Në Prishtinë erdhi për katër ditë. Por, kjo mjaftoi për të që të mësojë shumë për Kosovën. Si zakonisht ishte kafja që e lidhi atë me Prishtinën duke thënë që ajo e bëri të dashurohet në kryeqytetin kosovar. Paul Haggis ndahet nga Prishtina dhe Pri Film Fest me përshtypjen më të mirë të mundshme.
Ai është fituesi i vetëm i dy çmimeve Oskar, me dy filma të ndryshëm, e veçantë kjo në histori të Akademisë së Filmit në Hollyëood. Këto dy çmime ai i arriti me filmin me mesazhe të forta politike “Crash” dhe “Milion dollar Baby”. Por asnjërin se ka bërë me mendimin se do të fitojë Oskar.
Para se të kthehej për në Amerikë, ai u nderua me çmimin special të jurisë se Pri Film Fest, dhe për këtë ishte absolutisht mirënjohës, saqë emocionet e mbërthyen në skenë.
Paul Haggis, skenarist dhe producent, fitues i dy Oskarëve, në një intervistë për Gazetën Express tregon për atë se çka i la përshtypje Kosova. I lartëson aktorët, regjisorët dhe skenaristët kosovarë duke i quajtur ata artistë të mëdhenj dhe i bën thirrje qeverisë që të rrit përkrahjen për artistë.
Mund të jetë një pyetje klishe, por cilët janë përshtypjet e juaja të para për Kosovën?
Haggis: Përshtypja e parë është; kafenë e keni të mrekullueshme. (hahahaha) Jam duke u kënaqur më përvojën këtu dhe jam i lumtur që kam ardhur dhe kam vizituar këtë vend dhe shumë shpejt kam bërë kaq shumë miq. Dua ti falënderoi për ftesën Vjosën dhe Fatosin në këtë festival. Ata janë producentë të mrekullueshëm. Ndihem komod, e që zakonisht nuk ndihem në qytetet e tjera, që i kam vizituar, që po ashtu janë të mrekullueshëm por që nuk jam ndier kaq komod. Ndihem mirë dhe ende nuk e di pse! Ndoshta pse jam i rrethuar me artistë të shumtë që po më bëjnë të ndihem i këtillë.
Çfarë keni apo jeni duke punuar momentalisht?
Haggis: Po, e kam përfunduar një skenar pak para se të vijë këtu dhe jam në proces të montazhes së një filmi në Neë York. Filmi që është duke u bërë tani është një dokumentar që flet për SIDA’n në San Francisko më 1981. Është një tregim shumë i mirë dhe i fuqishëm dhe besojë që do të jepet premierë vitin e ardhshëm. Pritet që më të, të marrim pjesë në disa festivale. Po ashtu jam duke e bashkëshkruar edhe një skenar tjetër me një producentë në Berlin. Vazhdoi të shkruaj. Jam duke punuar edhe në një skenar për një film që do të xhirohet në Kanada.
Çfarë është duke ju frymëzuar më se shumti deri me tani në Kosovë dhe a jeni duke menduar të shkruani edhe një skenar për Kosovën?
Haggis: Deri me tani jam duke marrë frymëzim vetëm nga njerëzit. Jam këtu që tri ditë dhe ajo që duket e rëndësishme për mua është se njerëzit këtu kanë mendime të ndryshme. E ky është ajo që po me intrigon, bashkëbisedimi me artistë, idetë e tyre që janë më të vërtetë shumë intriguese. Të shohim në të ardhmen.
A di të jetë ndonjëherë Hollyëoodi vet-kritik?
Haggis: Amerika nuk është aq e mirë për ta kritikuar vetveten. Amerikanët besojnë se janë vendi më i bukur në botë dhe të tjerët duhet të pajtohem. Por, duhet pranuar se viteve të fundit ka pasur filma shumë të mirë. Moonlight, është njëri prej tyre që e fitojë për filmin më të mirë sivjet në Oskar, i cili film ngrit shumë pyetje për atë kush jemi, çka po bëjmë dhe ku po shkojmë. Ka shumë filma të bukur. Ndoshta janë filma që nuk përkrahen nga studiot e njohur, por studiot janë biznese, ato duan vetëm të fitojnë para, të bëjnë kooproduksione. Pra qëllimi i tyre është që jo vetëm të bëjnë filma të mirë por edhe të fitojnë para.
