Intervistë e JAVAnews me avokatin Fatmir Markoçi, një nga protagonistët e atyre ditëve. Si e shikon ai degradimin e kësaj date në manifestim politik? Pse nuk u kthye ashtu si duhet në festë popullore? Ku janë realisht, protagonistët e asaj date?
Intervistoi Ben Andoni
Fatmir Markoçi është një protagonistët e atyre ditëve dhe në vitet e para të Demokracisë dhe shumë i angazhuar me politikën e Djathtë në vend. Sot, në rolin e avokatit, jo vetëm ndjek me kujdes zhvillimet në vend, por vazhdimisht mundohet të jetë prezent me mendimet dhe sugjerimet e tij. Ka qenë shumë i ashpër me kryetarin e PD-së Basha, pas humbjes së zgjedhjeve, por zëri kuptohet se i ka ikur kot në kakofoninë agresive të PD-së, që shpesh e lufton mendimin ndryshe. Në këtë intervistë, ai flet për 8 Dhjetorin e 25-viteve më parë dhe pse protagonistët e saj nuk janë më. “Duket se 8 Dhjetori nuk do pritet si një festë jubilare. Ajo do kujtohet me një miting në bulevardin “ Dëshmorët e Kombit” për të protestuar thjesht kundër qeverisë së majtë. Kjo tregon se demokracia është mjaft larg asaj që ne kërkuam, u ngritëm, sakrifikuam, e dhamë gjithçka, për të përmbysur sistemin.
Por nuk mungon as arsyeja tjetër, e cila është më e dhimbshme. Festa nuk mund të kujtohet pa protagonistët. Pa ata që i dhanë dhe me gjithçka kishin u futën në një rrugë që nuk i dihej fundi. Këtu e kam fjalën për njerëzit me ideale. Njerëzit që realisht e vuajtën diktaturën në kurriz. Njerëzit që ishin jashtë skenarit ogurzi të Ramiz Alisë. Këta njerëz janë të larguarit apo të përjashtuarit e partisë. Ata shihen me një sy tjetër Pa dyshim mund të them se shihen me syrin e dikurshëm të “ armikut të partisë”, shprehet ai
Çfarë po ndodh në këtë 8 Dhjetor ? Pse ky kaos qëndrimesh dhe ndarjesh ?
“Më vjen mirë për këtë intervistë. Ndoshta duhej një analizë e gjatë për këtë datë, por me sa duket nuk ka ardhur ende momenti për t’i radhitur e nxjerrë çdo gjë në treg. Për arsyen se vetë opinioni është i indoktrinuar për ta përqafuar plotësisht të vërtetën e atyre ditëve.
Me pak fjalë, të vjen vërtet keq. Pas 25-vjetësh, ndodhemi po në një paralele të asaj periudhe. Njerëzit të cilët kontribuuan në ato ditë të vështira, për themelimin e rrëzimin e asaj diktature nuk ndodhen më në gjirin e saj. Kjo për një arsye të thjeshtë. Vazhdimësia e të së kaluarës vazhdoi dhe gjatë kësaj periudhe. Nuk dolëm dot nga mentaliteti i së kaluarës. Ky mentalitet, me apo pa pranimin e sajë, është sa i vërtetë aq dhe i prekshëm.
Duket se 8 Dhjetori nuk do pritet si një festë jubilare. Ajo do kujtohet me një miting në bulevardin “ Dëshmorët e Kombit” për të protestuar thjesht kundër qeverisë së majtë. Kjo tregon se demokracia është mjaft larg asaj që ne kërkuam, u ngritëm, sakrifikuam, e dhamë gjithçka, për të përmbysur sistemin.
Por nuk mungon as arsyeja tjetër, e cila është më e dhimbshme. Festa nuk mund të kujtohet pa protagonistët. Pa ata që i dhanë dhe me gjithçka kishin u futën në një rrugë që nuk i dihej fundi. Këtu e kam fjalën për njerëzit me ideale. Njerëzit që realisht e vuajtën diktaturën në kurriz. Njerëzit që ishin jashtë skenarit ogurzi të Ramiz Alisë. Këta njerëz janë të larguarit apo të përjashtuarit e partisë. Ata shihen me një sy tjetër Pa dyshim mund të them se shihen me syrin e dikurshëm të “ armikut të partisë”.
Largimi i kësaj kategorie njerëzish, solli që partia të rrëshqasë nga idealet e themelimit të sajë. Ajo u kthye në një parti sektare. Roli i kryetarit u kthye në një rol jo vetëm vendimmarrës, por dhe në një rol autoritari-absolut. Mendimi ndryshe nuk u pranua. Vlera dhe kontributi gjithashtu nuk merreshin në konsideratë. Përjashtimet apo afrimet në parti bëhen vetëm me dëshirën e kryetarit të sajë. Kjo rriti autoritetin absolut.
Ndërkohë që edhe kryetari Basha duket se po kërkon të kristalizojë rolin e tij si lider i partisë. Në vend që kjo datë të ishte një takim festiv, një takim ku të mos mungonin protagonistët dhe të kristalizohej historia e partisë, PD-ja ka zgjedhur mitingun. Mitingu mbledh dhe largon gjithkënd. Nga tribuna Basha po i bën “karshillëk” të gjithë kontribuuesve, themeluesve dhe atyre që për 25-vjet ju mohua, jo vetëm roli, por dhe e drejta për të kontribuar për vendin. Po nga ajo tribunë Basha do na tregojë dhe historinë tonë, por në formën e mënyrën e tij”.
