Astrit Patozi, kreu i Bindjes Demokratike në një intervistë për gazetën “Fjala” tha se pres saj nga zgjedhjet e 25 prillit 2021 do të dalin më shumë deputetë nga çfarë mendohet.
Sipas tij, puna që po bëhet në terren, por edhe përzgjedhja e njerëzve për kandidatë, do ta bëjnë këtë forcë politike të jetë e treta në renditje sa i takon numrit të deputetëve. Patozi tha se është duke kontaktuar me deputetë e ish-deputetë dhe personazhe të jetës publike në vend për të garuar nën siglën e BD.
“Ne e konsiderojmë veten të gatshëm për të bërë një betejë elektorale dinjitoze, ku me shumë gjasa do korrim një rezultat të kënaqshëm dhe do realizojmë objektivin tonë për të qenë një forcë përcaktuese qeverisëse, pas zgjedhjeve të 25 prillit”, u shpreh Patozi gjatë intervistës. Edhe pse do të vendosin forumet e kësaj partie, Patozi tha se me shumë mundësi ai do të kandidojë në Tiranë.
-Keni gati dy vjet që keni krijuar Bindjen Demokratike. Si po ecën partia juaj, prej nga koha që u ngrit e deri më sot që po flasim?
Ne kemi qenë të qartë që në fillim se kjo nuk do të ishte një sipërmarrje e lehtë. E dinim se na priste një e përpjetë dhe nuk jemi çuditur aspak që e tillë ka rezultuar. Rreth një vit e gjysëm nga krijimi i forcës sonë politike, mund të themi se jemi shumë të kënaqur me ecurinë tonë, sidomos përmbështetjen e shtuar dhe zgjerimin e Bindjes Demokratike.
Ne tashmë e konsiderojmë veten të gatshëm për të bërë një betejë elektorale dinjitoze, ku me shumë gjasa do korrim një rezultat të kënaqshëm dhe do realizojmë objektivin tonë për të qenë një forcë përcaktuese qeverisëse, pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Ka qenë një rrugëtim jo i lehtë, sidomos në hapat e para, kur ne u gjendëm nën një agresion të pazakontë dhe të pashembullt të forcave kryesore politike sidomos të Partisë Demokratike, por gjithësesi atë histori të shëmtuar tani e konsiderojmë një kapitull të mbyllur.
Vjet ne u futëm për herë të parë në zgjedhjet vendore nën trysninë e kohës dhe të partive të vjetra, të cilat bënë gjithçka mbi tokë për të na penguar. PD-ja duke bërë roje në qendrat e votimit për të kompleksuar votuesin e djathtë, ndëra Rilindja duke na rrëmber vota dhe mandate në tavolinën e numurimit. Dhe prej tyre arritëm një rezultat, për të cilin nuk ishim të kënaqur, por tek e fundit ai është një bazament i mirë për vazhdimin e projektit tonë politik në zgjedhjet e 25 prillit dhe përtej tyre. Sepse në vetëm 21 bashki, ku patëm kandidatë, ne arritëm të marrim rreth 35 mijë vota.
-Ju e keni krijuar këtë parti për të fituar, për të prishur punë apo për të humbur?
Nuk di të ketë ndonjë parti në botë, që krijohet për të humbur. Nga ana tjetër, ne nuk kemi as formimin, as eksperiencën, por as moshën për të krijuar gjëra që prishin punë.
Ky është një projekt politik, i cili është ndërtuar për t’i dhënë Shqipërisë një alternativë të ndryshme nga ç’kanë bërë tre dinosaurët e politikës, të cilët i kanë shkaktuar kaq shumë andralla, kriza dhe disfata vendit në këto 30 vjet.
Ne kemi lindur për të qenë një ofertë e ndryshme dhe e re për t’u dhënë qytetarëve shqiptarëve të lodhur nga PS,PD, LSI një mundësi tjetër. Për të gjithë ata që e refuzojnë këtë qeveri, që sipas nesh është e korruptuar, e paaftë, por njëkohësisht duke përjashtuar edhe opozitën e kompromentuar të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, që e konsiderojmë absolutisht shumë larg apo pothuajse jashtë fare misionit të vet. Pra, ne do të hyjmë në këto zgjedhje si një alternativë e tretë.
-Ju jeni i bindur se nuk do bëni asnjë koalicion as me PD, as me PS, as me LSI-në?
Ne jemi sot në fazën që edhe partitë e mëdha ende nuk kanë përcaktuar kush do jenë aleatët e tyre përpara zgjedhjeve dhe ju na pyesni ne çfarë do bëni pas zgjedhjeve. Nuk jemi në atë fazë. Nuk na shqetëson shumë se çfarë do bëjmë pas zgjedhjeve, sepse do jetë populli shqiptar që do vendosë piketat se kush do jetë në opozitë dhe kush në mazhorancë.
Tani për tani jemi të fokusuar se çfarë do bëjmë në këtë fushatë dhe çfarë rezultat do të marrim. Dhe ndryshe nga partitë e mëdha, që ende janë në dilemma të mëdha, ne jemi krejtësisht të qartë për atë që kemi përpara. Sepse kemi përcaktuar, si kundërshtarët politikë, po ato janë dy blloqet kryesore, PS, në qeveri, dhe PD-LSI, si opozitë e paaftë dhe e kompromentuar, ndërkohë që dimë se kush mund të jenë edhe partnerët e mundshëm.
Të cilat janë forca të ngjashme politike që nuk kërkojnë, as stanjacionin e Edi Ramës, por as vetëm rotacionin e Lulzim Bashës. Dhe në këtë pikë ne jemi krejtësisht në favor për të shkuar dhe për të arritur një rezultat të mirë dhe përcaktues në këto zgjedhje.
