• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, December 25, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Për BKH dhe disa problematika me drejtësinë e re

by Besnik Bakiu
06/11/2025 10:41
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Besnik Bakiu

Reforma në Drejtësi përbën një nga nismat më të rëndësishme të dekadës së fundit dhe një moment kyç të tranzicionit demokratik në Shqipëri. Megjithëse jo fort e dashur për politikanët, ajo u miratua me kompromis unanim nga të gjitha palët politike.

Reforma u mbikëqyr intensivisht nga ekspertë ndërkombëtarë dhe u mbështet fuqimisht nga qeveritë e vendeve të BE-së dhe të SHBA-së. Roli ndërkombëtar në jetësimin kushtetues dhe ligjor të reformës, sipas konstatimeve të partnerëve ishte vendimtar, duke garantuar standarde të njohura për pavarësi të gjyqësorit dhe luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Personalisht, kam qenë dhe jam një nga mbështetësit dhe kontribuesit modestë të reformës në drejtësi, duke e konsideruar atë një domosdoshmëri jetike për forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri. Për këtë arsye, duke parë ecurinë e deritanishme, fillimisht duhet të përgëzojmë dhe mbështesim institucionet e reja të drejtësisë për arritjet konkrete në ndëshkimin e veprave kriminale dhe individëve që dikur dukeshin të paprekshëm, një mision ky që që për shumë vite u duk i pamundur për drejtësinë.

Natyrisht, ishte e pritshme që zbatimi i reformës të haste kundërshtime. Ato vijnë nga politika dhe pushteti, nga individë të prekur brenda vetë sistemit, nga krimi i organizuar, i cili nuk është vetëm financiarisht i fuqizuar, por edhe politikisht si dhe nga segmente të jetës publike, mediatike dhe ekonomike, të cilëve po u cenohet kontrolli dhe ndikimi mbi sistemin.

Por, siç është shprehur Uinston Çurçilli: “Nëse ke armiq të shumtë që të sulmojnë, kjo është një gjë e mirë, pasi dëshmon se je duke bërë gjënë e duhur”, kundërshtimet konfirmojnë drejtësinë. Megjithatë, ajo që më shqetëson realisht është fakti se po aq sa të sipërpërmendurit, rreziku më i madh për Reformën në Drejtësi tashmë vjen brenda, pra nga vetvetja. Në vijim te arsyetimit do të ndalem në disa nga problematikat, që konstatoj në zbatimin e saj, pasi rezultatet janë ende larg pritshmërive qytetare.

Byroja Kombëtare e Hetimit dhe vonesat e jashtëzakonshme

Prej më shumë se dy muajsh, paradoksalisht, nuk është përzgjedhur ende drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), struktura e specializuar e Policisë Gjyqësore që heton veprat penale në juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme. Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (PPKKO) kanë shkelur hapur afatet ligjore dhe detyrimet e përcaktuara nga Ligji nr. 95/2016, pa shprehur dhe mbajtur asnjë përgjegjësi institucionale për vonesat. Sa për kujtesë, theksoj se edhe më herët është vënë në dukje se mosrespektimi i afateve ligjore për emërimet drejtues është një nga sfidat kryesore që minon besimin e publikut te institucionet e reja.

Në mbështetje të konstatimit ofroj kronologjinë e ecurisë. Më 7 prill 2025 u hap zyrtarisht gara për postin e drejtorit të BKH-së, me kritere dhe afate të qarta ligjore. Megjithatë, procesi u zvarrit në çdo fazë, duke bërë të pamundur përfundimin brenda afateve të përcaktuara. Justifikimet për vonesat në verifikimin e figurës dhe pasurisë së kandidatëve nuk qëndrojnë, pasi koha në dispozicion ka qenë më se e mjaftueshme. Nga katërmbëdhjetë kandidatët, gjashtë kishin kaluar më parë procesin e vetingut si ish-drejtues policie ose punonjës aktualë të BKH-së.

Për vetë rëndësinë strategjike dhe ndjeshmërinë publike të kësaj strukture, institucionet përgjegjëse duhej të kishin mobilizuar të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për ta përfunduar procesin në kohë. Sakaq, institucione vendimmarrëse ndërkombëtare kanë theksuar se vonesat administrative dhe moszbatimi i ligjit për emërimet drejtues është një rrezik për pavarësinë dhe funksionimin e institucioneve të reja.

