Deputetja demokrate Albana Vokshi tha sot se skandalet korruptive në shendetësi, në sektorin më jetik në vend po thellohen. Sipas saj, dosja e vjedhjeve dhe abuzimeve po zmadhohet çdo ditë, sipas skemës që ka ngritur kryeministri Edi Rama me ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj.
“Kompani nën hetim me pronarë të arrestuar për skandalin e faturave fiktive fitojnë edhe sot tendera me firmën e Ilir Beqajt.Marrin miliona nga paratë që duhej të shkonin për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve shqiptarë, që duhet të shkonin për të sëmurët kronikë, pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, gratë e fëmijët. Siç e shikoni, buletini i djeshëm i APP tregon që Beqaj i ka dhënë Omegafarmës, pronari i të cilës është nën arrest dhe hetohet për korrupsion e abuzim, 3 tendera: në Spitalin e Vlorës, Gjirokastrës dhe Durrësit, në vlerën totale 310 milionë lekë. Këto tendera i shtohen atyre që Omegafarma mori para disa ditësh. Në buletinin e APP dt 2 nëntor 2015, del se Ministri jo vetëm i dha disa tendera Omegës, (fq 110 – 112), por nxitoi të lidhte edhe kontratën duke i çuar mesazhin pronarit që ai do ta mbronte deri në fund, në këmbim të heshtjes së tij. Dhe këto tendera ndjekin dhjetra të tjerë që Omega ka marrë këto dy vite me firmën e Beqës” – tha Vokshi.
Ajo kujtoi se Omegafarma është akuzuar dhe është nën hetim për abuzim masiv me faturat fiktive. Prokuroria deri tani ka vlerësuar që dëmi i shkaktuar nga kjo kompani vetëm për një ilaç: Ketosterili, shkon mbi 2,2 mln euro.
“Ndaj Beqaj po vazhdon ti japë tendera Omegafarmës, pasi kërkon të blejë me paratë e qytetarëve shqiptarë, heshtjen e pronarit në burg. Nëse Nadiri flet, ska magjistar ta shpëtojë Beqën nga burgu. Kështu, Beqa po vazhdon ti japë tendera e miliona Nadirit, që të mos bëhet shok qelie me të. Ministri Beqaj është në hall të madh pasi ka qenë në dijeni që ditën e parë për të gjithë skandalin e insulinave, ketosterilit dhe ilaçeve të tjera të shtrenjta” – tha deputetja demokrate.









