Taulant Balla ka postuar në faqen e tij në Facebook një foto të Sali Berishës më 17 dhjetor 2010 në një takim me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Dumës Shtetërore Ruse Kontantin Kosachev.
Lidhur me këtë ngjarje, juristi Kreshnik Spahiu tha në Euronews Albania se Berisha mund të ketë pasur ndonjë përfitim duke qenë se dhe data e publikuar nga Balla përkon me 37 ditë para votimit në Strasburg të Rezolutës së Këshillit të Europës.
Si dhe sa e shiti Sali Berisha votën dhe heshtjen e Qeverisë shqiptare asokohe ndaj kësaj Rezolute? Kjo ishte pyetja që ngriti Balla.
Ndërkohë, Spahiu u shpreh se Berisha ka një mundësi që nëse këto nuk janë të vërteta të dalë dhe të thotë që nuk është takuar me të dërguarin e Putin dhe të arsyetojë pse Shqipëria votoi pro projektit të Dick Marty-t.
“Ata të cilët e ndjekin pas Berishën nuk përfaqësojnë një kauz patriotike. Partia Demokratike nuk është një parti që në programin e saj në 32 vite të ketë pasur një platformë patriotike,” – tha Spahiu i cili shtoi se as PS-ja nuk ofron asnjë pikë në platformën e saj ku tregohet interesi për bashkimin kombëtar.
Konstantin Kosachev ishte iniciuesi i mocionit për rezolutë, prej ku më pas u hartua një raport e në fund Rezoluta 1782 (2011) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (“APKiE”) për “hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”./m.j











