, duke e krahasuar me një vit më parë,” tha Bajrami, një pushues nga Kosova.
Sipas tij në Shëngjin çadrat jepen me 700 lek, ndërsa dhoma kushton 50 euro/nata. Ai ankohet se edhe çmimet në restorante janë të kripura.
“Me pak fjalë është rritur e gjithë kosto e jetesës, duke na vënë shumë në vështirësi,” theksoi Bajrami.
“Në këto kushte nuk është mundësia të bëjmë shumë pushime sepse kriza sa po vjen dhe thellohet,” shtoi ai.
Një qytetar nga Tirana tregoi se paguan 50 euro/nata për dhomën e hotelit, ndërsa çadra kushton 1 mijë lek.
“Unë vij nga Tirana dhe çmimet janë shumë shtrenjtë,” tha ai. “Për ne që jemi pensionistë është tej mase shtrenjtë dhe e papërballueshme,” shtoi qytetari.
Sipas pushuesit nga kryeqyteti në vitet e shkuara ai ka bërë 15 ditë pushime, por këtë vit do të qëndrojë vetëm 8 ditë sepse s’ka mundësi ekonomike për më shumë.
“Me pak fjalë nuk e përballojmë dot sepse çdo gjë është rritur,” përfundoi ai.
Eksperti i turizmit Leonard Seferi thotë se shërbimet lënë shumë për të dëshiruar dhe nga disa biznese abuzohet tej mase me çmimet. Ai theksoi se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik me një vijë bregdetare mjaft mbresëlënëse, por ky resurs menaxhohet shumë keq duke abuzuar dhe mos ofruar shërbime siç duhet. Seferi shpjegoi se turizmi në rajonin e Lezhës ka problematika të theksuara, duke nisur nga mungesa e sigurisë në plazhe, infrastrukturës etj.
“Çmimet normalisht se janë rritur në të gjithë botën, por këtu është abuzuar në vazhdimësi, ndaj dhe turistët largohen duke kërkuar destinacione të reja turistike,” tha ai.
“Mendoj që duhet një qasje ndryshe ndaj turizmit si në promivim ashtu dhe në shërbim dhe investime që të tërheqin vizitorë nga e gjitha bota,” përfundoi Seferi./Reporter.al/
/e.d