• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, January 7, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Për ata që nuk e besojnë akoma

by A R
10/03/2021 18:26
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Hamdi Jupe

E para zuri shtratin gruaja. Alarm në familje, na ka hyrë COVID-i në shtëpi. Jemi vetën ne të dy, se fëmijët janë të rritur. Pse të na ndodhte kjo, kur kemi shpëtuar prej kaq muajsh pa pësuar gjë? Mendonim se ia kishim hedhur. Tani ka filluar edhe vaksinimi. Punë javësh dhe do të na vinte radha edhe neve. Por ja që nuk ishte e thënë.

Ka gjashtë muaj që nuk shkoj në kafene. Jam ndarë nga shokët me të cilët takoheshim çdo të diel te kafe “Libri”. Jam njeri i rregullt, por jo gruaja. Ajo dilte çdo ditë “për sehir” nëpër dyqanet e lagjes me shoqen e saj. Sa herë kemi bërë sherr me të për këto dalje! Po kujt i thua? “U çmenda mbyllur brenda si në burg” – më thoshte. Dhe ja tani, na e solli “peshqeshin” në shtëpi.

E izolojmë gruan në dhomë më vetë. I ka atje të gjitha ato që i duhen: televizor, frigorifer, telefon, internet. Ushqimin ia lemë te dera. Ajo vuan në dhomën e karantinimit, po nuk e jep veten. Lidhet me telefon me të afermit e saj në Itali, Greqi etj. Ata andej nuk e dinë që këtu ka plasur COVID-i. Përse ta dinë? Kjo nuk ndihmon askënd. Thjesht do bëhen merak, asgjë më shumë. Veçanësisht do të ishte e rëndë për mamanë e saj në Itali. Më mire të mos e dinë. Gruaja po luan teatër me ta, teatrin e tragjedisë së jetës.

Unë filloj të kem disa shqetësime. Dhimbje trupi, veçanërisht dhimbje mesi. Kam një kollë të thatë, që herë – herë gati më merr frymën. Temperaturë e lartë, mbi tridhjetë e tetë gradë. Prerje oreksi dhe pagjumësi. Janë shenja që na shqetësojnë prandaj le të bëjmë disa testime dhe analiza. Testimi i parë, tamponi te një klinikë private. Rezulatati: negativ. Çfarë gëzimi! Njoftoj menjëherë gruan në telefon për lajmin e mirë. Por është herët. Ja edhe një tampon tjetër te shpejtë te klinika e lagjes, se jam gazetar, e dua lajmin nga dy burime. Edhe testi i shpejtë del negativ. Njoftoj prapë gruan. Le të gëzojë edhe ajo, sepse optimizmi i bën mirë sëmundjes së saj. Fjala “negativ” është fjala më e dashur në botë në këto ditë ankthi.

14 shkurti, dita e Shën Valentinit na gjen në këtë situatë. Nuk ka tufa me lule, as parfume për dhuratë, as përqafime. Ka vetëm një “gëzuar” të thatë nga prapa derës së mbyllur të dhomës, sa për të thënë. Si erdhën kohërat kështu!

Por ja që është herët për t’u gëzuar. Disa analiza të gjakut (PCR) e bëjnë mjeken e familjes të dyshojë: ka shenja për prani COVID-i në gjak, pandaj duhet bërë një skaner i mushkërive. Rezultati i skanerit: pozitiv. Rreth 30 përqind e mushkërive të mia janë prekur nga sëmundja. Çfarë lajmi i tmerrshëm! Morali bie në fund të këmbëve. Ku shkuan ato dy teste që thoshnin se jam negativ? Kush po tallet kështu me shëndetin tim dhe të qytetarëve të tjerë që paguajnë gënjestrat me para? Sa vetë kanë humbur jetën duke menduar se janë mire pas testeve të tilla, derisa mushkëritë e tyre kanë marrë fund?

Duke hyrë në shtëpi, ngre zërin në korridor të dëgjojë gruaja në dhomën e saj të gjumit: “Ta marrë dreqi ta marrë! Na e solle vdekjen në shtëpi me ato daljet e tua!” E kuptoj, kam humbur kontrollin. Ajo dëgjon, por nuk flet. E vuan me vete këtë situatë, ku të dy tani jemi të gozhduar nga COVID-i. Përjashta ditët janë të acarta. Ka rënë dëborë dhe temperaturat janë ulur deri në minus shtatë gradë. Edhe kjo na duhej tani. Kur vjen e keqja, hapi derën.