-Si është marrëdhënia juaj me Jozefina Topallin. Tashmë edhe ajo ka një lëvizje të re politike.
Marrëdhënia jonë është korrekte dhe miqësore, por mbi të gjitha parimore. Që do të thotë nuk ka shumë rëndësi raporti im personal me Jozefina Topallin, se sa vlerat apo parimet, që ne ndajmë së bashku dhe që ne na bashkojnë në një pikë. Dhe ky pikëtakim është ndryshimi, që do të thotë dalja e Shqipërisë nga nofullat e kryetarokracisë, ky 3-4 persona bëjnë edhe shiun edhe diellin.
Në këtë kontekst do ishte luks i madh që të mos bashkëpunosh me Jozefina Topallin dhe me këdo tjetër aktor të ngjashëm për t’i dhënë vendit një alternative të besueshme dhe, pse jo, për të bashkuar edhe fuqinë elektorale të gjithësecilit në funksion të Kodit Elektoral, i cili e favorizon kandidimin me një listë të përbashkët. Sepse forcat politike, të shpërndara secila më vete, sigurisht që i zvogëlojnë shanset njëra-tjetrës për të pasur një produkt pozitiv.
-Çfarë “thithjesh” keni ndërmend të bëni për ish-deputetët e PD apo ndonjë deputet tjetër të pakënaqur nga LSI, PD, PS?
Ne sigurisht, që kur kemi shpallur projektin politik, nuk kemi pasur parasysh çfarë bëjnë të tjerët. Ne kemi menduar se çfarë bëjmë ne. Çfarë ofrojmë ne dhe çfarë bëjmë ne ndryshe për vendin. Ky sigurisht është një projekt i cili nuk varet as nga humori, as nga sentimentet e të tjerëve, qofshin këto ish-demokratë, apo ish-socialistë, të djathtë apo të majtë.
Ajo që na intereson ne është të bashkohen njerëzit, që kërkojnë ndryshimin, të cilët e provojnë me gjeste dhe me akte se janë në këtë linjë. Dhe ne nuk kemi asnjë arsye që t’i paragjykojmë ata. Në këtë parti janë të mirëpritur të gjithë shqiptarët e lirë që duan ndryshimin.
-Për Dashamir Tahirin është përfolur që mund të bashkohët me partinë tuaj, çfarë jeni duke bërë?
Ne jemi ende në një fazë, kur nuk kemi përcaktuar ende kush do jenë kandidatët, sigurisht jemi në një proces seleksionues. Ritheksoj se janë të mirëpritur të gjithë shqiptarët që duan të bëjnë ndryshimin. Nuk dua të flas me emra të përveçëm, pasi ka shumë e shumë të tjerë, shumë personalitete të jetës publike, që ju do i shihni që do t’i bashkohen ditë pas dite listës së këtij koalicioni të mundshëm.
-Juve ku do kandidoni për deputet?
Që kur jemi krijuar, ne kemi shpallur si kauzë tonën rrëzimin e kryetarokracisë. Ndaj nuk më lejohet që unë të vendos pa u konsultuar me të tjerët, sepse ne duam që kryetarët e partisë në Shqipëri të mos jenë më sulltanë, sidomos si ai “sulltani”, që fiton zgjedhjet dhe bëhet kryeministër, i cili pastaj bëhet i padurueshëm.
Ndaj nuk ia lejoj vetes që të përcaktoj diçka pa e diskutuar me kolegët e mi drejtues te Bindjes Demokratike. E sigurt është që unë do kandidoj dhe më e natyrshme është që unë të jem në Tiranë. Kjo për shumë arsye, si për vendlindjen time, ashtu edhe për karrierën politike dhe aktivitetin publik, që kam pasur në këto 30 vjet, por kjo është gjithësesi diçka që do ta vendosin forumet e partisë.
-Pas 25 prillit, kush mendoni se do jetë sërish kryeministër? Për shkak dhe të nuhatjes suaj politike.
Ne nuk na intereson fare emri i kryeministrit, ne na intereson qeveria që do të vijë. Në rast se do varet nga votat tona do jetë një qeveri ndryshe nga kjo që është tani dhe nga të tjerat ndoshta përpara saj.
Do të thotë që ne mund ti bashkohemi një qeverie, vetëm me kushtet tona. Dhe kushtet tona kanë të bëjnë me parimet, që sipas nesh do të sjellin fillimin e rënies së kryetarokracisë në Shqipëri. Për këtë gjë ne e vëmë që tani dorën në zjarr. Ndërsa për gjërat që nuk kanë të bëjnë me ne dhe nuk janë në dorën tonë, sigurisht nuk mund të flasim shumë. Unë nuk iu caktoj dot partive të tjera kryetarin. Partia apo koalicioni më i madh, që do të dalë pas zgjedhjeve, e di vetë se kë ka udhëheqës..
Por një gjë mund ta them me siguri, që ajo qeveri me praninë tonë brenda, cilido qoftë emri i kryeministrit, do të jetë në të gjitha rastet më e përgjegjshme. Qëllimi ynë është kryesor në këto zgjedhje është që forcat politike të superkonsumuara të mos kenë dorë në fatin e Shqipërisë, sepse boll kanë qenë 30 vjet për të treguar se çfarë i kanë bërë këtij vendi dhe nuk ka nevojë që ky eksperiment të vazhdojë pafundësisht. Ndaj ne do bëjmë të gjitha përpjekjet që kjo kauzë të mbështetet dhe të funksionojë.
/a.r