Deputetja opozitare, Flutura Açka, e larguar tashmë edhe nga grupi i PD, ka komentuar në Report Tv kaosin dhe djegien e karrigeve të Kuvendit. Të gabuar e quan Açka këtë strategji që po ndjek Partia Demokratike duke thënë se të njëjtën rrugë e provuan edhe më parë, por në fakt favorizuan mazhorancën që kaloi ligje pa diskutim.
“Ka të drejtën të protestojë, por parlamentin e kemi vendin ku mund të themi fjalën. E provuam me djegie karrigesh, flakadanë, kujtuam se paralizuam mazhorancën, por i dhamë mundësi mazhorancës të kalonte buxhetin 2024 dhe ligje shumë të rëndësishme. I dhamë mundësinë të bëjë zullume edhe më të mëdha.
Ky lloj i të bërit opozitë që çoi në marrëveshjen e ‘skutës’ dhe që i dha edhe më shumë fuqi kësaj mazhorance, ishte rruga që e kemi provuar dhe duhet të gjenim forma të tjera, aq më shumë se rezultati në fund ka qenë gjithnjë pro mazhorancës”, tha Açka në Report Tv.
Açka shpjegon edhe pse u largua nga grupi i PD, duke thënë se nuk pranon as Gazment Bardhin si kreun e grupit dhe as Sali Berishën si kryetar. Për Açkën, PD ka filluar të cedojë në ADN e saj, atë për çka u krijua në fillim.
“Nuk jam pjesë e atij projekti, kam qenë pjesë e atij projekti politik me gjithë dashurinë.
Nuk e kam kuptuar kurrë agresionin e të mive ndaj meje, ndoshta natyra ime rebele që nuk përpurthet me vendime grupi, që nuk merren nga grupi, por ato vendime nuk merren nga grupi koka të nxehta që duan të promovojnë veten e tyre, kam përshtypjen se PD ka dalë nga aksi që nisi në vitin ’90. Kemi filluar të cedojmë tek ADN e PD.
Të vetmin faj për largimin, duket se ia vesh vetes, duke thënë se nuk u bë ushtare e kazermës.
“Unë hyra në politikë me gradën gjeneral, aty do duhet të jenë ushtarë të cilët futen në kazermë dhe nuk i diskutojnë vendimet e kryetarit dhe kryesisë dhe ua imponojnë vendimet e grupit ku veprojnë”, tha Açka.