Parlamenti estonez zgjodhi sot me shumicë dërmuese votash, Kersti Kaljulaid në postin e presidentes së vendit.
Kandidatja jopartiake, 46-vjeçe, e cila më parë ka shërbyer si audituese e buxhetit në Bashkimin Evropian, mori 81 nga 98 votat parlamentare, më shumë se 2/3 e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e shtetit.
Kaljulaid do të zëvendësojë në detyrë Toomas Hendrik Ilves.
Ilves, një kritik i hapur i Rusisë, ka shërbyer dy mandate pesëvjeçare dhe iu ndalua të kandidonte sërish.
Lajmi vjen pasi parlamenti estonez dështoi disa herë për të zgjedhur një kryetar shteti.
Votat janë ndarë në mes të gjashtë partive në legjislaturë./a.m.