Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi fton qytetarët të hënën para parlamentit, në protestë. Në një dalje të sotme për mediat nga selia blu, ai tha se ndërkohë që gjendja në vend po shkon keq e më keq, ekonomia po zhytet thellë e më thellë në krizë, papunësia rritet, pamundësia për të vazhduar studimet shtohet, është koha që të rinjtë të rimarrin sërish në dorë fatet e vendit, ashtu si 25 vite më parë.
“Të hënën ne duhet të jemi të gjithë së bashku, të djathtë, të majtë e të pa parti sepse ne të gjithë po vuajmë njësoj, të gjithëve njësoj po na e vrasin shpresën qeveritarët e sotëm që të vetmin shqetësim që kanë, është të shtojnë pasuritë e tyre marramendëse. Thirrja për çdo të ri vjen nga padrejtësia e thellë, ku gjysma e shqiptarëve janë goditur në bukën e gojës, ndërsa Edi Rama dhe ministrat e tij renditen mes njerëzve më të pasur në Europë”, u shpreh Këlliçi.
Ai tha se thirrja vjen për çdo të ri i cili në pamundësi për të gjetur një vend pune sheh si zgjidhje largimin nga vendi.









