Penalizohen bizneset VIP, 28 milionë lekë gjoba vetëm në dy javë
Bizneset e mëdha ose siç njihen ndryshe si subjekte “Vip”, tashmë janë në sitën e tatimorëve për kontrollet e dokumentacioneve, kjo në kuadër të luftës ndaj informalitetit. Sipas burimeve konfidenciale nga Ministra e Financave, vetëm gjatë ditëve të para të këtij kontrolli, disa prej kompanive të kontrolluara ‘VIP’ janë gjobitur për parregullsi në dokumentacione. Po sipas burimeve, vlera e gjobave deri më tani kap vlerën e 28 milion lekëve. Aksioni ndaj informalitetit ka nisur që në fillim të muajit shtator, dhe sipas qeverisë do të përfshijë të gjitha kategoritë e biznesit, që nga ndërmarrjet e mëdha deri tek bizneset e vogla. Ndërkohë nga administrata tatimore janë përzgjedhur 50 biznese te mëdha, nga 780 prej tyre, ose siç njihen “Vip-at”, kjo në bazë të modulit të riskut të sistemit tatimor. Sipas të dhënave këto biznese që do të kontrollohen i përkasin sektorëve të ndryshëm si në energjitikë, tregti me shumicë, hidrokarbure, shërbime etj. Në javët e para të nisjes së tij, aksioni kundër informalitetit nisi nga bizneset e vogla, edhe pse niveli i të ardhurave në buxhetin e shtetit nga kjo kategori nuk është i madh. Sipas statistikave, mbi 80 përqind e të ardhurave në buxhetin e shtetit janë nga biznesi i madh. Në nisje të këtij aksioni kundër informalitetit, ishte vetë ministri i Financave që deklaroi se qeveria pretendonte që nga ky aksion të arkëtoheshin 40 miliardë lekë në buxhetin e shtetit.









