Nga Alida Cenaj
Faleni këtë vend që nuk ju mbrojti dot!
Unë mund ta imagjinoj gëzimin e dy vajzave të vogla që sot vdiqën në mënyrën më të llahtarshme të mundshme në rrugën e Vlorës. Pas më shumë si një viti pandemi, të mbyllur mes stresit dhe frikës për jetën, me dy prindër punëtorë në Greqi, më në fund do të vinin në vendin amë, tek gjyshërit, dajat, tezet, kushërinjtë. Do të shkëmbenin dhurata e merrnin dashuri, do të gëzonin buzë detit, do të harronin ditët e javët e mbyllura në shtëpi, do të shuanin mallin e stresin. Do të jetonin…
Por rruga e kthimit në atdhe ishte e fundmja në këtë botë. Sepse një 20 vjeçar me makinë 100 mijë euroshe, me shumë gjasë pasi i ka “futur një vizë”, ia dha truri të provojë gazin e makinës ne rrugë nacionale. Biri i një babai injorant, por të pasur, që beson se paraja i ka siguruar përjetësinë, luajti bixhoz me jetën. Me jetën e vet, por edhe te Eduartit, Silvanës Anastasisë dhe Evës së vogël 9 vjeçare. Zaret ndaluan tek makina 100 mijë euroshe sepse fati rrallë ndalon tek i pafajshmi.
Anastasia dhe Eva, ju nuk e dini që para pak ditësh një grua e re shtatzanë u sakatua e gjymtua nga një tjetër 20 vjeçar me makinë “super”, në mes të Tiranës, ditën për diell, sepse rruga e qytetit ju duk si pistë garash. Ju nuk kishit si ta dinit se kjo histori këtu përsëritet çdo orë e çdo ditë.
Ju ndoshta nuk e dinit se këtë makth, ne që jetojmë këtu, e përjetojmë çdo ditë. Edhe ne luajmë bixhoz me jetën (pa dëshirë) sa herë nisemi për diku, sepse, të paktën një herë gjatë udhëtimit, një makinë luksi fishkullon si era në parakalim, të ndez dritat kur të vjen përballë për të të thënë “hapu idiot se po vij unë”, ose të mbyt me sinjale, 5 centimetër larg makinës tënde kur do të hyjë në parakalim dhe ti je brenda limiteve të shpejtësisë. Ju nuk e dini se edhe kur ndodhin këto, në post-bllokun më të afërt të policisë rrugore, polici me ndalon mua, jo makinën e luksit. Ai vazhdon fluturimin deri kur të këpusë një tjetër jetë në mes.
Ju nuk e dinit se rrugët e atdheut tuaj dhe timit, të vrasin. Sepse janë mbushur plot me makina 100 mijë euroshe e lart, të blera kush e di me çfarë parash, me shoferë të mallosur që të vrasin. Përballë tyre unë jam e pafuqishme; policët të dorëzuar; ligji inekzistent.
Anastasia dhe Eva ne nuk ju mbrojtëm dot sepse ne nuk jemi më të zot të ruajmë as veten dhe as fëmijët tanë. Ne jemi dorëzuar dhe vetëm sa bëjmë sehir e vjellim vrer nëpër rrjetet sociale. Kështu jemi katandisur ne!
Anastasia dhe Eva, Eduart e Silvana paçi paqen e përjetshme! Faleni këtë vend që nuk ju mbrojti dot!
Sa për ne? Zoti pastë mëshirë për ne!/m.j