Le të prishet karantina, nuk i hyn më në punë askujt. Në shtëpinë tonë po bredh mikrobi i COVID-it për shtatë palë qejfe. Të paktën të gëzojmë lirinë, nëse kjo mund të quhet liri. Le të hapen dyer dhe dritare për ajrim, se oksigjeni të bën mire. Le të shihemi sy më sy me gruan, edhe ashtu të sëmurë. E kam falur që na e solli sëmundjen në shtëpi.

Te porta e shtëpisë sonë vigjëllon tani natë e ditë shtriga e vdekjes me dhëmbët e saj të zinj dhe kosën e ftohtë në dorë. Nga statistikat e di: afërsisht një në tetëdhjetë veta të sëmurë e pëson. Mbase nuk jemi ne ai personi “i tetëdhjetë”. Edhe ne jemi tani pjesë e statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, numra të ftohtë anonimë me etiketën: të infektuar. Prapë mirë, se vdekja vëgjëllon te porta. Dhe atëherë, lamtumirë jetë! Mendoj se në cilin rreth të Ferrit të Dantes do ta kem vendin. Nuk kam bërë mëkate në jetë, por jam ateist. Rrethi i gjashtë i Ferrit: heretikët, atje e kam vendin, se nuk besoj te zoti. Zjarri do të përvëlojë përjetësisht eshtrat në fundin e gropës ku ka rënë.

Në shtëpinë tonë tani hyn vetëm djali, edhe ai me masa të forta sigurie, që na furnizon me ushqime dhe ilaçe. Ilaçet janë bërë kapicë. Goja ime është bërë farmak prej tyre. Në korridor është shfaqur një aparat që nuk e kam parë ndonjëherë më parë: është aparat i prodhimit të oksigjenit. Tubot e tij përshkojnë shtëpinë tej e tej. Oksigjeni në gjak ka rënë poshtë nëntedhjetës, prandaj duhet ndihmuar me anë të makinës. Kushedi sa lekë e ka marrë me qira, po ç’vlerë ka paraja në këtë kohë? Mendoj: po ata të moshuar që nuk kanë fëmijë pranë, si ia bëjnë?

Më tmerron ideja që mund të përfundoj në spital. Kam respekt për mjekët. Por dihet që atje hyn me këmbër e tua dhe mund të dalësh “me këmbët e botës”. Nga shifrat zyrtare që jepen përditë, numri i vdekjeve është rritur ndjeshëm. Spitali COVID 1 gjendet shumë pranë Shish – Tufinës, ndërsa unë nuk dua të përfundoj atje. Ne jemi akoma në moshë për të jetuar. Sapo kemi dalë në pension. Pensionet i kemi të mira. Babai im jetoi nëntëdhjetë vjeç. Fëmijët janë mire, ata po shtohen. Përse të mos jetojmë edhe ne!

I njoftoj njerëzit e mi të afërt. Më mirë të jenë në dijeni, se nuk i dihet. Ata vinë deri te dera e shtëpisë, lënë atje qeset me ushqime e fruta dhe largohen. Nuk lejohet të hyjnë brenda, ne tani jemi shtëpi “me njollë”. Në qeset e tyre dominojnë ushqimet me mish viçi. Unë nuk kam oreks fare. Ndiej neveri veçanërisht për mishin. Si ka mundësi që njerëzit hanë mish akoma! Llokmat e mishit përfundojnë në tasin e Lonit, qenit tonë, që rri në ballkon. Loni ka festë. Ai nuk e kupton se përse është rritur racioni i mishit në menunë e tij pikërisht tani. Ai nuk i di ato që po ndodhin brenda shtëpisë, prandaj tund bishtin dhe lëpin buzët i lumtur.

Çdo mëngjes lidhem vetë me telefon me të afërmit jashtë Tiranës. Dua t’u bëj të ditur se u gdhimë gjallë edhe këtë ditë. Ata gëzohen dhe na urojnë. Gëzohuni, ju, gëzohuni, por është akoma herët për të festuar. Sidoqoftë, pak optimizëm na bën mirë.

