Një përleshje e armatosur ka ndodhur këtë të enjte, në një nga lokalet e Kumanovës, ku ka mbetur i vrarë – siç mësohet jozyrtarisht, – Xhemail Rexhepi, i njohur edhe si “komandant Shqiponja”.
Përleshja e armatosur ka ndodhur midis anëtarëve të BDI-së dhe sherri ka nisur për kreun e degës së kësaj partie në Kumanovë.
Në këtë incident kanë ngelur të plagosur edhe dy persona të tjerë. Ish-ushtari i UÇK-së, Shefki Rexhepi, i cili ka qenë bashkë me “komandant Shqiponjën”, e që është transferuar në qendrën klinike në Shkup, si dhe Gani Demiri.
Incidenti ka ndodhur në një lokal, në afërsi të fakultetit të USHT-së në Kumanovë, ku Rexhepi është dashur të takohet me Bajram Limanin, që të koordinohen lidhur me zgjedhjen e kryetarit të degës së BDI-së në Kumanovë.
Xhemail Rexhepi “Shqiponja” ka qenë pretendenti më i përfolur për kryetar dege i Bashkimit Demokratik për Integrim në Kumanovë, degë kjo që për më shumë se 4 muaj ka mbetur pa kryetar.
Në vitin 2001, Xhemail Rexhepi ka marrë pjesë në luftimet e fshatit Sllupçan, ndërsa u bë i njohur në betejën e Mateçit, ku njësiti i tij i quajtur “Shqiponjat” u dallua për aksione kundër forcave të sigurisë dhe ushtrisë së Maqedonisë.









