Një prokuror amerikan ka akuzuar nivelet më të larta të selisë së shenjtë të Vatikanit se kanë mbuluar skandalet e pedofilisë ndaj mijëra fëmijëve. Ndërkohë, akuza janë ngritur edhe ndaj Papa Françeskut, por mbështetësit e tij i kanë dalë në mbrojtje, duke i cilësuar ato sulme të qëllimshme.
Skandali i pedofilisë në radhët e Kishës Katolike sa vjen e thellohet dhe denoncues të shumtë kanë vënë në shënjestër Papa Françeskun, të cilin e akuzojnë se ka mbuluar raste të shumta. Së fundmi, lidhur me skandalin ka reaguar prokurori i përgjithshëm i Pensilvanisë, Josh Shapiro, i cili ka deklaruar se zotëron prova që Vatikani ka qenë në dijeni të abuzimeve dhe i ka fshehur ato.Zyrtari i lartë ka nënvizuar se nuk mund të flasë specifikisht për atin e shenjtë, por ka shtuar se në arkivat sekrete të Kishës ka gjetur disa dorëshkrime që tregojnë abuzimet e mijëra fëmijëve në 6 dioqeza nga 8.
“Nuk kishte vetëm abuzime dhe dhunime në masë, por edhe një rrjet të organizuar mbulimi që arrinte deri në Vatikan”, ka thënë Shapiro në një intervistë për NBC.
Ai ka theksuar se, ajo që ka zbuluar është e frikshme dhe ka akuzuar krerët e kishës se kanë gënjyer besimtarët në meshën e së dielës dhe kanë mbrojtur grabitqarët. Ndaj atit të shenjtë ka ngritur akuza edhe ish-ambasadori i Vatikanit në Uashington, imzot Carlo Maria Vigano, i cili ka deklaruar se Papa ka mbrojtur arqipeshkvin amerikan Theodore McCarrick.
Vigano ka deklaruar se Françesku ka qenë në dijeni të abuzimeve dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij. Por mbështetësit e Papës i kanë dalë atij në mbrojtje, duke akuzuar Viganon për një fushatë të paprecedentë sulmesh, me qëllim largimin e Papës për shkak se hapi dyert e kishës për katolikët e divorcuar dhe ata homoseksualë.
Vetë zyra e atit të shenjtë ka reaguar duke bërë me dije se ai ndihet i hidhëruar, por nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, përgatiti Express. (b.an)