Gjumi nuk më zë deri afër mëngjesit. Dridhem i tëri nga ethet. Buzët i kam të plasura nga temperatura. Herë – here zgjohem i bërë ujë në djersë nga koka te këmbët dhe detyrohem të ndërrohem në errësirë si lugati. Çarçafët dhe jastëku gjithashtu kullojnë ujë. Trupi po përpiqet të nxerrë përjashta të keqen që e ka kaplluar. Kjo më lehtëson disi dhe më jep shpresë se më e keqja po kalon. Në dhomën tjetër të gjumit gruaja jep e merr me shpirtin për llogari të saj. Djali thotë të shkojmë të bëjmë një PCR tjetër për të parë gjendjen, por e kundërshtoj: le të kalojnë edhe disa ditë, nuk kemi përse nxitohemi, endiej që është herët.

Kam humbur konceptin e kohës, nuk e di se çfarë dite e javës është, të gjitha ditët më duken njëlloj, di vetëm se ka diell, diell i nxehtë i panatyrshëm për fundin e shkurtit, si diell në shkretëtirë. Në mbrëmje e pyes djalin se si shkoi me punë sot. Ai përgjigjet se sot është e diel dhe prandaj nuk ishte në punë. Ah, po, paska edhe të diela, e kisha harruar fare.

Nuk më shijon asgjë, asgjë. Kam humbur aftësinë për të shijuar. Gojën e kam farmak nga ilaçet. Çdo gjë më duket bajate. Kuzhina është kthyer në depo frutash gjithfarësh. Nuk kam as uri, por duhet hedhur diçka në stomak, qoftë edhe me zor, se mund të sëmurem nga e pangrëna. Vetëm supa me leng pule është e pranueshme. Supën tonë të përditshme falna sot! Edhe një vezë e zier në ditë, po ashtu. Shto edhe një thërrime djathë të bardhë. Lëngu i freskët i portokallave më duket sikur vjen erë parfum, prandaj është i papranueshëm. Ja, ku ka sjellë motra edhe pak rrush. Më shijon rrushi, por… jo, mjekja thotë se rreziokem nga diabeti. Nuk vuaj prej tij, por një matje e sheqerit tregon se ai është dy herë më i lartë se norma. E bëjnë ilaçet që pi këtë çrregullim në metabolizëm. Edhe kjo na duhej tani, iku edhe rrushi nga tavolina.

Një analizë tjetër e PCR-së tregon se nuk jam mirë ende, edhe pas pesëmbëdhjetë ditësh. Nuk më ndahet e keqja. Hemoglobina e gjakut ka rënë në tetë, nga dymbëdhjetë që duhet të jetë. Djali thotë se jam “më mirë”, por janë shtuar tri gjëlpëra të tjera në “racionin” e ditës. Çfarë “më mirë” është kjo? Më gënjejnë, e kuptoj, nuk jam budalla, të paktën akoma jo, por nuk flas, nuk ka vlerë fjala. Trupi është kthyer në gërmadhë, mezi qëndron në këmbë. Janë gërmadhat e shkatuara nga COVID-i.

Mjekja e familjes Edlira, merr gati çdo ditë në telefon dhe pyet djalin se si jam me shëndet. Pyet e shton gjëlpërat, si me hatër. Dikur, para tridhjetë e pesë vjetësh, e kam patur nxënëse në gjimnazin e Peshkopisë. Bukur, Edlira, po shkëlqen me “mësimet!” Mirënjohje doktoreshës. Shtëpia është kthyer në spital, e çfarë ka më tepër spitali! Gruaja duket se e ka marrë disi veten, se ka kaluar më shumë se dy javë qëkur është sëmurur dhe ka filluar të vijë vërdallë ngadalë nëpër shtëpi. Me gritjen e saj në këmbë, duket sikur po çelet shtëpia.

Edhe unë mendoj se po ia hedh së keqes. Të paktën kështu më pëlqen. Kanë kaluar gati tri javë nga fillimi i sëmundjes. Vdekja është larguar nga porta e shtëpisë sonë, ka thyer qafën diku gjetkë. Dyert e Ferrit duken të mbyllura për ne, nuk ka vend për ne atje hëpërhë, për të tjerët po. Po i kthehemi jetës normale. Ngadalë dhe me frikë e ngurrim vendosim këmbët në tokë, por po ia dalim. Sa mirë! Jeta është e bukur, si nuk e kemi ditur më parë? Tani do ta vlerësojnë më mirë atë.

