Qindra qytetarë kanë dalë sot tek sheshi i qytetit në Pejë, për të mbajtur një protestë paqësore me qëllim të kundërshtimit të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi .
Protestuesit kanë thënë se do të kundërshtojnë faljen e tokave të Kosovës. Me pankarta në duar, ata kanë përcjellë mesazhe të kundërshtimit të ratifikimit të marrëveshjes e cila planifikohet të diskutohet me një shtator në Kuvendin e Kosovës.
Kryesuesi i Këshillit për organizimin e kësaj proteste Ali Lajçi, tha se qytetarët e Kosovës duhet të ngrenë zërin, pasi nuk po flasim për kufij administrativë e komunalë, por po bëhet fjalë për kufijtë e një shteti.
Sipas tij, Kosova do të humbë 12 mijë hektarë tokë me ratifikimin e kësaj marrëveshje.
Përfaqësuesi i Grupit të Intelektualeve Rugova, Mujë Rugova theksoi se qëllimi i protestës është t’i themi jo komisionit shtetëror dhe institucioneve më të larta shtetërore . Ai shtoi se demarkacioni është në favor të Malit të Zi, gjë që sipas tij është e papranueshme dhe e pa drejtë.