Kur feja u ringjall në Shqipëri pas vitit 1990, shumica prej nesh ishim ateistë. Unë kam lindur fiks kur janë prishur kishat dhe xhamitë dhe për herë të parë kam dëgjuar për to kur nisën të rindërtohen pas vitit 1990.
Në vitin 1991, ne e gjykonim ardhjen e Kryepeshkopit Anastas si ateistë, kurse ai e gjykonte misionin e tij si një shërbëtor i botës ortodokse. Natyrisht që kishte tensione kundër tij. Shumë shqiptarë që kishin harruar çfarë ishte besimi, ardhja e një kleriku grek me aq shumë autoritet u dukej si komplot. Më i ndërgjegjshëm për këtë duket se ka qenë vetë Kryepeshkopi Anastas, i cili nuk bëri kurrë betejë me urrejtësit e tij.
Por nuk ndodhi e njëjta gjë me ngritjen e komunitetit mysliman apo kishave katolike dhe teqeve bektashiane.
Edhe Kisha Katolike dërgoi ipeshkvij italianë, por askush nuk u ankua. Tre prej tyre, mos gaboj, shërbejnë ende të respektuar në vendin tonë.
Komuniteti mysliman nuk ndërtoi thuajse asnjë xhami me fonde të veta, por nuk ngeli arab, turk apo libanez që të mos kthehej në zot shtëpie brenda komunitetit mysliman duke dhënë donacione dhe duke nxitur lloj rrymash të islamit politik që nuk kanë qenë fare në traditën e komunitetit mysliman shqiptar.
Të vetmit që u ringritën me forcat e veta ishin teqetë e bektashinjve, për shkak të faktit që ato kanë një mënyrë të veçantë financimi pasi shumica prej tyre ka një datë mistike ku besimtarët mblidhen dhe dhurojnë ndihma për teqenë. Kjo ka bërë që ato të përtërihen pak nga pak vetëm me ndihmën e besimtarëve të tyre dhe janë aty ku janë.
Këta janë dhe më tolerantët dhe miqësorët me ortodoksët.
Pra, asgjë ndryshe nuk kanë pasur komunitetet e tjera fetare nga ortodoksët në mënyrën se si u ngritën komunitetet e tyre fetare, por gjithë urrejtja dhe sulmi u drejtua ndaj Kishës Ortodokse. Është një turp që duhet mbajtur shënim në historinë e trillimit të bashkëjetesës fetare.
Më tej, kur kishat dhe xhamitë u rindërtuan dhe filluan jetën e tyre normale, doli që Kryepeshkopi Anastas kishte ngritur një kishë me shërbëtorë shqiptarë, me priftërinj të shkolluar në seminarët që ai kishte ngritur vetë në Shqipëri dhe që sot ka një sinod me një shumicë absolute shqiptare.
Shikoni pak komunitetin mysliman. Për turpin tonë të përbashkët, kemi dhjetë vite që bëjmë debat nëse Kryetari i Komunitetit Mysliman është mbështetës i Erdoganit apo Gylenit. Nuk e vë njeri fare në dyshim që i përket Turqisë, por puna është me kë është ky në Turqi.
Nuk kam parë askënd të pyesë nëse ky zotëri duhet të jetë i Shqipërisë, dhe nuk ka rëndësi nëse është i Ramës apo i Berishës, por të jetë të paktën me Shqipërinë. Jo. Gjithë debati krejt i sinqertë dhe i pacipë njëkohësisht është se ky kryetar aktual, madje dhe ai më parë, janë me Gylenin. Dhe këtë të fundit nuk e lënë të shkelë as në Xhaminë e Madhe se e ka ndërtuar Erdogani.
Ky është një turp kombëtar që ne e gëlltisim dhe i turremi pastaj në emër të patriotizmit, Kishës Ortodokse pse e ka Kryepeshkopin grek.
Në gjithë xhamitë e Shqipërisë lutjet fetare janë në gjuhën arabe, përveç disa përkthimeve që i bëjnë hoxhallarët sipas qejfit apo sipas atyre që dinë. Gjithë Kisha Ortodokse e Shqipërisë i ka lutjet në gjuhën shqipe, përjashto kishat e pakicës greke që kanë të drejtën e gjuhës së tyre. Përsëri të gjithë shajnë Kishën Ortodokse të Shqipërisë pse Kryepeshkopi Anastas nuk di mirë shqip.
E njëjta situatë është dhe për financimin e komuniteteve fetare dhe mbijetesën e tyre.
Në fund, kur u mbarojnë gjithë argumentet, dalin e thonë që Kryepeshkopi Anastas është agjent i Greqisë.
Nuk është agjent i Greqisë. Është grek, s’ka pse të jetë agjent i tyre. Ka shanse të jetë vetëm agjenti ynë, sepse nuk është shqiptar.
Fakti që Greqia krenohet me të, duhet të na bëjë ne krenarë për çfarë Kryepeshkopi kemi pasur dhe jo të na turpërojë. Mendoni për një moment se kur ne mburremi me personalitete të mëdha shqiptare që kanë shërbyer në botë, sikur vendet përkatëse t’i shpallin ata agjentë pse i mburim ne si shqiptarë.
Përfytyroni për shembull sikur India ta shpallë Nënë Terezën agjente shqiptare pse ne i kemi bërë buste dhe emrin në aeroport, ndërkohë që ajo nuk ka pasur mundësi të bëjë diçka konkrete për ne.
Kjo është një marrëzi. Si mund të mos mburret Greqia me Kryepeshkopin Anastas? Ai ishte një grek i madh, një dijetar i madh dhe një shërbëtor i madh i botës ortodokse që për Greqinë, ashtu si është gatuar, është e gjithë bota e saj.
Dhe në fund dua të shtoj se mënyra se si ne po sillemi me vdekjen e tij, me patriotizmin tonë të shtirur dhe fals, po dëshmojmë mungesën e kulturës fetare si shoqëri dhe ndikimin e fortë të politikës mbi fenë.
Kështu kemi qenë gjithmonë. Medi Frashëri në kujtimet e veta përshkruan me aq dhimbje faktin që kur Princ Vidi e çoi në Shkodër të merrte mbështetjen e besimeve fetare atje, i ndodhi një hall. Ipeshkvi i Shkodrës e pranoi me kënaqësi ftesën, por i kërkoi 15 ditë kohë sa t’i vinte përgjigjja nga Austria.
Pastaj shkoi te komuniteti mysliman dhe Kryetari e pranoi me kënaqësi idenë të mbështesnin princ Vidin, por do t’i duhej nja 15 ditë kohë sa t’i vinte përgjigjja nga Stambolli.
Tani nëse këto dy të parat i pranojmë si normale dhe të tretën e quajmë herezi, duket se kemi një problem me botën ortodokse dhe duhet të paktën të kafshojmë gjuhën.
Se mënyra se si po sillemi nuk turpëron Kryepeshkopin, por ne.