Dokumenti i bërë publik një ditë më parë nga kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi nuk bind Partinë Demokratike në pastërtinë e tij.
Përmes Ivi Kasos, opozita thotë se Roshi ka manipuluar duke u kërkuar autoriteteve federale gjermane të dhëna për personin “Elvis Ervin Roshi”.
“Roshi i Ramës u thotë që t’i japin të dhëna për Ervin Elvis Roshin dhe sigurisht me këtë emër nuk ka të dhëna”, deklaroi Ivi Kaso.
Opozita është e sigurtë që ndaj Roshit ka një vendim nga gjykata e Mynihut.
“Përse Roshi i Ramës nuk u drejtohet autoriteteve gjermane me emrin Ervin Roshi, emrin që ka patur deri në vitin 2002, vit kur është dëbuar nga gjykata gjermane?!”, tha Kaso.
Opozita thotë se pret të tjera të dhëna nga vende të tjera të Europës mbi kreun e Bashkisë së Kavajës, ndërsa i bën thirrje prokurorisë që të hetojë rastin në fjalë në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.