Dielli vazhdon të shkëlqejë i ngrohtë. Ka hyrë marsi dhe po na e bën me sy të dalim përjashta e ta shijojmë, por nuk duam të nxitohemi. Jo, është herët akoma, le të kalojë edhe ca. Një buqetë me lule për gruan na kujton se ka ardhur tetë marsi. Dy ballokume kanë mbërritur gjithashtu mbi tryezën e kuzhinës dhe tregojnë se po afron Dita e Verës. Janë origjinale Elbasani por, jo … nuk lejohet të shijohen … sheqeri! Le të rrinë mbi tavolinë për zbukurim. Do ta festojmë ditën e dashurisë dhe të jetës edhe pa to. Kanë filluar “tam – tamet” e fushatës elektorale.

Reportazhi tani duket se është gati. Kam dashur të provoj nëse kanë mbetur ende te unë aftësitë e gazetarit, apo janë fshirë përgjithmonë nga korja e trurit prej sëmundjes. Nuk e di sa i arrirë është nga ana publicistike, ndoshta vuan ca nga fragmentarizmi, por nga vërtetësia e fakteve dhe të dhënave është njëqind përqind i vërtetë, çdo gjë është “burimore”. Ndoshta ata të redaksisë do të thonë: “Këto janë çështje personale, që nuk i interesojnë publikut” – dhe do ta hedhin në koshin e plehrave. Unë mendoj se nuk është ashtu. Njerëzit duhet ta dinë se çfarë është COVID – i, veçanërisht ata që mendojnë akoma se është një shaka. Unë tregova historinë e jetës sime që kaloi në fije të perit. Unë shkova deri aty dhe u ktheva. Kush të dojë, le të mësojë prej saj.

Next Post
Rama jep lajmin e mirë: Të premten vijnë 38,400 doza të Astra Zenecas, nisim vaksinimin e mësuesve

Rama jep lajmin e mirë: Të premten vijnë 38,400 doza të Astra Zenecas, nisim vaksinimin e mësuesve

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Përmbytjet në Durrës, banorët e evakuuar: Uji ka shkuar në një metër brenda në shtëpi, gjithçka është shkatërruar

Përmbytjet në Durrës, banorët e evakuuar: Uji ka shkuar në një metër brenda në shtëpi, gjithçka është shkatërruar

January 7, 2026
Pezullohet mësimi në shkollat e Gjirokastrës, bllokohet rruga drejt Kakavijës

Pezullohet mësimi në shkollat e Gjirokastrës, bllokohet rruga drejt Kakavijës

January 7, 2026
“Tortura e pagjumësi”, ish-deputeti i PS tregon si rekrutohen forcat speciale amerikane

“Tortura e pagjumësi”, ish-deputeti i PS tregon si rekrutohen forcat speciale amerikane

January 7, 2026
Trump tallet me Macronin: E binda të pranonte deri në 200% rritje të çmimit të barnave

Trump tallet me Macronin: E binda të pranonte deri në 200% rritje të çmimit të barnave

January 7, 2026
“Urdhri ishte i Berishës”/ Gazetari Mahmutaj u plagos më ’21 janar’: Nga Gërdeci, Rruga e Kombit, vrasje e Trebickës, zhdukja e Remzi Hoxhës, ku ka futur “hundët” Sali…

“Berisha më afër qelisë këtë 21 Janar”, Mahmutaj: Është rikuperuar serveri i Kryeministrisë

January 7, 2026
Dita e sotme me reshje shiu, shtrëngata dhe stuhi

Dita e sotme me reshje shiu, shtrëngata dhe stuhi

January 7, 2026
Nga Evropa deri te vendet arabe, shqiptarët që punojnë jashtë fituan mbi 600 milionë euro në një vit

Nga Evropa deri te vendet arabe, shqiptarët që punojnë jashtë fituan mbi 600 milionë euro në një vit

January 7, 2026
Vengu: Mbi 100 efektivë të FA-ve në vijë të parë për përballimin e motit të keq

Vengu: Mbi 100 efektivë të FA-ve në vijë të parë për përballimin e motit të keq

January 7, 2026
Donald Trump: Venezuela do t’i dorëzojë SHBA-ve deri në 50 milionë fuçi nafte dhe do t’i kontrollojmë ne

Donald Trump: Venezuela do t’i dorëzojë SHBA-ve deri në 50 milionë fuçi nafte dhe do t’i kontrollojmë ne

January 7, 2026
Holanda tërhiqet nga operacionet antidrogë të udhëhequra nga SHBA-ja në Karaibe

Holanda tërhiqet nga operacionet antidrogë të udhëhequra nga SHBA-ja në Karaibe

January 6, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In