Janë katër versione që prej dy muajsh ndodhen në tryezën e presidentit Hashim Thaçi, tri nga të cilat do të mundë t’u prezantoheshin autoriteteve të Malit të Zi si propozimzgjidhje për çështjen e demarkacionit.
Të gjitha kërkojnë rinegocimin e Marrëveshjes së kufirit ose dërgimin e rastit në arbitrazh.
Njëri version është deklaratë pajtimi në mes dy vendeve. Tjetri është aneks i Marrëveshjes së 26 gushtit të vjetëm. I treti përbën deklaratë të përbashkët mes kuvendeve të Kosovës e Malit të Zi. Nëse asnjëri nga tri versionet nuk do të mbështetej nga Podgorica zyrtare, nëpërmjet versionit të katërt është paraparë zgjidhje e njëanshme – nxjerrja e një vendimi nga Kuvendi i Kosovës.
Kreu i shtetit nuk e ka marrë në konsideratë ndonjërën, pavarësisht se draftet janë hartuar nga juristë të Partisë Demokratike, subjekt politik që Thaçi e ka drejtuar deri në fillimvit, kur është zgjedhur në majë të pushtetit. Ato i posedon edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili e ka pasuar Thaçin në krye të partisë.
Gazeta nuk ka mundur të mësojë nëse të tillat janë vënë edhe në tavolinën e kryeministrit Isa Mustafa, referon Koha. (b.an)