Enkelejd Alibeaj, nga “Djathtas 1912”, ka sqaruar arsyet pse nuk mori pjesë në protestën e thirrur nga Sali Berisha të shtunën, duke e cilësuar atë jo si protestë qytetare, por si një miting të pastër partiak. I ftuar në emisionin “Off the Record” Alibeaj u shpreh se aktiviteti tregoi një element të qartë: Partia Demokratike mbetet një forcë e madhe financiare.
Sipas tij, protesta ishte e pabesueshme politikisht, pasi dy ditë më parë e njëjta forcë politike kishte votuar bashkë me mazhorancën për disa vendime kyçe, përfshirë reformën zgjedhore dhe përfaqësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes. “Si mund të kërkosh rrëzimin e kryeministrit kur pak ditë më parë ke votuar bashkë me të?”, pyeti Alibeaj.
Ai ironizoi premtimet e përsëritura të opozitës për “kilometrin e fundit” të Ramës, duke thënë se sipas këtyre premtimeve, kryeministri “ka rënë” disa herë që prej vitit 2022. Alibeaj theksoi se protestat masive nuk e rrëzojnë qeverinë dhe se kjo e fundit nuk pati as impakt publik, as ndërkombëtar.
Sipas tij, protesta shërbeu më shumë për të konsoliduar autoritetin e Berishës brenda PD-së dhe për të neutralizuar lëvizjet e brendshme kritike.











