Nga Ylli Pata
Ka shpërthyer një vlug i madh reaksioni pas bllokimit të negociatave të Shqipërisë në BE. Një zhvillim i ngjashëm po ndodh edhe në Maqedoninë e Veriut.
Ka reagime politike e analistike, qoftë edhe në formë hartimi, apo shfryrje nga më të ndryshëm, por në fakt pak po flasim për atë që ky bllokim do të sjellë pasojë dhe që duket se nuk do të jenë të pakta edhe të vogla.
Ndaj edhe faktorë të rëndësishëm politikë, duke nisur nga Kancelarja Merkel, por edhe kryeministri Italian Giusepe Conte po flasin për një rihapje të çështjes në nëntor duke i bërë presion Parisit që të rihapet edhe njëherë çështja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kostot e shtyrjes pafund të Ballkanit në BE do të ishin politike dhe natyrisht gjeopolitike dhe palët duket se janë përgatitur prej kohësh për plane rezervë dhe çështja, pa pasur nevojë për teori konspirative ka një historik të qartë pengesash dhe vonesash në këtë hapësirë, histori, që mund të shërbejë për të parë edhe më qartë gjërat.
Lëvizja e parë ka ardhur siç edhe pritej nga Moska. Putin ka dërguar njeriun më të rëndësishëm pas tij në Serbi. Kryeministri rus Medvedev nuk ka vonuar duke bërë të qartë objektivin edhe më të fuqizuar të Kremlinit në Ballkan.
Ndërkaq, media e Kremlinit, e cila publikohet në të gjitha gjuhët e botës, në edicionin e saj në serbisht, pra Sputnik, ka nisur një dossier të gjatë me 20 episode për atë që e quan: “Agresionin e NATO-s në Ballkan”.
Nuk ka asnjë përvjetor apo datë, ku një media do të mundet të marrë shkas për rimarrje të një teme, por duket qartë se ky devijim i axhendës së përditshme është shkak direkt i vendimit për të bllokuar negociatat e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në një kohë që Bosnja dhe Hercegovina është e përçarë dhe kreu prorus i Republika Srbska deklaroi në intervistën për Idro Seferin në Klan se kërkon bashkimin me Serbinë.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç foli hapur për atë që e quajti rënie e rolit të SHBA në botë, duke bërë të qartë synimin për armatosje të vendit të tij.
“ “Duhet të mendoni për radarët – për luftën elektronike dhe bllokimin, tani e tërë kjo zhvillohet në tjetër nivel. Përse po armatosen të gjithë në botë – s’ka më një polic në botë, dhe ka shumë lojtarë. Më mirë është të jesh një godzillë sesa një bambi”, tha Vuçiç. Një metaforë e qartë dhe e studiuar nëse i referohemi fabulës së Godzillës që u kthye në përbindësh nga mbetjet e përplasjes bërthamore.
Këto janë pasojat më akute dhe të shpejta, por natyrisht që me kalimin e kohës do të ndjehen zhvillime edhe më deprimuese, të cilat kanë një synim që të frenojnë apo kthejnë mbrapsht proceset demokratizuese por edhe pastruese të politikës në Ballkan.
Jo pa shkak është bërë i gjallë Nikolla Gruevski, njeriu që dirigjoi një përplasje civile deri në masakër brenda Parlamentit, i dënuar edhe zyrtarisht për korrupsion, por që ndodhet në ekzil në një vend të BE si Hungaria, aleati më i ngushtë i Vladimir Putinit në Europë.
Por natyrisht nuk po mungojnë as këto ditë, e nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen këto lëvizje edhe në Shqipëri.
Para pak ditësh një grup personash intelektualë afër ish-kryeministrit Sali Berisha, nisën diskutimet live për “të ardhmen europiane të Shqipërisë” e që natyrisht duket si një manovër për të provokuar reagim nga “poshtë”.
Enturazhi pranë opozitës ka gjetur një idhull të ri në postimet e tyre në rrjetet sociale për të ushqyer natyrisht kundërshtimin apo urrejtjen ndaj Edi Ramës.
Prej sharjeve të vazhdueshme për disa vite si “këlysh i Sorosit” që e quanin Emanuel Macronin sidomos në kohën e “Jelekëve të Verdhë”, sot ata e cilësojnë “hero” presidentin e Francës, a thua se ka marrë një vendim thjesht kundër Edi Ramës, kur në fakt ai vendim do të dëmtojë edhe një qeveri të PD-së nëse ajo fiton zgjedhjet.
Por duket se të gjithë këtu po përgatiten prej kohësh për “plan B”. Ardhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë Kosovë, një politikan i cili është konfrontuar hapur me Perëndimin natyrisht që edhe mund të shërbejë si katalizator për ngjizjen apo forcimin e rrymave që janë skeptikë ndaj Perëndimit.
Në fakt, shqiptarët si publik nuk janë aspak skeptikë ndaj Perëndimit që do të thotë SHBA dhe Bashkimi Europian, por ka grupime politike që janë të tilla apo janë konfrontuar me establishmentet zyrtare të Amerikës dhe Europës për të mbrojtur pozitat e tyre të lëkundura nga reformat e kërkuara nga Uashingtoni dhe Brukseli.
