Përfaqësuesja e Kosovës për femrat është zhvendosur nga Durrësi dhe është vendosur në hotelin “Univers” në Elbasan, ku nesër do të përballet me Kombëtaren e Shqipërisë në ndeshjen e parë parakualifikuese në gripin B për Kampionatin botëror 2019 që do të mbahet në Francë.
Përzgjedhësja Afërdita Fazliu ka thënë se kanë pasur problem me regjistrimin e disa futbollistëve, por pavarësisht kësaj premton se do të japin maksimumin kundër Shqipërisë.
“Ne jemi munduar që të i kryejmë obligimet dhe detyrat që i kemi për këtë ndeshje. Me gjithë përgatitjet që i kemi bërë ne kemi disa probleme administrative në regjistrimin e futbollisteve, probleme këto që e kanë përcjellë edhe Përfaqësuesen e A te meshkujt. Pra definitivisht edhe neve po na përcjellin të njëjtat probleme administrative”, tha Fazliu.
“Në ndeshjen kundër Shqipërisë nuk do të jemi komplet ashtu siç e kishim paraparë, por ne brenda mundësive do të përpiqemi që me ato futbolliste që i kemi në dispozicion të kompozojmë ekipin dhe të tregojmë një lojë të mirë. Për mua ishte diçka e papritëshme kjo listë që mos të kemi mundësi të regjistrimit të gjitha lojtareve. Megjithatë është një grup i mirë dhe homogjen dhe do të orvatemi të japim më të mirën”.
Futbollistja Blerina Musa ka thënë se janë përgatitur shumë mirë, por e pranon se do ta kenë të vështirë kundër Shqipërisë.
“Ekipi është përgatitë për këto mjaft mirë. Ndeshja kundër Shqipërisë nuk do të jetë e lehtë, por ne do të japim më të mirën për të arritur objektivat tona. Mendoj se si grup do të veprojmë siç është më së miri”, tha Musa.
Futbollistja tjetër Kaltrinë Biçkaj insistin se Kosova do të marrë rezultat pozitiv ndaj Shqiprisë. “
Për ne kjo do të jetë një ndeshje shumë interesante sepse kjo do të jetë edhe ndeshja e parë parakualifikuese. Ekipi është përgatitur mirë dhe kemi në bashkëpunim ndërmjet vete dhe kështu do të mundohemi që të japim maksimumin, që na jep besim se do të arrijmë rezultatin e duhur”. /Express/