Një tjetër problem që mbetet pa përgjigje është edhe dilema nëse drejtori në detyrë kishte të drejtë të aplikonte për një mandat të dytë. Sipas nenit 33, pika 2 të Ligjit nr. 95/2016: “Drejtori emërohet për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë riemërimi një herë.” Megjithatë, KLP dhe PPKKO ndryshuan qëndrimin, duke e njohur fillimisht këtë të drejtë dhe më pas duke e anuluar. Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, e justifikoi këtë me “diskutime dhe interpretime të ndryshme të ligjit.”

Papërgjegjshmëria u shfaq edhe gjatë mbledhjes së KLP-së, më 1 shtator 2025, kur u vendos lirimi nga detyra i znj. Aida Hajnaj. Anëtarët u përfshinë në një debat absurd rreth përfundimit të mandatit të saj: gjashtë vota e konsideruan atë të përfunduar më 31 gusht dhe katër mendonin se mbaronte më 1 shtator. Kjo mbledhje ekspozoi jo vetëm mungesën e unitetit, por edhe një mungesë serioziteti dhe profesionalizmi brenda vetë Këshillit, si institucion.

Si pasojë, BKH aktualisht është pa drejtues të ligjshëm dhe pa kompetencë për vendimmarrje të rëndësishme, duke rrezikuar funksionimin e saj. Situata komplikohet edhe më shumë kur personi i komanduar është njëkohësisht kandidat për postin e drejtorit të ri. Për të shmangur aludimet mbi ndërhyrje të mundshme politike, procesi duhej të ishte i hapur, transparent dhe ligjërisht i argumentuar, duke informuar publikun për arsyet e vonesës.

Problematika më të gjera të sistemit drejtesisë

Rasti i vakumit drejtues në BKH nuk është i izoluar. Një pjesë e konsiderueshme e gjykatave dhe prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm drejtohen prej kohësh nga persona të komanduar. Kjo ngre pyetjen pse KLGJ dhe KLP nuk zbatojnë detyrimet ligjore për emërimet përfundimtare.

Reforma në drejtësi synonte dhe synon të garantojë një sistem më efikas dhe të drejtë për qytetarin, por zgjatja e hetimeve dhe zvarritja e proceseve gjyqësore kanë devijuar nga ky objektiv. Në këtë kontekst, shprehja klasike mbetet e vlefshme: “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.”

Një shqetësim tjetër është niveli mediokër i disa mbledhjeve të organeve më të larta të qeverisjes gjyqësore. Është e papranueshme që mbledhjen e Gjykatës së Lartë një anëtar i saj të mos dijë si votohet për kandidatin në Gjykatën Kushtetuese, duke bërë fletën e tij të pavlefshme.

Për më tepër, përzgjedhja e anëtarëve nga jashtë sistemit për në KLGJ dhe KLP shpesh ka qenë e diskutueshme, duke përfshirë individë me integritet profesional dhe intelektual të dyshimtë. Kjo ka rezultuar në mungesë vizioni, vendimmarrje në konflikt interesi dhe raste nepotizmi në rekrutime, siç është vëretjtur edhe në raportet e relacionet që evidentojnë mungesën e standardeve transparente dhe zbatimin e kritereve jo të qarta për emërimet.

Duhet përmendur gjithashtu se edhe harta e re gjyqësore u hartua dhe u zbatua pa analizë të thelluar mbi kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturën ekzistuese, duke krijuar probleme serioze në funksionimin praktik të sistemit.

Aktulisht ka shumë debate e mosdakortësi për projektin e paraqitur të Kodit Penal të ri.  Shumë titullarë subjektesh të rendësishme të sistemit të drejtësisë kanë shprehur publikisht padakortesinë e institucioneve tyre dhe protestën pse janë përjashtuar nga përgatija e këtij drafti. Zot më mbaj mendjen.

Sot, pas disa vitesh nga krijimi i strukturave të reja të mirëpaguara antikorrupsion, nuk rezulton ende asnjë dënim me vendim gjykate të formës së prerë ndaj asnjë politikani të lartë për korrupsion. Do të doja shumë të isha i gabuar në këtë konstatim.

