Nga Plator Nesturi
Një histori ku një zyrtare nuk arrin të pastrojë paratë dhe pastruesja ia “fshin” komplet, ishte top ngjarja që shoqëroi ditë të tëra dhe që duket se do të shërbejë për një serial të plotë zhvillimesh të tjera rokamboleske. Kur në tubin e pastrimit gjenden një sasi shumë më tepër e madhe eurosh sesa denoncoi e dëmtuara, mbetet të shihet cili është kodi postar nga kanë flututuruar me aspirator si shumë. Dhe nuk janë pak, por 400 mijë euro pa destinacion banese. Gjithësesi, kjo nuk është ndonjë histori Robin Hudi. Sado që pastruesja e ka urryer punëdhënësen e pasur që qëllon të jetë zyrtare e lartë, ato para nuk kanë qenë vetëdrejtësi për tua shpërdarë të varfërve, pra shqiptarëve që zhvaten nga korrupsioni. Për ta bërë këtë, nuk pritet që kjo të jetë detyrë e pastuesve apo hidraulikut shbllokues, por e institucioneve që kanë detyrë pikërisht vënien përapara drejtësisë së gjithkujt që abuzon me detyrën dhe përthith të mira materiale në mënyrë korruptive.
Këto lloj ngjarjesh, ku pastruesja e fondeve dhe pastruesja që përlan çka është “përlarë” në formë të pandershme vihen në të njëjtin kandar në gjykimin e oponionit publik, mund të jenë rastësore, apo qoftë edhe anësore në rëndësi krahasuar me problematika të shumta të shoqërisë. Por në raste të veçanta, si ky i tanishmi, kur është në vëmendje pikërisht lufta kundër korrupsionit si një prerogativë e institucioneve të reja të drejtësisë, atëhere kjo ngjarje shndërrohet në një këmbanë alarmi. Pasi duhet bërë më shumë, më me shpejtësi dhe me përgjegjësinë për të shpëtuar shtetin nga këto tentakula të korrupsionit.
Nëse kjo detyrë i është ngarkuar SPAK është e natyrshme që prej tij të të ketë dy lloj trysnish. Trysnia e parë dhe që ndikon pozitivisht në favor të shoqërisë dhe është për të ecur në rrugën e hetimeve për të nxjerrë përgjegjësit dhe për të pastruar shtetin. Në të kundërt, trysnia që vjen nga të tremburit e çka është nisur, të veshur me pushtetin e politikës 30 vjeçare, natyrisht kërkojnë bllokimin dhe dështimin e gjithë kësaj reforme. Por këtu disa gjëra duhet të jenë më të qarta dhe më efikase. SPAK në vetvete duhet të ketë një strategji të qartë. Me të vërtetë themi korrupsioni është një e keqe që ka molepsur vendin, por ka rëndësi edhe se si do e luftojmë korrupsionin. Pra do luftojmë korrupsionin si korrupsion apo korrupsionin procedural. Shpesh herë tek ai korrupsioni procedural mund të kemi edhe zyrtarë të cilët nuk kanë përfituar asnjë gjë. Ndaj strategjitë vlejnë për qëllimin që duhet të shkohet në kokën e korrupsionit.
Pasi e gjithë kjo mënyrë ku goditja është pa strategji dhe shkohet vetëm aty se çfarë ka kapur rrjeta e parë, mund të sjellë edhe dëme kolaterale në funksionimin e shtetit. Kështu panikimi i administratës që mund të frikësohet se çdo inisiativë që mund të jetë vlefshme , mund ti kthehet në boomerang hetimesh pikërisht se klima favorizon dyshimin, do e bëjë një administratë që i bën bisht punës dhe rrit pasivitetin. Nëse pa bërë gjë stë hyn asnjë gjëmb, me këtë logjikë thjesht do paralizojmë punën dhe efektshmërinë e administratës. Ndaj një strategji më e mirë e SPAK për hetime që demotivojnë korrupsionin por që motivojnë punën, do të sihte më efektiv se titujt e çartur mediatikë për efekt të retorikës politike. Por në këtë betejë me korrupsionin dhe abuzimin e pushtetit, është e pamundur që kjo detyrë ti varet në qaftë vetëm SPAK. Ngjarja e mësipërme është një kambanë alarmi edhe për sistemin që kemi ne. Ka nevojë për rregullatorë të rinj që ti përgjigjen më mirë situatës së krijuar. Kjo mazhorancë e ka vullnetin për ta luftuar korrupsionin, por jo gjithmonë mjetet kanë qenë efikase. Nuk ka shqiptar që nuk e di që KLSH në vetvete, ndonëse me ligj i lihet gjithmonë në dorë opozitës, është një gjobaxhi, përfitues i korrupsionit dhe jo për ta luftuar atë. Në këtë sens, kur dhe vullneti politik është tregues jo vetëm i përgjegjësisë por dhe i angazhimeve direkte, skema e kontrollit të brendshëm ndoshta duhet ndryshuar.
Kështu , një KLSH që nuk mund të jetë garantues kundër korrupsionit do të kërkojë një fuqizim dhe ristrukturim që auditi i brendshëm të varet nga Kryeministria, jo jetë siç është në varësi të ministrive të veçanta që kontrollojnë vetveten. Po ashtu një sërë drejtorish të rëndësishme duhet të jenë në varësi nga kryeministria dhe si garantë të objektivave dhe funksionalitetit të detyrave që qeveria i ka përcaktuar ministrive të veçanta. Është e panatyrshme që me ndërrimin e çdo ministry të ndërrohet gjithë zinzhiri komandues i institucionit, çka duket sikur drejtuesit janë në funksion të titullarit që i emëron dhe jo në funksion të shtetit dhe të objektivave qeverisëse. Lista se çfarë mund të ndryshojë mund të jetë e gjatë, por për këtë le të gjykohet nga ata që e kanë për detyrë këtë gjë. Ajo çka vlen të përcjellim është fakti se këto ngjarje thjesht e avancojnë idenë se ndryshimet dhe aksioni politik kanë vlerë të jetësohen në funksion të zhvillimit, përballimit të situatave por dhe mirëfunksionimit të shtetit.