E ardhmja e Jose Mourinho-s te Chelsea, vazhdon të mbetet diskutimi më i madh në Angli. Portugezit i ka dalë në mbrojtje trajneri i Manchester City-t, Manuel Pellegrini. Humbja nga Stoke City të shtunën ishte e shtata për Chelsean në 12 xhirot e para të sezonit në Premier Ligë. Pozita e 16-të në tabelë me vetëm 11 pikë të grumbulluara janë shumë pak, për një ekip që është kampion aktual. Padyshim që faji më i madh bie mbi trajnerin Jose Mourinho, për të cilin flitet se mund të pushohet nga puna.
Mirëpo portugezit i ka dalë në mbrojtje kolegu dhe kundërshtari nga Manchester City, Manuel Pellegrini.
Sipas kilianit fajin më të madh e kanë presidentët e klubeve, të cilët në të shumtën e rasteve tregohen të padurueshëm me trajnerë, transmeton KosovaPress.
“Çdo ditë lexoj lajme se Mourinho do të shkarkohet”, theksoi Pellegrini. “Me situata të tilla jam përballur edhe unë para një viti, dhe kjo vjen si pasojë e presidentëve të klubeve që nuk kanë durim”.
“Gjërat kanë ndryshuar shumë në futboll, mirëpo unë mendoj se sa më shumë një trajner qëndron në një klub, kjo shërben në të mirën e të dyja palëve, siç do të ishte në këtë rast me Mourinhon”, deklaroi Pellegrini.