Ju keni fituar Oskar të dyfishtë me dy filma të ndryshëm në vitin 2004. A mendoni se do të mund ta ripërsëritni këtë sukses?
Haggis: Nuk i bëj filmat që të fitojë Oskar. Nuk i bëj filmat për të fituar çmime, i bëj ata për të trajtuar diçka të veçantë, një gjë që është e veçantë dhe që shpresoj që do të këtë publikë. Ka filma shumë të bukur siç i kam parë këtu disa të këtillë, e që janë të mrekullueshëm. Ajo që duhet ta këtë parasysh çdo artistë është që ta duam punën që e bëjmë dhe po ashtu të jemi edhe kritikë ndaj punës sonë. Crash nuk është filmi më i mirë në botë, është një film që pati ndikim dhe mua më pëlqen kur filmi ka ndikim dhe jam krenar kur ka ndikim. A do ta kisha bërë më mirë – absolutisht se po.
Cili është mendimi i juaj për filmat me buxhet të ulët – ashtu sikurse i bëjnë shumica e producentëve në Ballkan?
Haggis: Më pëlqejnë filmat me buxhetin të vogël. Kjo nuk do të thotë që ata të mos jenë të pavarur. Pra, duhet përkrahur zërat e pavarur për të bërë filma të pavarur, pasi që kështu zbuloni tregime të ndryshme. Por, nëse e bën një film aksion me buxhet të vogël atëherë mund të dështoni. Kohëve të fundit ka shumë filma të pavarur me buxhet të ulët që po fitojnë edhe Oskar por që janë artistikë. Pra, nëse filmbërësit këtu do ta kishin përkrahjen do të thotë që mund ta bëjnë të njëjtën dhe deri me tani e kanë bërë këtë edhe në të kaluarën. Pra nuk duhet nënçmuar ndikimin e tyre për shkak të buxhetit.
E ke parë filmin “Shok”…
Haggis: Nuk e kam parë ende por do ta shoh. Vitin e kaluar kam dashur shumë ta shoh por isha shumë i zënë. Këtë vit do ta shikojë.
Cili është mendimi i juaj për artistët që keni takuar këtu?
Haggis: Kam takuar shumë aktorë, shumë skenarist, regjisorë që besojë do të jenë zëri i Kosovës në të ardhmen.
Do të punonit me ta?
Haggis: Do të dëshiroja që të punoja më ta në të ardhmen, absolutisht që po. Por, ajo që dua të them është se ju keni artistë shumë të mirë këtu. Njerëzit që kam takuar, artistët që kam takuar janë të mrekullueshëm dhe kanë klasë botëror. Ata janë regjisorë, skenaristë dhe aktorë të mrekullueshëm me potencial të madh. Ajo çka sugjeroi unë është që ata të kenë më shumë mbështetje qeveritare. Arti këtu, teatri – dhe nuk po them që ata nuk përkrahin, e bëjnë – por duhet më shumë. Sepse arti është ai që ju jep identitet dhe artistët e bëjnë këtë punë më së miri. E di që shumë mendojnë që arti është humbje kohë. Jo Jo, arti i inspiron njerëzit. Një film në kinema na bën të qajmë edhe në kohëra të vështirë, të qeshim dhe të mësojmë. Andaj pa ndihmë nga Qeveria artistët nuk mund ta bëjnë këtë gjë, nuk mund të bëjnë filma të shkurtër, nuk mund të fitojnë çmime, Oskar apo si e fituat Baftan këtë vit, por absolutisht nuk duhet të bëhen filma që në ta ka ndikim politika, pra duhet të kemi filma të pavarur. (Gazeta Express). (b.an)