Nga Mero Baze
E vetmja gjë e qartë që tregon pafuqinë elektorale të PD është gara e mundshme për Bashkinë e Tiranës. Të gjithë ata që kanë shanse të dalin me dinjitet nga gara, i shmangen; dhe të gjithë ata që e dinë se nuk kanë çfarë të humbasin, janë gati.
Kështu, Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti duket se nuk kanë dëshirë t’i hyjnë aventurës, ndërsa njerëz që nuk marrin as votat e lagjes thonë se janë gati të konkurrojnë.
Kjo nuk është hera e parë që PD gjendet në këto pozita për Bashkinë e Tiranës, por kurrë nuk ka qenë kaq e theksuar ndjenja e refuzimit nga figurat kryesore.
Arsyeja nuk është se ata do të humbasin, por se nuk e kanë më të sigurt karrierën në PD pas kësaj.
Në vitin 2000, Besnik Mustafaj e kishte të sigurt që do të humbiste, por kandidoi përballë Edi Ramës dhe ishte i pari që e uroi pas humbjes, përkundër mallkimeve të PD-së.
Pas një pauze disa mujore, ai u rikthye në PD dhe kandidoi më 2001 duke fituar si deputet i Tiranës. Pra, gara i shërbeu për t’u bërë një figurë më politike brenda PD-së, pasi më parë kishte qenë një ambasador i palidhur me jetën politike të saj.
Në vitin 2003, Spartak Ngjela po ashtu e përdori garën në Tiranë për t’u forcuar si figurë politike në PD. Ai bëri një fushatë simpatike, jo partiake, dhe e vuri në pozitë të vështirë Edi Ramën – jo nga pikëpamja elektorale, por e debatit publik.
Pas kësaj, u bë deputet i PD-së në vitin 2005.
Por më dramatik ka qenë vendimi për zgjedhjet e vitit 2007. PD ishte përgatitur politikisht për Lulzim Bashën. Duke qenë ministër i Infrastrukturës, dhe duke marrë përsipër disa gjeste lufte për interesat e familjes Berisha, siç ishte prishja e mbikalimit të Zogut të Zi, ai forcoi bindjen në sytë e demokratëve se ishte rivali i duhur përballë Edi Ramës.
Por kur erdhi koha për t’u zgjedhur kandidati, ai refuzoi. Bashkë me të refuzoi edhe Bamir Topi, i cili synonte postin e Presidentit dhe kishte arsye të mos i besonte më Berishës, pasi ky i fundit e kishte anashkaluar nga gara për Tiranën më 2000 dhe 2003.
Kështu, Berisha ia la këtë barrë Sokol Olldashit.
Të gjithë e dinim që do të humbiste. Edhe ai vetë.
Pas afër një viti e gjysmë si Ministër i Brendshëm, ku kishte bërë emër me arrestimin e bandave kryesore në vend, ai kishte çdo arsye të besonte se rivalët brenda PD-së po e çonin drejt eliminimit. Dhe në fakt, gjatë fushatës u provua.
Ata që identifikoheshin si “tirons të vërtetë” nuk e votuan, pasi e identifikonin me Sali Berishën. Njësoj kishin vepruar edhe kundër Besnik Mustafajt dhe Spartak Ngjelës.
Ishte e qartë ky rrezik, i cili u provua.
Humbi thellë përballë Edi Ramës përkundër një fushate luftarake që bëri. Gjurmët e sabotimit brenda PD-së ishin të dukshme. Për shembull, në njësinë nr. 10 PD fitoi minibashkinë (pra Ger Bogdani fitoi), ndërsa Olldashi humbi.
Për një parti të bashkuar është e pamundur që dikush të votojë kryetarin e minibashkisë dhe të votojë kundër kandidatit për bashkinë e madhe. Ishte e qartë që e kishin futur në kurth për ta eliminuar.
Pas humbjes, njësoj si dy pararendësit e tij, pranoi rezultatin, uroi Edi Ramën, fiku telefonin dhe u zhduk për gati një muaj nga selia.
Kur Berisha pa që po i bëheshin bashkë shumë armiq – Bamir Topi nga një krah, të rinjtë nga krahu tjetër – u detyrua të riformatojë qeverinë: e futi Olldashin në qeveri si Ministër të Infrastrukturës në vend të Bashës dhe bëri Topin President.
Pra, edhe pse ai u përgatit për t’u bërë kurban, përsëri ia doli t’i imponohej PD-së.
Por tani…
Ky sistem vlerash nuk ekziston më në PD.
Tabaku dhe Alimehmeti me të drejtë nuk rrezikojnë, pasi e dinë që pas humbjes nuk vjen ndonjë shpërblim, por një shqelm për t’u hequr qafe si humbës.
PD nuk është se për herë të parë ndjehet humbëse në Tiranë. Ashtu është ndjerë për dy dekada. Por për herë të parë personazhet e forta politike ndihen pa perspektivë dhe duan të jenë brenda rrethit të sigurisë.
Ky është regresi më i madh që ka pësuar PD.
Nuk ka më njerëz që të luftojnë për të. Nuk ka më luftëtarë që të dalin, të sakrifikojnë karrierën për t’i dhënë vetes personalitet dhe PD-së fuqi të reja.
Arsyeja është se PD e ka ndërtuar tashmë të ardhmen politike të personazheve të saj jo mbi meritat, por mbi besnikërinë ndaj Berishës dhe shërbimet ndaj familjes së tij.
Gara u vra nga brenda PD-së dhe njerëzit më me merita nuk u kandiduan.
Ndaj tani nuk ka më njerëz që sakrifikojnë për t’i dhënë PD energji të reja apo rezultate të reja.
Tani PD është në kërkim të një bedeli që pranon të kandidojë për të humbur, por që në thelb nuk ka çfarë humbet.
Ajo tashmë është një parti pa luftëtarë, por vetëm me rrogëtarë. Dhe për rroga, para ka plot.












Kandidatura më e mënçme nga gjithë PD-ja, është korçari i sinqertë Vrenoz.
Vetëm ai, nuk ka se ç’humbet.
Përkundrazi, Vrenozi fiton, sepse bëhet Tironc.
Kurse gjithë rrotullhanet e tjerë të Saliut, janë thjeshtë plonca lope, që në vënd se të flasin, bëjnë bajga, njelloi si lopa.