Deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi, duke folur nga foltorja e Kuvendit, i cilësoi mediat në Shqipëri të shantazhuara dhe të blera nga qeveria.
Sipas Patozit mediat nuk po publikojnë lajmet që kanë të bëjnë me akuza ndaj qeverisë, duke shtuar se liria e shtypit është në gjendje të kritike.
“Ky vend ka problem me informacionin e thjeshtë. E kemi bërë zakon që në fushata zgjidhin jo vetëm thesin e premtimeve por dhe atë të akuzave për njëri tjetrin. I kemi mësuar edhe njerëzit me këtë ushqim të sakduar. Çfarë kemi të re kësaj radhe, megjithëse jemi në kulmin fushatës shumica e mediave e mbyllin një sy kur u kalon një lajm kundër mazhorancës. Edhe një teshtimë kundër opozitës publikohet kudo. Mund të ketë plot këtu në sallë që të më mbylli gojën se kush jam unë që i jepkam direktiva shtypit por ne këtu të gjithë e dimë që është kështu siç them unë. Si ka mundësi që shumica e mediave mbyllin ekranet e tyre kur ka ndonjë lajm kundër qeverisë? Shtypi në Shqipëri është herë i shantazhuar, herë i blerë. Shtypi nuk ka pasur dhe nuk do ketë kurrë frikë nga politikanët.” u shpreh Patozi.
Por në reagimin e saj, deputetja e PS Arta Dade nga foltorja e Kuvendit kritikoi opozitën. Sipas Dades, PD ka humbur rrugën dhe nuk ‘ngrihet’ nga humbja në zgjedhjet e 23 qershorit.









