Pasi grupi parlamentar i Partisë Demokratike tha se vendimi i anulimit të seancës së sotme plenare ishte antikushtetuese, ka reaguar kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.
“Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës”, lexohet në reagimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e Kryetares së Kuvendit.
Reagim nga zyra e shtypit e Kryetares së Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.
Kryetarja e Kuvendit e fton Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe posaçërisht autorin e goditjes me këmbë karrigeje, si edhe të kësaj komunikate goditëse me gjuhën e shpifjes, të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre.
Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional.
/a.r