Kreu i departamentit të sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj është shprehur se në këto ditë të para të vitit 2017, janë transportuar nga Shqipëria drejt vendeve të tjera rreth 4 ton e gjysëm drogë. Këto fakte sipas Alibeajt tregojnë qartë se karteli qeveritar I drogës do të vijojë dhe këtë vit aktivitetin kriminal.
“Në 10 ditët e para të këtij vitit, rreth 4 ton e gjysëm drogë, kanë kaluar përmes kufinjve të Shqipërisë në drejtim të Italisë dhe Greqisë. Në Otranto, Torre-Veneri, Napoli, Lece, Brindizi, kanë mbërritur rreth 4 tonë drogë në këto 10 ditë, të kapura e të sekuestruara nga policia italiane.
Po ashtu, në Igumenicë, Selanik, Kostur, janë kapur rreth 500 kg droge, nga policia greke. Afërsisht 4 tonë e gjysëm, në 10 ditë, vetëm sasia e kapur, e sekuestruar.
Këto të dhëna tronditëse, dëshmojnë qartë se karteli qeveritar i drogës vazhdon pa ndalesë aktivitetin, dhe qeveria, Rama e Tahiri, i ofrojnë atyre rregullisht lehtësitë për ta transportuar brenda vendit, e për të kaluar kufinjtë tanë.
Këto të dhëna, dëshmojnë se droga mbetet edhe për këtë vit alternative e Edi Ramës, dhe angazhimi kryesor i Tahirit të tij. Koha ka ardhur për ta larguar këtë të keqe, e për të sjellë një qeveri që krijon mundësi për zhvillim e punë të ndershme.”- deklaroi Alibeaj.










