Eduard Halimi, deputet i Partisë Demokratike, deklaroi të mërkurën se “nuk mund të miratohen ligje drejtësie me kartona deputetësh që kanë rekorde kriminale”.
Pasi kërkoi që opozita të ketë bashkëdrejtim në Komisionin e Drejtësisë, Halimi përsëriti se mazhoranca nuk i ka kthyer ende përgjigje PD-së për firmosjen e paktit për heqjen nga lista të deputetëve të inkriminuar.
“E kemi bërë të qartë: ka një kërkesë konkrete dhe mazhoranca nuk ka kthyer përgjigje”, tha Halimi.
Deputeti i opozitës shtoi se ligjet në drejtësi po bëhen jo që t’i shërbejnë luftës ndaj korrupsionit, por kapjeve të institucioneve nga mazhoranca.









