Nga Roland Qafoku
Sali Berisha njoftoi të premten nga Berati se këtë javë do caktojë datën e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike pa harruar të përsërisë edhe opsionin se ai do jetë kryetar i ri i PD. Ishte një lajm që u prit me shumë me ngazëllim nga mbështetësit e tij dhe me aq shumë frikë nga mbështetësit e Lulzim Bashës. Por prisni! Mbështetësve të vet Basha u dha zemër të shtunën duke treguar realisht se tashmë e ka vrarë për fare babain e vet politik. Ai deklaroi se Sali Berisha nuk ka asnjë mbifuqi mbi statutin e PD duke atikuluar prerë se nuk do ta thërras këtë kuvend si një institucion paralel. Por çfarë po ndodh realisht në Partinë Demokratike? Përse të dy palët duken të sigurta në ato që thonë dhe veprojnë? Përse Basha dhe Berisha po zbatojnë përkufizimin se lufta nis kur të dy palët janë të sigurta për fitoren? Ajo që vlen të thuhet hapur dhe qartë është se Partia Demokratike tashmë është me dy koka. Ose më saktë, PD-ja është me dy PD dhe me dy kryetarë: Lulzim Basha kryetari zyrtar që disponon kreditet juridike dhe tjetri Sali Berisha që ka mbështetësit e tij në bazë. Lulzim Basha që ka mbështetjen e shumicës së grupit parlamentar, vazhdon të ruajë linjën zyrtare të PD, por mbi të gjitha ka mbështetjen e ambasadës amerikane. Fjalët e mëposhtme të dala nga goja e Bashës ditën e shtunë tregojnë se kjo përplasje është pa kthim dhe fjalët e zgjedhura në adresë të Berishës janë ekstreme:
“Unë jam vetëm peng i Zotit dhe i askujt tjetër. Zotit i kam hyrë në hak, por Sali Berishës jo. Jam ulur shumë herë me të për një zgjidhje që e ndihmonte atë dhe nuk dëmtonte PD. Një person ka marrë një parti peng vetëm për interesa personale. Para 2 muajsh nuk kishte asnjë problem me mua, tani unë jam i keqi. Çfarë ka ndryshuar nga zgjedhjet e kaluara që ne patëm në parti përveç interesit personal të një individi që përpiqet të tërheqë një parti të tërë në greminë. Unë nuk i jam përgjigjur sepse nuk është stili im, rruga ime, por mbi të gjitha nuk i shërben vendit”.
Në fakt dy muaj më parë askush nuk kishte shans ta parashikonte që këtë deklaratë për Berishën ta bënte Lulzim Basha. Ujrat kanë rrjedhur me shpejtësi marramendëse në këtë kamp politik dhe të gjithë aty bëjnë llogari se më kë duhet të bëhen dhe cili mund të jetë fituesi. Përballë Lulzim Bashës qendron Sali Berisha që Bashën e cilëson ish-kryetari. Berisha vijon të mbetet sinonimi i historisë së Partisë Demokratike, ka me vete mbështetësit në bazë dhe “Foltorja” e tij është kthyer jo vetëm më një lëvizje për të larguar Bashën nga drejtimi i PD, por edhe në të vetmen lëvizje të opozitës me mbështetje të gjerë. Ndërkohë, mjafton të sjellim këtë deklaratë të Berishës për të kuptuar synimin e tij ndaj Bashës:
“Kemi një krizë të thellë, por do ta kapërcejmë të gjithë së bashku. Ky entuziazmi juaj është rikthimi i opozitës në vend dhe e vlerësoj jashtë mase. Lul Basha, peng-Basha më mirë të themi do jetë mirë të shkojë andej nga erdhi. Uroj të dorëzojë dhe mandatin dhe të shkojë nga erdhi”.
11 “FOLTORET” E BERISHËS
Sali Berisha jo vetëm e ka zotëruar aksionin “Foltore” por ka krijuar të vetmen frymë të opozitës që është brenda Partisë Demokratike. Që nga 16 shtatori që nisi turi në bazë me Tiranën e deri sot, ai ka zhvilluar 11 “Foltore” në qarqet përkatëse, duke përjashtuar vetëm Lezhën. Të martën pritet që Berisha të jetë në Kavajë dhe me gjasë aty do shënohet pika kulmore e të gjitha takimeve për shkak edhe se kjo është zona elektorale ku ai është zgjedhur deputet në karrierën e vete 31-vjeçare. Por edhe “Foltorja” ka problemet e saj. Përpos entiziasmit të pjesmarrëseve, pjesë e këtij aksioni duken më së shumti të rënët nga fiku që kërkojnë të hipin sërish në fik. Mungojnë figura të rëndësishme dhe historike të PD por edhe intelektualë, fjalë e të cilëve ka më shumë peshë se ata që ngrenë dolli live me raki dhe ata që George Washingtonin na e nxorën shqiptar. Është shumë interesante të bëjmë një analizë vetëm mbi bazën e ndjekësve në faqen e Sali Berishës në facebook për të kuptuar se çfarë ka sjellë ku aksion politik. Kjo është tabela e nxjerrë mbi bazën e të dhënave më të fundit që janë shënuar në videot e plota të takimeve të tij në këto 11 “Foltore”.