E mbani mend 2016-ën? Kush doli publikisht pro Nikolla Gruevskit në Tiranë? Sali Berisha, Ilir Meta dhe gazetarë pranë tyre, e madje u raportua edhe për takime të ndodhura në SHkup mes drejtuesve të disa portaleve në Tiranë e Prishtinë me njerëz të Gruevskit. Natyrisht përpara masakrës së 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë ku u rrahën Zaev e Zijadin Sela.
Megjitatë retorika e tyre është dhe do të jetë pro perëndimore por veprimet apo pasojat që sjellin veprimet e tyre janë në rrymë të kundërt me SHBA dhe BE; siç janë reforma në drejtësi apo edhe procese të tjera.
Ky grupim është totalisht kundër reformës në drejtësi që është arkitektuar nga dy aleatët e mëdhenj Uashingtoni e Brukseli, duke kërkuar një zhbërje apo revizionim të saj, ç’ka si rrjedhojë është qëndrim kundër Perëndimit.
Ndërkaq, duket se lëvizje po vijnë edhe nga zona apo “barqe” të shoqërisë që synojnë zhvillime politike që nuk dalin hapur, por që si synim, mbështetje apo aspirate kanë Turqinë dhe ndikimin neootoman që Ahmet Davutoglu e vendosi si bazë e diplomacisë së Ankarasë dhe kjo shikohet hapur në investimet direkte të Erdoganit në Ballkan, më shumë në Sarajevë, Sanxak e Maqedoni, e më pak në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi.
Militantë fetarë të shprehur hapur si anti-SHBA e BE, kanë rigjallëruar postimet duke shryrë natyrisht ndaj Perëndimit apo shqiptarëve që kanë si aspiratë orientimin pro-perëndimor.
Gjithsesi këto zëra nuk do të kishte asgjë sikur të ishin të izoluara dhe jo pjesë e një strategjie për të implantuar edhe në Shqipëri eksperimente politike alla AKP të Erdoganit, duke përgatitur klerikë për role të larta publike deri edhe kryebashkiak i Tiranës.
Në mënyrë inxhinierike ka kohë që po tentohet një eksperiment i tillë politik nga një figurë e njohur që bën edhe takime të mëdha në stadiumet e Zvicrës dhe grumbullon fonde të mëdha të panumërta nga njerëz anonime dhe bën bamirësi me tam tame e publiçitet, çka nëse do të nisej nga aspirate religjioze, është krejtësisht e ndaluar që të bësh PR me sadakanë.
Tashmë është e qartë se kush po e përgatit këtë eksperiment, mjafton të shikosh njerëzit që rrinë pranë “mesias” së ri në ligjerata fetare apo edhe diskutime “politike”.
Incidenti në një televizion ku u largua edhe gazetarja për të marrë edhe drejtimin formal të reality-show-ut me prapaskenë të pastër politike, i ngjan manovrave të Imam Gulenit kur ndihmoi Erdoganin të vijë në pushtet apo pastorëve të New Evangjelistëve të George W Bush-it, i cili në fundin e viteve 90 kishin emisione në televizione për të grumbulluar elektoratin fanatik që do të votonte për “mesian” e ri politik. Një operacion i suksesshëm i Karl Rove-s, politiologut të talentuar amerikan që u kopjua më pas nga të gjithë, padyshim edhe nga spin-doctor-ët e Donald Trump-it. I tillë ishte edhe eksperimenti i BESA-s në Maqedoni, por që nuk pati sukses edhe prej veprimit të qartë të Zoran Zaevit për tu lidhur me pjesën shqiptare që ka një orientim të qartë pro BE dhe pro NATO-s. Por nuk është e thënë që gjithçka të marrë një frymë e dimension të ri pas vendimit për bllokimin e negociatave.
Ai vendim që ka sjellë frustrim të madh, ka shumë gjasa që të ushqejë përmes mllefit e pasigurisë, një atmosferë të re politike që do të mbjellë “djaj” që sillen si “engjëj” shpëtues në kohë të errëta.
Natyrisht duke sharë pafundësisht e krijuar një ambjent ku njerëzit duhet të kenë vetëm një zgjidhje: të lirohen nga ankthi duke sjellë në pushtet ata që e predikojnë këtë ankth.
Shqipëria ka pasur në historinë e saj mundësitë e shanset e saj për tu afruar me Europën por që disa herë i ka shpërdoruar duke u kthyer prapa. A nuk ishin ne pranë asocimit në BE në vitin 1996 kur BE ishte në hapat e para dhe që gjithçka u shkatërrua nga zgjedhjet e tmerrshme të 26 majit 1996 dhe 1997-s së frikshme që përveç kaosit polli një establishment që u hoq si “shpëtimtar” por që faktikisht betonoi politikën e mosndëshkimit, korrupsionit dhe elitave që bashkëpunonin duke krijuar një dualitet të vrazhdë por që në fakt ishin partner ne ndarjen e pasurisë.
Në një atmosferë kur mazhoranca politike luan me propagandë dhe nuk ka prodhuar politikisht apo prodhon propozime, reforma, ide apo ehde figura politike dhe promovon vetëm personazhe që lëpijnë shefin dhe opozita nga ana tjetër lufton deri edhe me Molotov për një rotacion që do të kthejë situatën aty ku ishim, është e thjeshtë të “pillen” monstra edhe më të frikshme politike, mjafton të gjejnë mënyra financimi qoftë nga bota e krimit e të implantohen si “shpëtimtarë”…