Nga Armando Meta/
Në maj të vitit 2016 Basha ndërmori hapin për të realizuar zgjedhjet brenda PD-së në 35 degët e kësaj partie. Procesi parashikohej të mbyllej në qershor të 2016. Më pas u shty për në shtator. Ende pas një viti kur nxori dhe udhëzimin ky proces ende nuk është finalizuar. Kjo për faktin se mjaft krerë të degëve të PD-së, të seksioneve dhe të grup seksioneve, përfshirë anëtarësinë dhe përfaqësues të tjerë në nivel lokal, refuzuan zbatimin e udhëzimit. Sipas tyre, udhëzimi ishte i paligjshëm dhe në shkelje flagrante me statutin e partis. Basha refuzoi të bisedonte me krerët në rrethe për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për procesin e riorganizimit të partisë, duke i komplikuar në këtë mënyrë më shumë gjërat. As grupet e punës në terren nuk mundën të sheshonin mosmarrëveshjet. Procesi njohu vështërsi serioze në degën e Vlorës, Pogradecit, Durrësit, Dibrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës etj., që janë edhe degë me peshë elektorale. Degët më problematike ku ka dhe më shumë mandate në rang qarku janë ato të Vlorës, Durrësit, degë e cila vijon ende të mos ketë një kryetar dhe drejtohet me të deleguar nga Tirana. Nga ana tjetër në vendnumëro mbeti edhe procesi i verifikimit të anëtarësisë për të eliminuar anëtarët fiktivë. Bllokimi i procesit pamundësoi përcaktimin e kandidaturave për organet drejtuese të PD, kandidatë, të cilët duhet të propozoheshin nga seksionet dhe grupseksionet. Siç vihet re duket se më shumë ka një çorganizim të organizuar.
4 vite me sytë nga Meta
Vetëm dy ditë më parë kryetari i PD Lulzim Basha, kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit me 100 ditë, duke e justifikuar këtë me një mandat që do i jepet qeverisë teknike që për 100 ditë, sipas logjikës së tij, do të shembë 25 vite republikë të vjetër në emër të republikës së re. Përtej këtij deklamimi aspak impresionues, pasi Basha është vetë pjesë e republikës së vjetër prej 12 vitesh, arkitekt i së cilës është ish- kryetari i tij Berisha, kërkesa për shtyrjen e zgjedhjeve me 100 ditë, në emër të qeverisë teknike, përpiqet të fsheh një situatë tejet problematike që ka të bëjë me organizimin strukturor të PD-së. Thënë thjeshtë, PD, organizativisht është thuajse tërësisht e papërgatitur të ketë sukses në zgjedhje. Mjaft degë të saj janë të përfshira prej kohësh në debate lidhur me procesin e riorganzimit të degëve që nisi në pranverën e vitit që kaloi dhe që ende pas një viti nuk ka përfunduar. Në disa prej degëve kryesore të PD-së në rrethe vijojnë polemikat mbi ndryshimin e kryetarëve pa u përfunduar mandati si të zgjedhur, vetëm me një udhëzim që nxori Basha. Këto polemika krijuan jo pak fraktura brenda për brenda degëve të PD-së, të cilat vinin edhe pas një humbje katastrofale që u la në derë ish- kryetari i tyre Berisha gjatë zgjedhjeve të 2013. E si për ti përkeqësuar edhe më tej gjërat, e gjithë ecejakja e Bashës gjatë këtyre viteve në krye të PD-së, më shumë ka qenë me sytë nga dritarja e Ilir Metës sesa për të parë se ç’bëhet brenda oborrit të tij. Për 4 vite s’bëri thuajse asgjë, me përjashtim të atij udhëzimi për rizgjedhjen e kryetarëve të degëve të PD-së. Befas në shkurt kuptoi se në qershor janë zgjedhjet dhe nuk është kurkundi me skemën organizative të PD. Si për të mbuluar katër vite duke u marrë me cicimicet politike të ditës, Basha kërkon edhe shtyrje të zgjedhjeve deri sa ai të përgatitet për të hyrë në zgjedhje. E si për mbuluar gjithë këtë problematikë gjërave përpiqet tu vejë kapak duke ngrehur një cadër në mes të Bulevardit.
“Ta shtymë si ta shtymë”
Nisur nga kjo panoramë duket qartazi se dhe kërkesa për të shtyrë zgjedhjet me 100 ditë, merr në vlerësim situatën e brendëshme organizative të PD-së, e cila për momentin paraqitet problematike. Nga ana tjetër edhe kryetarët e degëve paraqiten tejet konfuz pasi në mëngjes zgjohen se zgjedhjet do të bojkotohen nga PD ndërsa në mbrëmje dëgjojnë se PD nuk do ti bojkotojë. Kjo ka sjellë edhe një paralizë, gjë e cila reflektohet edhe në skemën organizative të ësaj partie e cila vijon të endet në ujra të turbullta. Në këto kushte duket se PD për momentin është tërësisht e papërgatitur të jetë suksesive në zgjedhje dhe qartazi kërkesa për shtyrje të zgjedhjeve duket se është më shumë “ta shtymë si ta shtymë”.