Nga Ben Andoni
Partia Demokratike po përballet me sulme nga të gjitha anët, por më shumë nga njerëz të cilët kërkojnë ta identifikojnë me Partinë Demokratike të fillim-viteve ’90. Asokohe, për kushtet e Shqipërisë, Partia Demokratike ishte një front kombëtar politik ngritur për të përballur inercinë e madhe të Partisë së Punës dhe një strukturë të tërë të saj, e cila s’mund të mundej thjesht me fjalë.
Siç ndodh në këto raste, fronti shumë shpejt do të merrte gjithçka para dhe do të identifikohej me demokracinë e vërtetë, kurse me vite do të shkërmoqej në shumë parti. 28 vite më vonë, ky konfigurim fillestar është i pamundur dhe Partia Demokratike duhet të kuptojë se është në kohën më të mirë të rinovimit të saj të plotë në një shekull, ku ideologjitë janë likuide, sipas filozofëve bashkëkohorë. Nëse nuk do të kapë momentin, atëherë ajo do zbehet pak nga pak, në një proces të dhimbshëm që po e kërcënon realisht pas lënies së mandateve të parlamentit dhe sidomos pas mospjesëmarrjes në zgjedhjet e 30 Qershorit. Partia Demokratike në të gjithë ligjërimin e saj publik është duke luajtur me dy koncepte: liria (në të gjithë diapazonin e saj) dhe siguria e plotë publike(e të ardhmes). Por, të dyja këto koncepte janë shumë të vështira për t’u përshtatur në një shoqëri si jona me parametra jo të lartë demokratikë për t’i bërë bashkë në një hulli të përbashkët.
Kurse Zygmund Bauman, politologu i madh polak, i përkthyer në vitet e fundit dhe në shqip, mendon se këto janë dy vlera jashtëzakonisht të vështira për t’u pajtuar. “Nëse do të donit më shumë siguri, do t’ju duhet të hiqni dorë nga njëfarë lirie; e nëse do dëshironi më shumë liri, do të duhet të hiqni dorë nga siguria. Kjo dilemë do të vazhdojë përgjithmonë. Dyzet vjet më parë besuam se liria kishte triumfuar dhe filluam një orgji të konsumizmit…”, do shprehej ai në një intervistë të fundit para vdekjes (El Pais, 2016). Po teksa thirrja e zgjimit për Evropën u bë në vitin 2008 me krizën që e trandi nga themelet, për Shqipërinë duket se po ndodh me krizën e sotme politike. Vetëm se ndryshe nga ajo që ndodhi në Evropë, ku ekonomia është formale, te ne zvogëlimi i rritjes ekonomike ka filluar të ndjehet shumë, paçka se në një ekonomi informale duket gati e njëjtë. Nëse jo aq te klasat e varfra që janë mësuar për fatin e tyre të keq me këtë realitet, është dëmtuar shumë klasa e mesme, që është duke u zvarritur në një situatë të pasigurt të së ardhmes. Njerëzit e kësaj klase janë në radhën e parë për të ikur, ata mbajnë barrat e taksave, ata janë të paqartë nëse do pushohen nga puna, ata që janë të paqartë për çfarë po bëhet…nëse ndryshon klasa politike në vend. Në botë, njësoj, sot problemi i madh është sesi kjo klasë do përballë likuiditetin e çdo gjëje që ka prodhuar politika e globalizmit. Është kaq kaotike e gjitha kjo situatë saqë sot nuk ka më ide se ku po shkon realisht kjo luftë. Partia Demokratike është krejt e paqartë për realitetin ku ndodhet dhe në sloganet e saj nuk shkon më shumë nga ajo që ka referuar Rama, kur erdhi në pushtet, ndaj zona gri rri e vështron dhe në 85% e proklamimeve të PD-së, ata zënë vendin kryesor. Përgjigja e shumicës mungon edhe te PD, kurse lideri i opozitës Basha është krejt i papërgatitur t’u flasë me terma normalë, ndaj në çdo moment përdor Zotin.
Nga ana tjetër, sot atakohet gjithçka, kurse hapësirën e debatit të vërtetë politik e ka zënë lufta mes forcave politike: Partisë Socialiste me presidentin dhe kuptohet konflikti i madh me Opozitën. Njerëzit kanë humbur aspekte të lirisë dhe bashkë me të edhe sigurinë sepse gjithçka është shtrirë në konfliktin politik. E konflikti nuk është më midis klasave, por në mes të çdo personi dhe shoqërisë. Nuk është vetëm mungesa e sigurisë, por edhe mungesa e lirisë, na vjen në ndihmë Bauman. (Ibid)
Me pak fjalë, Partia Demokratike është në kohën më të mirë për të bërë reformimin e saj. Tashmë i duhet thjesht një taktikë më interesante dhe të mos ndjekë lojën që i ka imponuar me shumë zgjuarsi kryeministri i vendit, pas gabimit të tyre fatal të bojkotit. Nuk mjafton më të ankohesh për zgjedhjet që i bojkotove, ashtu si të kapesh vetëm pas përgjimeve (që realisht të trandin dhe për të cilat PS-ja duhej të bënte Mea Culpa), ashtu si nuk mjafton më të mbledhësh aq shumë njerëz (numrat tashmë nuk përbëjnë ndonjë realitet-u arrit), por të tregosh se ku do e kanalizosh këtë energji dhe këtë mospëlqim. Deri më tani, akumulimi i Partisë Demokratike dhe rruga ku e futi politikën shqiptare i ka shërbyer kauzës së saj, kuptohet me një peshë të madhe negative për integrimin për vendin. Por, nëse në të ardhmen e respekton realisht procesin integral të vendit, paçka se cili është në fuqi; nëse dokumenton shkeljet e zgjedhjeve; nëse arrin e demokratizon krejt strukturat e partisë duke u përgatitur për zgjedhjet e radhës, të cilat do ndodhin me shumë gjasa para afatit, duke përgatitur një infrastrukturë profesionale; nëse lufton dhe futesh në proces që të depolitizohet krejt administrata e KQZ-së, me shumë gjasa, duke menduar sesi do të ndryshohet vërtetë sistemi; e mbi të gjitha duke u vendosur frena militantëve që mezi po presin për pushtet, shumë shpejt do të mirëpresim alternativën tuaj. Është punë e madhe në dukje, por do më pak vullnet sesa të shkosh qytet e më qytet për të mbledhur njerëz.
Dhe sërish na vjen në ndihmë Bauman: “Është shumë e thjeshtë të kthjellësh ide dhe rrugë, por është shumë e vështirë të krijosh një gjë solide” . Kjo kërkohet sot nga Partia Demokratike dhe për këtë nuk vlen më të lodhësh njerëzit, por të krijosh struktura dhe të provosh se do të çosh përpara fitoren e vendit. “Njerëzit ndodh që i lënë mënjanë për një kohë dallimet e tyre në sheshet publike për një qëllim të përbashkët. Nëse ky qëllim është për t’u zemëruar me dikë, duket se ka më shumë shanse për sukses. Në një mënyrë mund të tregojë se është një shpërthim i solidaritetit, por shpërthimet që duken vërtetë shumë të fuqishme zgjasin fare pak”, na mëson Bauman. (Ibid) (Gazeta Shqiptare)