TË DHËNA TË FACEBOOK MBI TAKIMET E BERISHËS NË 11 “FOLTORE”
- Takimi i Tiranës, 7200 ndjekës, 4600 komente dhe 715 shpërndarje
- Takimi i Fierit, 8200 ndjekës, 4100 komente dhe 772 shpërndarje
- Takimi i Vlorës, 4900 ndjekës, 2300 komente dhe 532 shpërndarje
- Takimi i Durrësit, 4900 ndjekës, 2200 komente, 428 shpërndarje
- Takimi i Shkodrës, 5100 ndjekës, 2600 komente dhe 461 shpërndarje
- Takimi i Gjirokastrës, 3400 ndjekës, 1100 komente dhe 264 shpërndarje
- Takim i Elbasanit, 3800 ndjekës, 1500 komente dhe 481 shpërndarje
- Takimi i Kukësit, 6500 ndjrekës, 2900 komente, 529 shpërndarje
- Takimi i Dibrës, 3600 ndjekës, 1200 komente, 344 shpërndarje
- Takimi i Korçës, 4300 ndjekës, 1200 komente, 400 shpërndarje
- Takimi i Beratit, 2800 ndjekës, 110 komente, 417 shpërndarje
Nga këto së pari bie në sy një qendrueshmëri në numrin e atyre që ndjekin Berishën. Takimi me më shumë ndjekës rezulton ai i Fierit me 8200 ndjekës, 4100 komente dhe 772 shpërndarje. Takimi me më pak ndjekës rezulton ai i Gjirokastrës me 3400 ndjekës, 1100 komente dhe 264 shpërndarje. Këtu nuk po marrim të dhanë takimin e Berati, sepse normalisht duhet të kalojnë disa ditë që të marrë konfigurimin e plotë. Duhet thënë se një e dhënë tjetër është se ndjekësit, komentuesit dhe ata që kanë shpërndarë takimin në faqet e tyre kanë ardhur në rënie. Takimet kanë pësuar një rritje pothuajse dyfish në takimin e Kukësit me 6500 ndjekës, 2900 komente dhe 529 persona që kanë shpërndarë atë në faqen e tyrë, por përsëri rënia ka vijuar në takimin e radhës. Megjithatë, vetëm mbi bazën e të këtyre të dhënave rezulton se Berisha jo vetëm ka mbështetës, por ata që mbushin sallat e “Foltores” dhe që e ndjekin atë në facebook janë e vetmja frymë e organizuar e Partisë Demokratike në opozitë.
3 PROPOZIMET QË ZYRTARIZOJNË BASHËN KRYETAR TË PD
Më shumë se tre propozime për ndryshimet kushtetuese, me këtë lëvizje Lulzim Basha konfirmon vetën si kryetar zyrtar i Partisë Demokratike duke treguar se është ai opozita dhe askush tjetër. Dhe në fakt opozita parlamentare është në të vërtetë opozita zyrtare. PD është përpara një sprove tjetër në politikë të cilën e kanë kërkuar ndërkombëtarët. Zgjatja e afateve të institucioneve të vetingut është një domosdoshmëri për ecurinë e reformës në drejtësi të sponsorizuar nga SHBA. Për ta rritur këtë në kuvend duhen edhe votat e Partisë Demokratike. Basha e ka shfrytëzuar këtë për të bërë politikë personale si asnjëherë tjetër. Ai shpejt nxori nga mënga AS-in e tij, tre propozimet me anë të të cilave kërkon vetingun e politikanëve, ndarje të re territoriale dhe reformë të re zgjedhore. Me këtë kartë ai kërkon të tregojë besnikërinë ndaj SHBA, por ama të kërkojë prej tyre edhe mbështetjen prej tyre në betejën që ka me Sali Berishën. Jo më kot Berisha përmendi historinë me Bill Clinton, sipas të cilit, ai ka thënë se nuk mund të kalohet lumi dy herë në të njëjtat ujra. Berisha tha se jo vetëm e ka kaluar dy herë, por po përgatitet për të kaluar për herë të tretë. Por i trimëruar jo pak në këtë betejë Basha të shtunën sqaroi publikisht përsetë e tre propozimeve duke ehdhur poshtë aludimet për një marrëveshje me Edi Ramën:
“Nisma jonë nuk është e javës së kaluar është e vitit 2018. Në 2018 i gjithë grupi parlamentar i PD dhe e gjithë opozita kërkoi vettingun e politikanëve depozitoi edhe me firmën e Sali Berishës. Pas kësaj Edi Rama kërkoi dërgimin në Komisionin e Venecias, pranuan dhe Venecia solli një përgjigje që e përligjte. Kemi marrë të njëjtin propozim dhe kemi reflektuar kërkesat e Venecias. I qëndroj firmës sime të shtatorit 2018. Nëse dikush ka ndryshuar mendim kjo është çështje tjetër”.
