Nga Ben Andoni
Partia Demokratike në këto ditë përballet me një grupim, që po mëton ndryshimin demokratik të saj, duke shfrytëzuar mekanizmat statuorë dhe nga ana tjetër kryetarin e rivotuar Basha që ka filluar opozitën e mandatit të ri. Të dy grupet më shumë sesa ndarje kanë gjëra që i bashkojnë.
Dhe, ajo që i bashkon më së shumti është bindja pa rezerva ndaj Berishës e çatia e PD-së, e cila mendohet se është një strehë e përshtatshme për të dy palët. Ndërkohë pas fjalëve dhe citimeve të stërgjata, kërkimit të imazheve, një vëzhgues i qetë shikon realisht krizën e këtij formacioni politik, që ka filluar një linçim të anëtarëve të saj realë, krijesat e frymës së PD-së.
Duke filluar nga mandati i shkuar te kjo parti s’ka më vend për Ilir Rusmajlin, Besnik Mustafajn, Biberajn, por ka për njerëz ose personazhe anektodike në parlament. Trendi vijoi dhe në këtë mandat legjislativ duke e përkeqësuar keqazi përbërjen parlamentare. Këtë mandat parlamentar nuk ka ulëse për Eduart Islamin, Astrit Patozin, Majlinda Bregun, duke ia bërë rrugën malore PD-së, falë kapjes së madhe të kryetarit aktual të partisë dhe strukturave të saj.
Ndërkohë pala e të pakënaqurve, që vetëm anatemojnë, por që nuk kanë sensin e bashkimit qoftë edhe mesveti dhe kjo është parë hapur, më shumë vjellin vrer kundër paaftësisë së kryetarit të ri Basha, sesa kanë apo duan vizionin e ndryshimit real. Tek e fundit edhe ata janë pjesë e këtij regresi që e ka zhytur PD-në deri te ky nivel, që më sa duket nuk kalohet dot, sepse në këtë parti mungojnë vizionarët dhe ata që mund të thonë të vërtetën e dështimit në sy. Fjala e Berishës duket se ishte epigramatike për partinë, që e krijoi dhe po e mban peng po vetë: Nëse do mësohemi me humbjen atëherë kjo është tragjedi!
Po pse po mësohet PD-ja me humbjen, sepse duket se ky formacion nuk kupton më stadet politike dhe grupimet ku duhet të drejtohet. E kjo është vërtetë tragjedi.
Modeli i ndryshimit është i thjeshtë dhe këtë e bënë paradoksalisht disa komunistë dogmatikë më 1991. Dritëro Agolli, megjithë peshën e madhe të përgjegjësisë që kishte për ndihmën që i dha diktaturës në artet shqiptare, duke e shndërruar institucionin që drejtonte një mjet ndihës për të, pati kurajën t’u shprehte hapur kolegëve të tij komunistë se nuk mund të vazhdohej më në këtë rrugë. Dhe, tregoi vijat e kuqe, që nga Enver Hoxha e me radhë. Atëbotë, një akt i padëgjuar për komunistët dhe egërsinë e tyre. Një gjë të tillë e bëri dhe Dr. Moikom Zeqo, duke treguar paradokset e partisë dhe çfarë u duhej në të ardhmen, që të mos shuheshin.
Kuptohet se Sali Berisha nuk mund të jetë kurrë me peshën e Hoxhës, jo thjesht për kohëzgjatjen e qeverisjes por edhe për ideologjinë dhe forcën e besimit utopik që krijoi te njerëzit. Por, edhe në këto përmasa disfate, nga PD-ja nuk ka as ngacmimin më të vogël për t’i treguar atij të parit, që është shkaktari i katandisjes së PD-së në këtë gjendje. Nga të dy palët, ai vetëm sa përmendet, por askush nuk mund t’ia thotë të vërtetën në sy: Ik, ti je penguesi kryesor! Kjo e bën misionin e ndryshimit të PD-së të pamundur, qoftë nga kryetari Basha që është simbol i përçarjes por edhe nga masa e kundërshtarëve të tij, që para se të krijojnë frymën e re, duhet të ngjallin realisht atë që i mungon PD-së, që është ndarja përfundimtare me PD-në e Berishës dhe të tyre bashkë si edhe ngritja e një vizioni të ri.
Është pak e vështirë, por mësimi i Agollit dhe Zeqos është real. Paçka se PD-ja e sotme nuk është as në gjendjen e katarsisit të PPSH-së së 1991, për t’ia thënë të vërtetat e frikshme në sy vetëvetes. (Javanews)










