Nga Pëllumb Xhufi/
Në një artikull të tij të djeshëm, z. Agron Tufa më vërvitet për disa pohime mbi kampin e internimit të Tepelenës, të ashtuquajturin “Auschwitz-i shqiptar”. Po i lë mënjanë jargavitjet dhe etiketimet e tipit “komunist” e “enverist”, që m’i bën me bollëk.
Do ndalem vetëm fare shkurt në “shtesat” dhe “harresat” që u bën fjalëve të mia dhe që tregojnë se zotëria është intelektualisht i deformuar. Z. Tufa gënjen “si derri” kur thotë se unë e paskam cilësuar kampin e Tepelenës si një “kamp pushimi”.
Këtë s’do ma lejonte as profesioni, as mosha, as përvoja dhe as vetë marrëdhënia që unë kam pasur e kam me klasën e të përndjekurve politikë. Në kohë e rrethana të ndryshme në jetën time, kanë hyrë të përndjekur të ndërgjegjes, si profesori im Pashko Gjeçi, Jusuf Vrioni, Zafer Villa, Uran Kalakulla, Halil Qendro, Niko Kirka, Leka Toto, Jusuf Alibali, Halim Ramohito, Daut Gumeni, Rrahman Përllaku etj., etj.
Nuk ma lejon ndërgjegjja të abuzoj me termin “mik”, siç bëhet rëndom, dhe të them se të gjithë këta kanë qenë miqtë e mi. Jo, se me shumë prej tyre kam pasur e kam edhe mendime të kundërta. Por ka diçka më të fortë që na ka shtyrë e na shtyn të respektojmë njeri-tjetrin dhe kjo është ndershmëria intelektuale, humanizmi, atdhedashuria.
Pikërisht, për t’i vendosur në vendin e duhur të historisë këta burra, shumica e të cilëve nuk jetojnë më, unë kam kërkuar që, jo kampi i Tepelenës, por burgu i Burrelit dhe ai i Spaçit të kthehen në muze ku qytetarët shqiptarë e të huaj, e në radhë të parë brezat e rinj, të mësojnë se çfarë ka qenë shtypja e diktaturës dhe e diktaturave mbi ata që mendonin ndryshe.
Me sa duket, z. Tufa e urren këtë ide dhe është kapur mbas idesë së “Auschwitz-it shqiptar”, që jo rastësisht identifikohet me Tepelenën. Ndoshta pse në Burrel e në Spaç u burgosën e u masakruan edhe shumë antifashistë, që kishin qenë në radhët e para të Luftës Nacional-Çlirimtare, por edhe shumë komunistë të ndershëm që patën kurajën të ngrihen kundër katrahurës ku po e çonte vendin politika irracionale e E. Hoxhës.
Me sa duket, për z. Tufa për të qenë komunist, duhet të jesh domosdoshmërisht fashist. I qoftë për mbarë rruga dhe i gëzoftë privilegjet e të mirat që gëzon në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, ku përfshihem modestisht edhe unë.
Por, t’i lëmë rrenat dhe “harresat”, mbi të cilat e bazon filipikën e tij kundër meje z. Tufa. E mirëkuptoj, me to ha bukë. Le t’i kthehemi anës “shkencore” të shkrimit.
Zoti Tufa pretendon se ka në dorë një raport të CIA-s të vitit 1951, që unë qëllimisht e paskam fshehur, ku thuhet se në kampin e Tepelenës ishin atë vit të internuar 3600 persona.
Dhe duke qenë se raporti i cituar nga unë i vitit 1953 flet për vetëm 1200 persona të izoluar në atë kamp, z. Tufa nxjerr konkluzionin matematikisht korrekt, se mes vitit 1951 dhe vitit 1953 janë asgjësuar në kampin e Tepelenës mbi 2400 persona! Por ka një detaj të vogël, që s’duhet nënvleftësuar.
Dokumenti, që z. Tufa thotë se është i CIA-s, është në fakt një artikull i datës 27 tetor 1951 i gazetës “Politika”…të Beogradit!
Vërtet, ai ndodhet në arkivat e CIA-s, siç ndodhet edhe në Arkivin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.
Dihet, përcjellja e kupurave të shtypit të vendit ku punojnë, është një detyrë funksionale e diplomatëve dhe e shërbimeve inteligjente.
Por, në çdo rast, informacionet e marra nga shtypi konsiderohen “të pavërtetuara” dhe kryqëzohen me dokumente të tjera.
Dokumenti i CIA-s i përdorur shkel e shko nga z. Tufa, e thotë shkoqur qysh në krye se bëhet fjalë për një informacion të marrë nga gazeta “Politika” e Beogradit.
Dhe në vitin 1951, që është edhe viti i lindjes sime, Beogradi nuk kufizohej vetëm të shpërndante lajme të rreme mbi Shqipërinë me anë të gazetës “Politika” e të agjencisë TANJUG, por dërgonte edhe tufa shqiptarësh të armatosur për të kryer akte terroriste në Shqipëri. Por kjo është një histori e gjatë.
Ajo që më çudit me z. Tufa, nuk janë bindjet e tij të patundura antikomuniste, që te dikush tjetër i respektoj, por pyetja që më mbetet nderur pas leximit të shkrimit të hidhur të tij: çfarë e shtyn këtë njeri t’i referohet burimeve nga Beogradi për të interpretuar një fragment aq delikat të historisë së Shqipërisë, siç është ai i kampit të Tepelenës dhe interferencave jugosllave në vitet 1949-1953?!
A thua të jetë thjesht afiniteti me gjuhët e me kulturat sllave?!