Nga Enkel Demi
Sa herë që shkruaj për Çështjen Çame has në një mur, në mos shpërfilljeje, në një gropë heshtje. E njëjta gjë ndodhte edhe në gazetën “Republika”, këtu e njëzetë e ca vjet më parë, kur shkruanim për Kosovën. Një herë mbaj mend bisedoja me Lutfi Dervishin për këtë temë dhe thonim që na duket sikur po flasim për Lindjen e Mesme, jo për një punë të shqiptarëve. Edhe atëherë kishte zëra që thonin se kot e keni që merreni me një çështje të vdekur. Sipas tyre, Kosova ishte Jugosllavi dhe nuk e lëshon serbi. Në një farë mënyre, nëse prekje këtë temë konsideroheshe ose tip i mykur, nacionalist, ëndërrimtar, krejt jashtë mode, ose thjesht trap. Nuk ka kaluar shumë kohë, por “modernët” e atyre moteve sot janë popullorë në Prishtinë, megjithëse tezat për Kombin nuk i kanë ndryshuar aspak.
Përse ka ngjarë edhe me Çështjen Çame e njëjta gjë?
Kjo ka rrjedhur prej izolimit të çështjes në fjalë, falë propagandës shtetërore të komunistëve gjatë gjysëm shekullit që qëndruan në pushtet. Veçanërisht pas arrestimit, vrasjeve të Teme Sejkos dhe Tahir Demit, nis historia e ngjizjes së legjendës së pabesisë së çamëve, terri i plotë për historinë e genocidit grek, burgosja e një pjese të tyre, mosdhënia e të drejtës së shkollimit, trajtimi i këtyre shqiptarëve si muhaxhirë, të cilët ishin të një dore të dytë, pak a shumë si hebrenjtë, armenët, romët apo ballkano-egjyptasit. Me një fjalë, ishte një lloj racizmi, i cili krijoi thuajse bindjen se një çam është çam, por një çam nuk është shqiptar. Kur flisje për ta dukej sikur flisje për një komunitet të huaj me doke, zakone krejt të tjera nga lebërit a toskët e jugut të Shqipërisë. Gjithsesi, ky lloj margjinalizimi shërbeu më së miri për izolimin e Çështjes Çame, krijimin e idesë që kjo çështje në radhë të parë nuk ekziston në Shqipëri, jo më në Greqi. Botimi i librit “Dy popuj miq” i vuri pikën, ku çamët përmenden si tradhëtarë, të cilët kanë shtënë urat e zjarrit për të prishur këtë vëllazëri kaq të vyer, për të cilin flasin vetë fotot dhe filmat e udhëheqësit në Dropull.
Në vitin 1990 u formua Shoqëria Politike Atdhetare “Çamëria”, fill pas krijimit të Partisë Demokratike, i dyti grupim opozitar në pluralizmin e sapoçelur. U duk në atë kohë sikur ishte krijuar ndonjë organizatë të “jashtmish”, jo shqiptarësh, sepse bindja ishte e plotë, sterotipi ishte krijuar, çamët janë të pabesë dhe ngatërrestarë. Kaq e thellë ishte kjo bindje sa të thonin: “Çudi, se ti je çam i mirë, jo si të tjerët”. Pak a shumë si grekët a italianët, kur donin të lëvdonin një shqiptar emigrant, por për çamët ta thoshte shqiptari dora vetë.
Izolimi i Çështjes Çame ka bërë që toskët dhe gegët e tjerë të Shqipërisë mos ta ndjenin si hall të tyrin. Kjo nuk ndodhte me kosovarët, të cilët nuk patën fatin të hynin në këtë morsë. Ata vazhdonin të shkonin si pushues në Çamëri, por shpërndanin abetare. Përse e bënin? Sepse nuk i kishte molepsur legjenda e çamit të pabesë. Sot, kur jua rrëfen shqyejnë sytë, ndërsa këtu ka ende ndonjë të lojtur që të thotë ju bëmë me prona e katandi, thua se për banesat a plaçkën që kanë blerë çamët, paret ia ka dhënë daja e këtij të rrypit. Ndaj, sot kur flitet për Çështjen Çame, nuk flitet për dertin e Kel Demit dhe të parëve të tij, të pronave të gjyshërve të mi. Jo, flitet për një plagë të Kombit, njësoj si atëherë, kur në gazetën “Republika” Lutfi Dervishi, Ylli Rakipi, Arben Popoci, Mero Baze, Ruben Avxhiu e plot të tjerë shkruanin për Kosovën.