Dhe mendon se kjo ju ka ndarë me këtë datë, në kuptimin e vërtetë të saj…
“Kjo, jo vetëm ka sjellë ndasitë por edhe hatërmbetjet në parti. Dhe, ndasitë nuk janë për bindjet apo për idealet e dhjetorit. Ato janë ndasi interesash. Partia tashmë është ndarë në grupe të ndryshme, nëse do kishte ndasi idealesh, apo qëndrime mendimesh, do ta pranoja, por ato janë thjesht interesa të ngushta personale. Në Shtator, unë kërkova largimin e Bashës pas humbjes drastike. Askush nga këto grupime nuk e mbështeti kërkesën time. Kjo tregoi se zëri ndryshe nuk ishte real. Ata prisnin reagimin apo sinjalin e Berishës. Kur morën këtë sinjal, ata filluan të flasin. Pra këtyre ju mungon vizioni i politikës. Ju mungon gjithçkaja, pasi e shohin partinë si lopë e jo si një grupim njerëzish ku debati dhe alternativa triumfon. Kështu që në këto momente ka një kaos të plotë. Kaosi është dhe për arsye se ata nuk e kuptojnë përdorimin që po ju bëhet. Nesër kur Basha nuk do ti vendosë në lista kuvendarësh, ata do fillojnë të shajnë për çdo gjë”.
Si e shikoni simbolikisht Ju këtë datë, si një nga organizatorët e dikurshëm të saj?
“Për të qenë të vërtetë: Lëvizja nuk ka filluar në këtë datë. Lëvizja ka filluar të paktën që në Janar, me demonstratën e heshtur. 8-Dhjetori ishte një mënyrë për t’u mbledhur. Ajo natë ka shumë gjëra që nuk thuhen, ka mjaft enigma. Në ato ditë kam njohur shumë studentë. Ishte një natë ku protesta filloi spontanisht. Nuk mundet të them se ishte gjë e përgatitur. U desh djegia e transformatorit që të iknin dritat. Më pas studentët filluan të dilnin dhe të bërtisnin.
Kjo bëri që e gjithë kjo zhurmë u dëgjua dhe në shtëpitë e tiranasve. Ajo që bie në sy është gatishmëria e qytetarëve për të ardhur e për t’u bashkuar me studentët. Kjo natë kaloi në një revoltë, por nuk kishte një organizim të mirëfilltë. Kaosi dukej kudo. Mos pasja e një drejtuesi apo një grupi të caktuar, çdo godinë apo dhomë studentësh vepronin në mënyrën e tyre.
E nesërmja ishte ajo që e kristalizoi më shumë lëvizjen. Ishte po shteti që u vu në veprim për ta shuar apo për ta vënë nën kontroll këtë situatë. Ramiz Alia bëri lëvizjen e tij. Ai u mundua që situatën ta vinte nën kontroll për ta shuar këtë lëvizje. Nuk munguan dhe djallëzitë e tij. Ai solli dhe kamionë me xhinse tek qyteti i studentëve për t’i joshur studentët. Këtu merr një rrol mjaft të rëndësishëm, si roli i studentëve të Tiranës por ashtu edhe qytetarët e saj. Të gjithë u bënë njësh me studentët dhe për gjatë gjithë kohës nuk u shkëputën kurrë nga studentët. Dhe pse Qyteti Studenti ishte i rrethuar me polici e Sigurimsa. Njerëzit e gjenin rrugën për tu bashkuar e për të qenë prezent në këtë ngjarje.
Pa ju futur në hollësi të tjera. Unë them se çdo njeri ka qenë prezent. Pra, çdo kush që ka kontribuar në atë ditë, sot, ndihet tepër i zhgënjyer nga ajo çka u kërkua. Kjo nuk është se e them unë si një pjesëmarrës në këto ngjarje. Nuk e them as për hatërmbetje personale. E them se idealet tona ishin ndryshe. Sot ato ideale nuk ekzistojnë në politikën shqiptare. Prandaj në një shkrim kam kërkuar Revoltë Popullore”.
A e përvetësoi realisht politika këtë festë?
“Politika nuk e ka më ndjesinë e saj revolte e të atyre dëshirave e kërkesave. Sot, ajo është kthyer në një klasë e inkriminuar, e korruptuar. Është po kjo politikë që po e tërheq popullin zvarrë. Si mundet që sot shqiptarët kërkojnë të ikin e të braktisin vendin ? A mos vallë këtë kërkuam ne?! Por duket se e keqja ishte që në ditët e para. Që tek ai çorganizim i organizuar. Që në listat që u bënë për themelimin e partisë. Mënyra se si hiqeshin e vendoseshin emrat. Apo më e keqja, kur dhe ajo listë u manipulua diku nga 1992-shi. Tashmë dhe vetë protagonistët nuk e gjejnë emrin. Kjo nuk është diçka e thjeshtë. Është mohim i kontributit, dhe më keq akoma, mohim i historisë, jo vetëm të partisë por dhe të vendit.
Pavarësisht nga të gjitha, 8 Dhjetori 1990-ës, mbetet si një nga ngjarjet më të shënuara të vendit. Solli pluralizmin. Solli fjalën e lirë, solli lirinë e zgjedhjes, solli atë mungesë që në na mungoi për dekada me radhë. Por nuk solli atë që ne kërkuam për Shqipërinë, pavarësisht që shtetarët tanë i quajnë arritje të tyre, futjen e Shqipërisë në organizatat e ndryshme. Ne nuk mundeshim ta mendonim se pas 25 vitesh, nuk do hapeshin ende dosjet; Nuk do dënoheshin krimet e komunizmit; Nuk do kërkohej falje; Që do ishim vendi më i korruptuar. Që do kishim një Kushtetutë që nuk mbron dot as veten e saj; Që Diktatori do mbante akoma dekoratën “ Heroi i Popullit. Kjo është sa paradoksale, por që flet më shumë se çdo analizë apo shkrim mbi këtë temë”.