Për shqiptarët shumë nga kujtimet e tyre më të gjalla, që lidhen me ngjarjet më të shënuara historike për kombin, lidhen gjithashtu me Sheshin “Skënderbej”. Nuk është e papritur pra, që shumë janë duke pritur me padurim ceremoninë solemne të inaugurimit këtë të Shtunë, kur më në fund do të shohin se si do të duket sheshi pas një pune disa mujore.
I ndodhur në mes të Tiranës, me një statujë të Heroit Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbi kalë, ky shesh është bërë dëshmitar i shumë prej ngjarjeve më të gëzuara, por edhe më tragjike të kombit. Ishte pikërisht ky vendi ku shqiptarët rrëzuan statujën e ish-diktatorit Enver Hoxha në Shkurt të 1991 dhe ku rreth 300.000 shqiptarë u mblodhën në Qershor të po atij viti për të pritur Sekretarin Amerikan të Shtetit, James Baker.
Sheshi “Skënderbej” ishte gjithashtu vendi ku shumë shqiptarë protestuan duke kërkuar rrëzimin nga pushteti të qeverisë së fundit të lidhur me komunizmin në Qershor 1991. Ishte gjithashtu vendi ku u festuan fitorja e zgjedhjeve nga Partia Demokratike në Mars të vitit 1992 me një entuziazëm të papërshkrueshëm, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO vitin 2009 dhe 100 vjetori i Pavarësisë në vitin 2012.
Në vetvete sheshi nuk kishte përfunduar kurrë plotësisht. Ai filloi të merrte formë përreth Kullës së Sahatit të Tiranës dhe Xhamisë së Et’hem Beut në vitin 1917, kohë kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Austro-Hungaria. Gjatë mbretërisë së Ahmet Zogut, sheshi u bë vendndodhja e kompleksit qeveritar të ministrive dhe një pikënisje për Bulevardin “Zogu i Parë”. Gjatë kësaj kohe, godina të tjera të rëndësishme, që shërbejnë si pika referimi, filluan të ngriheshin përreth sheshit.
Periudha komuniste në Shqipëri la shenjën e saj në shesh, si ngritja e statujës së Stalinit në qendër të tij. Pallati i Kulturës u ndërtua për të krijuar një kufi për sheshin, që të përfshinte edhe Pazarin e Vjetër. Ndërtesa e Bashksisë së vjetër të qytetit, u transformua në Muzeun Historik Kombëtar. Sidoqoftë, në vitin 1968 statuja e Skënderbeut, punuar nga skulptori vendas Odhise Paskali, si edhe një numër shatërvanesh, u ngritën në sheshin që tani përfshin 40.000 metër katrorë.
Saimir Kristo, një arkitekt dhe lektor në Universitetin Polis në Tiranë, tha për BIRN se komunistët fshinë sharmin e vjetër të sheshit, duke e bërë më të madh në hapësirë, por më të ftohtë, një hapësirë e madhe pak e populluar në zemër të kryeqytetit. Ai shtoi se të gjitha regjimet e njëpasnjëshme shqiptare, të gjitha luftuan për të lënë shenjën e tyre në shesh.
Duke u kthyer pas në vitin 2010, Edi Rama, ish-kryebashkiak i Tiranës, sot kryeministër dhe lider i Partisë Socialiste, shpalli një plan për të modernizuar sheshin dhe gjithashtu për ta kthyer sërish atë në një zonë këmbësorësh, sikurse ishte dikur. Plani që u parashtrua nga arkitektët belgë u pezullua në vitin 2011, kur Lulzim Basha, ish deputet i Partisë Demokratike, sot lider i saj, u zgjodh kryebashkiak.
Basha, i prirur nga ambicie të vogla, bëri disa rregullime të përkohshme, duke e rrethuar statujën e Skënderbeut me një fushë të madhe bari. Por, Partia Socialiste nuk hoqi dorë nga projekti restaurues, bazuar në propozimet e firmës belge. Në Qershor të vitit 2015, Erion Veliaj u zgjodh kryebashkiak dhe një vit më vonë filloi punën restauruese në shesh, frymëzuar nga plani i vitit 2010. Sipas Veliajt, sheshi i ri do t’i prezantojë botës një Tiranë moderne dhe europiane, duke ruajtur elementë që reflektojnë fuqishëm traditën shqiptare.
Sheshi tani është shtruar me gurë nga çdo cep i Shqipërisë, gjithashtu edhe jashtë vendit, nga kudo ku jetojnë shqiptarë. Ai gjithashtu përmban pemë, shkurre dhe lule. 100 shatërvanë, të cilët mund të rimbushen me ujin e shiut, do ta spërkasin sheshin. Një parkim i nëndheshëm për makinat është ndërtuar nën shesh, ndërsa pjesa e sipërme, sipërfaqja, është një zonë vetëm për këmbësorët.
Rregullimi i sheshit ngjalli kritika në rrjetet sociale, të cilët kritikuan përdorimin e aq shumë gurëve në një qytet mesdhetar si Tirana, e cilësuan këtë si një ide të keqe, pasi këmbësorëve do t’u duhet të fshihen nga dielli i fortë.
Arkitekti Kristo beson se për shkak se kjo nismë është shumë e rëndësishme për jetën e qytetit dhe projekti është rikthyer pas shumë vitesh, sikur është propozuar që prej fillimit, duhej të ishte bërë një konsultë më profesionale, me diskutime të tjera publike.
“Marrëdhënia e aksit fillestar të bulevardit kryesor, sikurse ishte projektuar më parë dhe lidhja e tij natyrale me sheshin, nuk janë marrë në konsideratë. Zgjidhje të mira për transportin publik rreth e rrotull tij, ose poshtë tij, nuk janë projektuar, edhe pse ky është një projekt kaq domethënës”, tha ai.
Modelet dhe pasqyrimet e kryebashkiakut Veliaj për sheshin, shfaqin një hapësirë publike të ndërtuar mirë, me bollëk vendesh me hije ku njerëzit mund të pushojnë. Përveç kësaj, ai beson se vetëm koha do ta tregojë sesa funksional është sheshi i ri.
“Në fund, përfshirja e njerëzve me sheshin e ri do të vendosë nëse është një histori suksesi. Nëse njerëzit shkojnë aty natyrshëm dhe kalojnë kohë pa pasur nevojë për aktivitete shtesë, atëherë ky do të jetë pa asnjë dyshim një sukses”, thotë ai.
BIRN