Kujtoj se metoda Falcone “follow the money” është guri themelor në të gjitha hetimet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në botë. Cilit nga politikanët apo pushtetarët e akuzuar dhe dënuar për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, shperdorim detyre u jane sekuestruar përfundimisht pasuritë e përfituara nga këto vepra penale apo që nuk justifikojnë me të ardhurat e ligjëshme. Ju siguroj së 2, 3 vite burg do të pranonin të bënin me dëshirë jo pak qytetar, për të gëzuar pas daljes nga burgu të miljona eurove.

Qytetarët taksapagues janë në pritje. Në këtë kontekst, më kujtohet thënia e Pietro Grasso, ish-Prokuror Kombëtar Antimafia dhe ish-President i Senatit Italian: “Ligjshmëria është forca e të dobëtve, mburoja që mund t’u vihet përballë shtypjes, abuzimit dhe korrupsionit.”

Si përfundim dhe në mbyllje të këtij shqetësimi, që nuk është vetëm personal, i bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht OPDAT dhe ICITAP, të vazhdojnë mbështetjen dhe monitorimin aktiv të zbatimit të reformës në drejtësi.

Pavarësisht problematikave të përmendura, reformën në drejtësi dhe institucionet e krijuara prej saj duhet ta shohim me sytë e shpresës dhe me bindjen se ajo është e domosdoshme për një shtet të drejtë dhe funksional.

Next Post
Raporti i OSBE-ODIHR për 11 majin/ Ilir Meta: U faktua se zgjedhjet nuk ishin të lira

Meta kërkon ndryshimin e masës, Apeli i GJKKO-së cakton datën 11 nëntor

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

ANALIZA/ Pse shumë udhëheqës po paralajmërojnë luftë me Rusinë?

ANALIZA/ Pse shumë udhëheqës po paralajmërojnë luftë me Rusinë?

December 24, 2025
Aksidentoi për vdekje një 65-vjeçar në Bulevardin “Bajram Curri”/ AMP arreston policin

Aksidentoi për vdekje një 65-vjeçar në Bulevardin “Bajram Curri”/ AMP arreston policin

December 24, 2025
Viti i Ri nis me mësim online për studentët/Filologjia nis më 5 janar

“Studentët me mesataren më të lartë zgjedhin privatët”/ Raporti i QSHA: Janë 10 mijë vende bosh në Universitet

December 24, 2025
Festat e fundvitit, Marinsat e SHBA dhurojnë lodra për fëmijët e shtruar në Pedriatrinë e QSUNT

Festat e fundvitit, Marinsat e SHBA dhurojnë lodra për fëmijët e shtruar në Pedriatrinë e QSUNT

December 24, 2025
Tre ditë para zgjedhjeve, Serbia hap vende të reja pune në institucionet e saj shëndetësore në Kosovë

Tre ditë para zgjedhjeve, Serbia hap vende të reja pune në institucionet e saj shëndetësore në Kosovë

December 24, 2025
Dosja e tij kaloi për gjykim, reagon mjeku Prifti: Ftoj çdo pacient të vijë të dëshmojë! Pas 5 vitesh zhdukje provash e manipulimesh …

Dosja e tij kaloi për gjykim, reagon mjeku Prifti: Ftoj çdo pacient të vijë të dëshmojë! Pas 5 vitesh zhdukje provash e manipulimesh …

December 24, 2025
Rritja ekonomike 3.75%/ Turizmi, pagat dhe ndërtimi në rritje, në rënie bujqësia, peshkimi dhe përpunimi

Rritja ekonomike 3.75%/ Turizmi, pagat dhe ndërtimi në rritje, në rënie bujqësia, peshkimi dhe përpunimi

December 24, 2025
Operacion antidrogë në Pogradec, sekuestrohet lëndë narkotike, një i ndaluar! Kontrolle në lokale

Operacion antidrogë në Pogradec, sekuestrohet lëndë narkotike, një i ndaluar! Kontrolle në lokale

December 24, 2025
“S’është koha për të rritur partinë”, Lapaj sqaron arsyet pse nuk iu bashkua protestës së PD para Kryeministrisë

“S’është koha për të rritur partinë”, Lapaj sqaron arsyet pse nuk iu bashkua protestës së PD para Kryeministrisë

December 24, 2025
Ukraina feston Krishtlindjet në errësirë, sulmet ruse shkaktuan ndërprerje të furnizimit me energji

Ukraina feston Krishtlindjet në errësirë, sulmet ruse shkaktuan ndërprerje të furnizimit me energji

December 24, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com