Euronews Albania ka siguruar emrat e dy vëllezërve në Durrës, të dënuar në Belgjikë për trafik droge, por të arrestuar këtë të enjte me urdhër të SPAK për pastrim parash.
Besjan dhe Leonard Ramaj janë dy vellezërit e dënuar për trafik droge në Belgjikë, të cilët janë arrestuar këtë të enjte me urdhër të SPAK për pastrim parash.
Dy vëllezërit dyshohet se me ndihmën e ish-drejtoreshës së Kadastrës në Durrës, Rajmonda Dashi dhe biznesmenit Ardian Malasi, kishin ndërtuar një skemë të pastrimit të parave të drogës përmes investimit në pasuri të paluajtshme.
Përmes një njoftimi zyrtar Prokuroria e Posaçme bën me dije se hetimet kanë nisur pas akteve të ardhura nga drejtësia belge, mbi dy vëllezër të përfshirë në trafikun e drogës.
Grupi kriminal, të cilin drejtuesja e Kadastrës dyshohet se ka ndihmuar akuzohet për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
GJKKO ka caktuar masën “Arrest me burg” për dy vëllezërit dhe shtetasin biznesmenin, ndërkohë që për ish-drejtuesen e Kadastrës u caktua masa “Arrest në shtëpi”, pasi ka një fëmijë të mitur.
/f.s