KUVENDI I DY PD-VE
Juristët janë ndarë më dysh me formalitetet për mbledhjen ose jo të kuvendit të PD. Nga njëra anë kemi Berishën që pritet të njoftojë për ditën që do mblidhet ky Kuvend dhe nga ana tjetër që Lulzim Basha që vijon të mbështesë idenë e tij se ky është kuvend antiamerikan dhe nuk do ta thërrasë kurrë atë. Duke marrë të mirëqenë atë që tha Berisha, mbështetur në statut, që duhet të njoftohet një muaj para, i bie se ai pritet të mbahet në fillim të dhjetorit që përkon edhe me themelimin e Partisë Demokratike më 12 dhjetor 1990. Në Nenin 43 të statutit shkruan fjalë për fjalë:
“Kuvendi Kombëtar mblidhet si rregull çdo katër vjet. Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e PDSH-së, me propozim të Kryetarit të PDSH-së. Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH-së ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar”.
Duket se mbështetësit e Berishës i kanë mbledhur tashmë një të katërtat e anëtarëve të Kuvedit Kombëtar. Por ngërçi dukets e fillon më pas në statut ku shkurhet:
“Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të Punimeve të tij, me propozimin e Kryetarit të Partisë”.
Fraza “me prozimin e kryetarit të Partisë” e hedh poshtë atë që thotë Berisha dhe mbëshetësit e tij. Kjo duket pengesa kryesore. Jo më kot Basha të shtunën tha se nuk do mbledhë një institucion paralel. Por sipas mbështetësve të Berishës kjo pengesë kapërcehet me rendin e ditës të Kuvendit pasi ai të jetë mbledhur, në të cilën pritet të votohen ndryshime në statut. Në statut më tej shkruhet:
“Kuvendi Kombëtar ka kompetencë për: a) miratimin e Statutit të PDSH dhe ndryshimin e tij”.
Këtu mbështetësit e Berishës mund të bëjnë ndryshime në statut te pika për raste kur kryeatri i PD mund të largohet nga detyra. Por nëse nuk arrihet kjo atëherë do kemi një PD me drejtues Berishën dhe një PD me drejtues Bashën. Dhe vijimi i kësaj përplasje do jetë në gjykatë. Por çdo ndodhë në gjykatë? Nëse kjo ndodh, për PD do jetë jo më një periudhë dhe kohë tjetër, por një epokë tjetër.
PD-JA NË DORËN E GJYKATËS
Ky do ishte një skenar shumë i keq i të ardhmes së Partisë Demokratike por që praktikisht është nga më të mundshmit. Përplasja juridike mes Berishës dhe Bashës për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar mund ta çojë cështjen në një përplasje juridike me pasoja të rënda. Kur as Berisha e as Basha nuk hapin rrugë, gjykata mbetet i vetmi opsion. Ky pritet të jetë momenti i ndarjes finale: Në PD të Bashës dhe në PD të Berishës. Kalvari që mund ta shoqërojë këtë histori por edhe ndarja “de facto” e anëtarësisë do ishte vërtetë një katastrofë për këtë parti.
NJË PAJTIM I MADH BERISHA-BASHA?!
Por ka edhe një opsion që në pamje të parë duket utopik. Në horizont në Partinë Demokratike ka dalë edhe teoria tjetër e pajtimit mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Ideatorët duken sikur janë ata që ende nuk janë pozicionuar por edhe të tjerë që e shikojnë PD më shumë se sa interes të ngushtë. Disa syresh kanë nisur edhe lëvizjet e tyre. Duket pothuajse joreale një gjë e tillë por është një opsion që vërtetë duhet marrë në konsideratë. A mund të ndodhë? Nuk përjashtohet për hir të interesave të dy palëve por edhe të shmangies së çarjes së madhe të PD. Pengesë e madhe sigurisht është SHBA që ka në dorë jo vetëm vendimin për shpalljen non grata të Berishës por edhe marrëdhëniet direkte mes Bashës dhe Berishës. PD vërtetë është në prag të çarjes së madhe. Të asaj PD-je që një ditë mund të jetë vërtetë me dy kryetarë, njëri zyrtar dhe më vulë në xhep dhe një jozyrtar por që mund të jetë zgjedhur nga Kuvendi. Vërtetë PD është në momentin e saj më të vështirë që nga dhjetori i vitit 1990 kur u themelua.