Prokuroria Durrës i konfiskon pasuritë dhe kërkon 6 vjet burg për shtetasin Italian Ferdinando Muollo, për Veprën Penale “Pastrimi i Produkteve të Veprës Penale ose Veprimtarisë Kriminale”.
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka dëguar për gjykim në kuadër të procedimit penal nr.831/2018 në ngarkim të të pandehurit: Ferdinando Muollo, me shtetësi Italiane, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i Produkteve të Veprës Penale ose Veprimtarisë Kriminale” të parashikuar nga neni 287/1 germa “d” e K. Penal.
Gjatë gjykimit, rezultoi plotësisht e provuar se i pandehuri F.M., e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Përsa i përket faktit të procedimit penal ndaj tij, organi procedues ka administruar nga ana e Autoriteteve të Drejtësisë Italiane të dhëna nga të cilat rezulton ndër të tjera se shtetasi italian F.M., me Vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Salerno, Itali, është deklaruar fajtor për veprat penale të parashikuara nga nenet 110, 575, 577 n.4 c.p e 7 D.L 13.05.1991 n.152 konvertuar me ndryshime në Ligjin më 12.07.1991 n.203 dhe dënuar përfundimisht me 12 vjet e 6 muaj burgim, vepra penale të cilat bëjnë fjalë për vrasjen e shtetasit S.R., duke konsideruar dhe ndryshimet në dispozitat e neneve 575 dhe 577 të kryera me Dekretin Ligj nr.152/1991 dhe nr.203/1991 të Autoriteteve kompetente në shtetin italian.
Në vijim, nga aktet e administruara të Letër Porosisë rezulton se i pandehuri F. M, përveç dënimit të sipërcituar, ka disa raste të tjera të proceduara dhe dënuar nga ana e Autoriteteve Italiane të Drejtësisë për krime më të lehta dhe të natyrës kryesisht financiare. Ky shtetas, rezulton të jetë i dënuar në vitet 1984, 1991 (dy herë), 1998, 2009, 2011, 2012, 2013 dhe 2014.
Duke pasur parasysh faktet e mësipërme, si dhe për një hetim sa më të plotë dhe objektiv është vendosur kryerja e një ekspertimi ekonomik.
I pandehuri F. M., në vite ka filluar të blejë pasuri të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë. Shuma e investimeve në total e të pandehurit F. M., në shtetin shqiptar, sipas Aktit të Ekspertimit Ekonomik të kryer gjatë gjykimit rezulton të jetë 217.709 euro.
I pandehuri F.M., paratë e përfituara nga veprimtaria kriminale i ka investuar në shtetin shqiptar duke blerë pasuri të paluajtshme. Për blerjen e këtyre pasurive ai nuk ka përdorur transaksionet bankare por ka përdorur lëvrimin Cash të tyre dhe qëllimi i tij ka qenë fshehja e origjinës së pasurisë (parave) të fituar në mënyrë të paligjshme, që më vonë pasuria e re e krijuar të duket e ligjshme.
Nisur nga sa më lart rezulton se i pandehuri F. M ka konsumuar elementët e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga neni 287 germa ”d” i K.Penal, d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Sa më sipër, bazuar në nenin 378/1 të K. Pr. Penale, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm ka kërkuar:
· Deklarimin fajtor të pandehurit F.M për veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga neni 287/1 germa ”d” të K.Penal dhe dënimin e tij me 6 vjet burgim.
· Në aplikim të nenit 36 të K. Penale konfiskimin e pasurive si më poshtë:
1. Pasuria, Sip.86,538 m2 apartament në Durrës (sip. Në bashkëpronësi është 11,495 m2 + 72.7141 m2 tarracë),;
2. Pasuria, Sip.69,9 m2 apartament në Durrës (sip. Në bashkëpronësi është 7,684 m2);
3. Pasuria, Sip.86,025 m2 apartament në Durrës;
4. Pasuria, 8518, Sip.80,05 m2 apartament në Durrës;
5. Pasuria, Sip.91,294 m2 apartament në Durrës;
6. Pasuria, Sip.13,525 m2 garazh në Durrës;
7. Pasuria, Sip.13,525 m2 garazh në Durrës;
8. Pasuria, Sip.32,33 m2 garazh në Durrës;
9. Pasuria, Sip.30,5 m2 garazh në Durrës;
10. Pasuria, Sip.15,25 m2 garazh në Durrës;
11. Pasuria, Sip.17,08 m2 garazh në Durrës;
12. Pasuria, Sip.285,22 m2 garazh në Durrës;
13. Automjetin tip Daimler Chrysler, Model ML 320 CDI, Durrës në pronësi të shtetasit F.M.
14. Shumës 389,67 euro në Llogarinë bankare në emër të F.M.
/f.stafa