Nga Ylli Pata
Pehlivanët, pra ata politikanë që në darkë flenë me njërin, e në mëngjes gdhihen me tjetrin, janë një sindromë jo vetëm në politikën shqiptare.
Madje edhe në termilogjinë e përgjithshme- politikani dhe pehlivani, konsiderohen sinonime, megjithëse ky i fundit bën lojra të rrezikshme në cirk.
Ndërkaq, lëvizjet e pareshtura në PD-në e pas 25 prillit 2021 ishin krejt të pritshme. Për herë të parë në historinë politike të Shqipërisë, një parti humbte tre zgjedhje parlamentare rresht. Një proces që nuk e ka provuar asnjëra nga partitë e mëdha në vend.
Në vitin 1996, PS-ja pas marrjes së mandatit të dytë nga Sali Berisha, kur kishte edhe kryetarin në burg, u përball me një larje hesapesh të rrezikshme mes vetes. Një larje hesapesh që rrezikoi jo thjesht përçarjen, por një skizmë dramatike të partisë kryesore të opozitës. Megjithatë, aty ndërhyri menjëherë Fatos Nano nga burgu i Bënçës dhe ndryshoi totalisht lidershipin e partisë, duke prodhuar një kupolë tjetër, një grup të ri politik, i cili udhëhoqi aksionin e radhës.
Në fakt, Nano nuk shpiku avionin, thjesht përdori një dialektikë standarde në një vend ku ndodh ndryshimi me votë.
Humbja e zgjedhjeve të vitit 2021, ishte një akt politik fatal për Partinë Demokratike, por lidershipi i saj, as atëherë as sot nuk e ka bërë kurrë leximin e qartë të asaj humbjeje.
Përdorja e argumentimit se ajo opozitë, pra e vitit 2021 grumbulloi rreth vetes një numër më të madh votash që nga 2013 është vetëm një gjykim semplist dhe sipërfaqësor.
Opozita e vitit 2021, nuk arriti të bëhet shumicë, pikë së pari sepse njerëzit besuan që nëse fiton Lulzim Basha, në pushtet do të vijë Sali Berisha edhe Ilir Meta. I cili madje bëri të ditur se do të bëhet edhe ministër i Brendshëm. Ky është aspekti i parë, por ka edhe shumë arsye të tjera.
Siç edhe u pa më vonë, menjëherë nisën të dalin në dritë një pakënaqësi e bazës demokrate me listën që Lulzim Basha u kishte paraqitur për deputetë.
Në zgjedhjet brenda PD-së të korrikut 2021, Lulzim Basha në mënyrë makiaveliste bëri aleancë me Sali Berishën, por edhe me të gjithë skuadrën që kishte paraqitur në zgjedhjet e humbura.
Në vend që ta ndryshonte atë në mënyrën më të thellë të mundshme, që njerëzit, sidomos militantët e PD-së ta shikonin si një sinjal ndryshimi.
Pastaj erdhëm te Non Grata, përjashtimi, 8 janari mesjetar, e gjithë kjo histori e lodhshme e vulës dhe para vulës. Ku në skenë dolën pehlivanët që kërcenin nga një zonë në zonën tjetër. Që po ndodh çdo ditë xhanëm dhe nuk se është ndonjë shkelje e madhe. Politika në radhë të parë është interes, e këtë e ka shpjeguar që në fillimet e organizimit politik të historisë njerëzore.
Por një parti e madhe, që kërkon të vijë në pushtet apo kërkon të mbahet fort tek elektorati i saj, i cili ekziston dhe reziston në territor, nuk mund të mbahet me pehlivanë. Por me shtylla që nuk lëvizin dhe mbeten konseguentë në qëndrimet e tij.
Ilir Meta, është një nga politikanët më të talentuar dhe të rëndësishëm të Shqipërisë, që është i njohur edhe si pehlivani më i shkathët që ka shkuar sa me Berishën, sa me Ramën. Ja sot ku është Meta, i cili për nga intuita, metodologjia, shkathtësia dhe marrëdhënia me njërëzit është ndoshta më i afti nga të gjithë.
Kjo ka ndodhur, se pehlivanllëku duhet përdorur me karar ; është konseguenca që të jep më fryte në politikë. Dhe këtë e shpjegon historia politike në vite e vite. Politikanët më konseguentë kanë qenë më jetëgjatët dhe më me aksione. Merr shembullin e Gramoz Ruçit, i cili është tërhequr nga politika aktive. Në festimin e 33 vjetorit të PS-së, ai ishte “ylli i shfaqjes”, popullor edhe kur nuk ka pushtet. Çelësi i kësaj fuqie politike të Gramoz Ruçit, është mbi të gjitha konseguenca në qëndrimet e tij.
E mbani mend Kastriot Islamin? Ka qenë njeriu më i rëndësishëm i Edi Ramës në zgjedhjet e 2009-s. Shkoi më pas me Sali Berishën dhe u bë deputet i PD-së në 2013, sepse ruajti Berishën nga rrëzimi si kryeministër. Po ku është sot? Të gjithë e kanë harruar! Edhe pse ka qenë kryetar Kuvendi, ministër Arsimi, deputet disa legjislatura e profesor i fizikës.
Kështu që këta pehlivanët e peshave më të lehta që prodhoi Lulzim Basha në listën e 2021 janë thjesht një përforcim i tezëz, por me një panoramë më tragjikomike. Megjithatë, ata janë e do të mbetet një boomerang i Luli Bashës kur thoshte Yuri Kim. E ky boomerang, në mos Lulit ja ka vrarë fytyrën opozitës nga goditja. Ndaj duhet siç edhe ka premtuar xhanëm Luli Basha: të bëjë prezent skuadrën e tij të deputetëve të 2025-s!