Partia Demokratike ka publikuar sot një tjetër foto, e cila tregon sipas tyre se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto, i arrestuari në Greqi, janë i njëjti person.
Në një deklaratë nga selia blu, Gent Strazimiri tha se sot do të paraqesim një tjetër fakt që rrëzon çdo mashtrim të Agim Kajmakut se nuk është Jorgo Totoja i arrestuar në Greqi.
“Ky dokument, i marrë nga sistemi TIMS (dokumenti 1) është me foton e Jorgo Totos në pasaportën me nr. Z 0148497, me të cilën dhe është arrestuar. Dokumenti i dytë është po ashtu i nxjerrë nga sistemi TIMS tregon pasaportën me emrin Agim Kajmaku, por me të njëjtën foto si edhe Jorgo Toto në pasaportën me të cilën është arrestuar. Krahasimi i dy fotove që janë të të njëtit person, verteton se personi i kërkuar nën emrin Jorgo Toto, në fakt është Agim Kajmaku”, tha Strazimiri.
Strazimiri theksoi se provat janë të pakontestueshme dhe Agim Kajmaku apo Jorgo Toto duhet të largohet dhe të merret i pandehur për veprën e tij penale të kryer në shtetin grek dhe për veprën penale të mashtrimit me deklarimet e formularit të dekriminalizimit.
Por sipas tij, Kajmaku nuk largohet sepse e mbron kryeministri Edi Rama.
“Edi Rama e mbron sepse ai është përfaqësuesi ideal i modelit kriminal të qeverisjes së tij. Edi Rama hesht, njësoj si mafia me kodin e “Omerta” sepse Agim Kajmaku alias Jorgo Toto është simboli i kriminalizimit të qeverisjes nga organizata kriminale e Rilindjes.Edi Rama e mbron sepse siç provuam dhe një ditë më parë, me Kajmakun dhe kajmakët e tjerë ai ndan paratë publike të grabitura shqiptarëve me tendera me miliona euro. Prandaj Edi Rama, si njeriu që ka zgjedhur të qeverisë me krimin duhet larguar një orë e më parë”, tha më tek ish deputeti demokrat.
g.kosovari











