Nga Lorenc Vangjeli
Beteja për rendin publik dhe sigurinë në vend është një akt që nuk mund të kryhet vetëm nga policia apo dhe agjensitë e tjera ligjzbatuese. Krimi i organizuar nuk është i dukshëm si në filma dhe as përputhet fare me përfytyrimin klasik për keqbërësit e vegjël të viteve 90-të: tipa të egër që hanin fara luledielli, me flokë “bishtpllum” dhe baseta të gjata, me mjekër të parruar dhe dhëmbë të prishur, xhinse të ngushta poshtë barkut të enjtur, me kanatiere të djersitur me stampa gotike dhe atlete kineze.
Banditi i sotëm është tërësisht ndryshe. Ai vesh kostum dhe kravatë, shkon në restorante luksi, ndërton, prodhon, mer tendera publikë, mund të jetë zyrtar apo ish-zyrtar në administratë, i zgjedhur me votë diku gjetkë apo dhe i emëruar diku tjetër, shpesh në polici e po kaq shpesh edhe në prokurori e gjykatë, herë në pushtet dhe herë në opozitë. Banditi i sotëm i krimit të organizuar është një qytetar në dukje i respektuar dhe i nderuar që madje edhe paguan një minimum taksash dhe shkon rregullisht në takimet me prindër në shkollën e fëmijëve të tij. Ai mban dietë, shkon në qendra estetike, nuk e refuzon botoksin, ka buzëqeshje të butë porcelani dhe diamante nëpër gishta. Bën bamirësi, u jep shpërblim të punësuarve të vet, tradhëton me raste, por jo me shpirt dashnoren, ble piktura sepse është në mode, del jashtë shtetit me miq fundjavave dhe kur ecën më këmbë, shkon gjithmonë aty ku i rreh zemra: tek paradhomat e pushtetit edhe nëse kohë pas kohe i thyhen gjunjët dhe dikush tjetër i zë vendin.
Likuiditetet e jashtëzakonshme në cash, logjistika fantastike në dispozicion dhe eksperienca e krijuar në vite e bëjnë të frikshme forcën e kësaj kategorie krimi të organizuar: ky tip nuk luftohet me automatikë. Dhe mbi të gjitha, sot nuk ka as një ndarje të përcaktuar, të këqinjtë në një anë të llogores dhe që mirët që i luftojnë ata, që qëndrojnë përballë.
Mbas epokës së marrëzisë së Cannabis-it, krimi i organizuar shqiptar tashmë është në fazën përfundimtare të kapërcimit në një rol të dorës së parë në trafikun ndërkombëtar të drogave të forta. Ata janë bërë porositës direkt në burim, në vendin e origjinës dhe transportues deri në destinacionin final në Evropën Perëndimore. Fuqizimi i krimit kërkon përgjigjen e barazvlerëshme të shtetit. Por duhet kuptuar fillimisht si kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm, se masat policore nuk janë të mjafta për ta përballuar atë. Kjo është kryearsyeja që përpara se politika shqiptare të prodhojë ngërçe pafund me aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të shpikur probleme dhe jo për të zgjidhur problemet, duhet të identifikojë të keqen më të madhe që kërcënon vendin.
Eshtë urgjente një qasje tërësisht e ndryshme ndaj krimit. Një përgjigje politike. Provat ekzistojnë. Beteja e dikurshme e opozitës për dekriminalizimin, pavarësisht hiperbolizimit të skajshëm, pavarësisht ligjit antikushtetues që përjashtoi nga funksionet publike kategori të caktuara personazhesh që kanë pasur kontakt me krimin apo mbartës të tij, pati ndikim të jashtëzakonshëm dhe pozitiv në vend. Por opozita nuk duhet të sillet si një virgjëreshë gjimmnazi përballë këtij fenomeni, a thua se e ka lexuar vetëm në libra dhe as maxhoranca nuk duhet të mohojë rrezikun e krimit duke mbyllur sytë mbas perçes së perceptimit të ekzagjeruar, a thua se janë legjenda urbane të shpikura nga opozita. Në të dy rastet, më e rrezikshme se secila qasje prej tyre është indiferenca: kur dy palët sillen si i mbyturi që nuk do t’ja dijë nëse laget nga uji.
Ndarja me krimin dhe ndëshkimi i tij nuk bëhet me kallashnikovët e policisë. Kërkon një vullnet në 360 gradë të të gjithë aktorëve dhe faktorëve publikë në vend dhe një përgjigje proporcionale dhe me të gjitha mjetet në dispozicion ndaj potencialit gjithmonë e më në rritje të këtij lloj krimi, që e ka nisur rrugën nga pozitat e shërbëtorit dhe tani po tenton të sillet si zotëri. Duhet shkëputur me çdo kusht dhe çdo çmim marëdhënia me krimin që nisi nga nevoja reciproke e politikës për ta përdorur kundër kundërshtarit dhe tani ka ardhur në pikën që mund të groposë të gjitha palët njëherësh.
Sot ka ende kohë! Nesër do të jetë shumë vonë dhe çatia e këtij vendi të mrekullueshëm të Mesdheut mund të shembet mbi kokat e gjithësecilit, të Edit, të Lulit, të Monës dhe duke e bërë gjithësecilin, edhe Edin, eedhe Lulin, edhe Monën, viktimë të marrëzisë sonë kolektive. Atëherë nuk do t’ja vlejë as vaji për ngutin proverbial të këtyre viseve për të fjetur në një shtrat me armikun, jo vetëm për qejf, por edhe për inat të kundërshtarit.