Frrok Çupi
Ka një shteg ku mund të dalë ‘e sëmura e tre dekadave’ në Shqipëri; dhe ky është modeli i Jugosllavisë në vitet ’80. Ndryshe këta do të bëhen copë- copë brenda për brenda.
‘Shtegu i daljes’ nuk kalon nëpër faktin se Partia Demokratike e Shqipërisë ka disa lidhje me Serbinë (ish- Jugosllavi), sidomos lidhjet me bizneset kriminale të njerëzve të afërt të Millosheviç dhe më në fund me Damir Fazlliç. Jo! Ka spekulime që bëjnë lidhje mes krijimit të PKSH nga jugosllavët Miladin Popovic dhe Dushan Mugosha; por këtu nuk ka shumë paralele. PD-së i duhet të dalë tani nga situata aktuale, dhe kjo mund të bëhet vetëm sipas modelit ‘Jugosllavi- 1980’. Në momentin kur hierarku Tito i Jugosllavisë shkoi nga jeta, Jugosllavia e përçarë në gjashtë republika, bëri jo më ‘një lider’ por një presidencë me gjashtë anëtarë në rotacion.
Edhe Partia Demokratike e ka përdorur këtë formulë, qysh në themelimin e saj. Në dhjetor 1990, PD ngriti ‘Komisionin Nismëtar’, jo Kryesi, as Komitet, as Lider…, por udhëheqje kolektive, kishte frikë nga lufta brenda llojit. Ja, është e njëjta zgjedhje sot: PD nuk mund të ketë më një lider të vetëm. Sa të zgjatë- të zgjatë, por kjo arrihet vetëm me një ‘Presidencë kolektive në rotacion’. Lulzim Basha as mund të qeverisë PD-në, as mund të largohet. Atëherë ‘kullës’ i afrohen disa ngrehina mbajtëse duke shtuar volumin e ‘komisionit të përbashkët’, sa për të zgjatur jetën.
Edhe pse ‘Tito’ i PD sot është mes atyre që hanë njëri- tjetrin, nuk ka më asnjë forcë, përveçse të mbajë Bashën.
Pse nuk mund të udhëheqë Njëshi në PD?
Sepse, më së pari, Njëshi është konsumuar.
Qysh në momentin kur Dr. Berisha hipi në krye të PD, kurrë nuk u ul prej fronit. Edhe kur në krye emëroi ‘kryetarë’ si Selami apo Shehu, këta i përdori si aksesorë të tij; njësoj si në Jugosllavinë post-Tito. Edhe sot Dr. Berisha, në fakt është në krye të PD; por tani nuk funksionon dot më si dikur. Aq më keq nëse hetimet e SPAK mbi Gërdecin etj., do ta afektojnë.
Sepse, së dyti, Njëshi në PD nuk është ‘Njësh’.
Lulzim Basha ka mbërritur në atë post, pikërisht me meritën se nuk është ‘Njësh’. Nuk ishte Njësh as në Holandë ku ‘studioi’ me gruan dhe kuantin, as në Kosovë ku shërbeu në UNMIK nën lidershipin e bijës së Doktorit, as në Rrugën e Kombit ku ky vepronte por përfitimet i shkonin ‘Titos’…, nuk ishte Njësh as në vrasjet e 21 Janarit, edhe këtu ishte Dysh. Nëse edhe Basha do të ftohet nga SPAK, atëherë mund të zbulohen të gjitha.
Sepse as në personalitetin e tij, kryetari Lul Basha nuk është Njësh.
Kurrë nuk ka mbajtur përgjegjësi mbi vete. Çdo mbrëmje jep llogari te kunati dhe familja e gruas cilat ishin përfitimet e ditës. ‘Kulla’ e shembur në Vlorë ishte e vjehrrit, por ky e mbajti në kurriz, si i Dytë; edhe vilat në Tiranë e Lalës i ka ‘të dikujt’, ky nuk është i pari. As listat e deputetëve të PD nuk i bën vetë, por i merr përsipër si i Dytë. Edhe humbjen e thellë në zgjedhjet e 25 prillit do që ta ndajë me dikë tjetër; dhe ‘dikushi tjetër’ mund të fantazohet.
Sepse as dikush tjetër që mund të zgjidhet në krye të PD.
Askush nuk mund të qeverisë i vetëm në Partinë e Dhjetorit- që ishte muaji i fundit i vitit. Këta ia dinë mëkatet njëri tjetrit, që nga korrupsioni gjigand e deri te krimi tjetër: vrasja, zhdukja, lufta, komplotet. Kjo i bën që askush të mos guxojë të jetë i Pari.
Atëherë duhet kthyer te ‘udhëheqja kolektive’, si në epokën para- politike. Ndryshe PD-së nuk i ka mbetur shteg ku të dalë.