PD: Antimafia italiane në alarm për drogën shqiptare, Rama krekoset me Tahirin
Partia Demokratike ka sulmuar sërish sot ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Duke marrë shkak nga një deklaratë e prokuroritë të antimafias së Lecces, deputeti demokrat Keltis Kruja deklaroi antimafia italiane është në alarm për drogën shqiptare, ndërsa Rama krekoset me Tahirin.
“Është normale që të shqetësohen autoritetet e vendit fqinj për trafikun e drogës, kur bandat e narkotrafikut përdorin makinën personale të Saimir Tahirit, gezojnë imunitet të plotë dhe nuk preken dot nga policia. Sigurisht që trafiku i drogës drejt Italisë do të vazhdojë kur të afërmit e ministrit, një grup kriminal i mbajtur nën vëzhgim, të njohur si kontigjentë, përdorin edhe makinën e ministrit, edhe skafin e tij. Edi Rama mund të vazhdojë me propagandën e tij, mund të vazhdojë të jetë krenar me Saimirin e targës AA003GB, por e vërteta që dinë autoritetet italiane është ndryshe, është tronditëse”, tha Kruja.
Në fund, deputeti demokrat kërkoi edhe largimin nga detyra të ministrit Tahiri.









