Kështu shprehet në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ish-ministri i Jashtëm dhe historiani Paskal Milo.
Ai thotë se kjo situatë i kujton vitin 2001 dhe se në atë kohë sërish u akuzua Tirana zyrtare për nxitje të tensioneve. Situata në Maqedoni, ku u refuzua qeveria e Zaevit, duke u konsideruar si projekt shqiptar nga presidenti Ivanov, ka bashkuar politikën shqiptare. Dje, krerët politikë të vendit kanë dalë kundër presidentit maqedonas, duke i bërë me dije se nuk ka Maqedoni pa shqiptarët atje.
Paskal Milo thotë për “GSH” se “vendimi i paprecedentë i presidentit Ivanov nuk është i pari.
Ai ka marrë edhe vendime të tjera të njëanshme në favor të partisë që e zgjodhi president dhe është jashtë çdo dyshimi që ai ka vepruar nën nxitjen e VMRO-DPMNE”, dhe se kjo e fundit sipas tij është nacionaliste.
Mandej, Milo në përgjigje të pyetjes së “GSH”, mohon të ketë një projekt shqiptar për Maqedoninë, sikundër pretendon presidenti Ivanov, e nga ana tjetër, thotë se “nuk ka ndonjë të dhënë të njohur e të bërë publike për ndonjë shtet apo qeveri fqinje që mund të ketë influencuar në vendimin e Ivanovit.
Por nëse bëhet një analizë se cilët mund të ishin të interesuar drejtpërsëdrejti për zhvillimet në Maqedoni nga vendet e tjera fqinje përjashtuar Shqipërinë, është e natyrshme që sytë të drejtohen nga Serbia, Bullgaria e Greqia”. Më poshtë intervista e tij për “GSH”.
-Profesor, si diplomat, si historian, por edhe si ish-ministër i Jashtëm, si e shihni situatën në Maqedoni?
Situata aktuale në Maqedoni të kujton zhvillimet dramatike të pranverë-verës 2001 kur shpërtheu konflikti i armatosur midis shqiptarëve dhe policisë e ushtrisë maqedonase, që rrezikoi seriozisht ekzistencën e shtetit maqedonas. Në fakt, në dallim nga 16 vite më parë kur shqiptarët në kërkim të të drejtave të tyre kombëtare, u organizuan në një lëvizje të armatosur që çoi në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, kriza aktuale u shkaktua nga vetë partitë politike maqedonase në luftën e tyre për pushtet. Shqiptarët për herë të parë u ndodhën në pozitën e faktorit përcaktues për krijimin e qeverisë dhe janë në të drejtën e tyre për ta shfrytëzuar këtë situatë për të përmirësuar statusin e tyre juridiko-kushtetues në shtetin maqedonas si dhe të drejtat e tyre të parapara në Marrëveshjen e Ohrit, por që kanë mbetur të parealizuara deri tani. Kriza nuk është produkt shqiptar, dhe këtë e di e gjithë bota. Por ajo është tejet e rëndë dhe produkt i problemeve të akumuluara ndër vite, dhe kryesisht i politikave tradicionale të qarqeve politike tejet nacionaliste maqedonase të përfaqësuara në partinë VMRO-DPMNE. Vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është rikthyer në Shkup si 16 vite më parë me shqetësimin e shpërthimit të një konflikti sa ndërmaqedonas, aq edhe etnik. Krizën, pa dyshim që e ka favorizuar jo vetëm situata e rëndë ekonomike e sociale e vendit, por edhe lodhja e humbja e perspektivës për integrimin euroatlantik të vendit. Këtu faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtaren kanë një pjesë të madhe të përgjegjësisë.
-A nxit kjo, përçarje etnike? Ka pasur raportime për sulme fizike e verbale ndaj shqiptarëve. A na çon kjo drejt një gjendjeje si ajo e vitit 2001?
Patjetër që, në një vend me përvojë negative në marrëdhëniet ndëretnike, çdo krizë politike, ekonomike e sociale mbart rrezikun e përplasjeve etnike, aq më tepër kjo aktualja, që rivitalizoi ndjenjat antishqiptare të qarqeve konservatore e nacionaliste maqedonase. Nëse këto qarqe të kryesuara nga VMRO-DPMNE nuk i thërrasin mendjes e nuk përmbahen, por vazhdojnë të nxisin njerëzit nën peshën e zemëratës për humbjen e pushtetit, por edhe nga urrejtja për shqiptarët, atëherë janë të gjitha gjasat që Maqedonia të përjetojë një situatë edhe më të rëndë, që mund të çojë në një konflikt me pasoja të paparashikuara për të ardhmen e saj.
-A është në ndonjë mënyrë qeveria e Zaev-it, një projekt i Shqipërisë?
Çfarëdo akuze që të bëhet, formula e qeverisë së LSDM-së me partitë shqiptare është produkt i rezultateve zgjedhore të përcaktuara nga vullneti i lirë i maqedonasve dhe i shqiptarëve. Madje, nëse Gruevski do të kishte pranuar kërkesat shqiptare, qeveria do të krijohej prej tij së bashku me shqiptarët. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë a mund të akuzohej Tirana zyrtare se ishte ajo që e dha formulën e qeverisë maqedonase? Shqipëria është në të drejtën e saj që të shfaqë interes për fatin e shqiptarëve të Maqedonisë pa ndërhyrë në punët e brendshme të këtij vendi. Interesim nga jashtë nuk do të thotë ndërhyrje brenda. Përgjegjësinë për gjendjen e krijuar në Maqedoni, Gruevski duhet ta shikojë në politikat e tij radikale nacionaliste dhe në aferat korruptive e antidemokratike që karakterizuan qeverisjen e tij të gjatë.
-A mund të jetë ndërkaq vendimi i Ivanovit, projekt i një tjetër shteti ballkanik ose jo?
Vendimi i paprecedentë i presidentit Ivanov nuk është i pari. Ai ka marrë edhe vendime të tjera të njëanshme në favor të partisë që e zgjodhi president, dhe është jashtë çdo dyshimi që ai ka vepruar nën nxitjen e VMRO-DPMNE. Nuk ka ndonjë të dhënë të njohur e të bërë publike për ndonjë shtet apo qeveri fqinje që mund të ketë influencuar në vendimin e Ivanovit. Por nëse bëhet një analizë se cilët mund të ishin të interesuar drejtpërsëdrejti për zhvillimet në Maqedoni nga vendet e tjera fqinje përjashtuar Shqipërinë, është e natyrshme që sytë të drejtohen nga Serbia, Bullgaria e Greqia. Pa rënë në spekulime, kësaj të fundit i intereson krijimi i qeverisë së re të Zaevit së bashku me shqiptarët, se sheh mundësinë e gjetjes së një kompromisi për çështjen e emrit të Maqedonisë, ndërkohë që Gruevski e partia e tij kanë qenë tepër intransigjentë në këtë drejtim. Për rrjedhojë ajo nuk mund të ketë asnjë influencë, por mendoj as edhe dëshirë që të nxisë Ivanovin në qëndrime të tilla. Përsëri duke qëndruar në fushën e hipotezave, Serbia e para dhe Bullgaria e dyta, për nga interesat e tyre si vende sllavofolëse e me lidhje historike me popullsinë maqedonase, për të mos u dobësuar forcat nacionaliste vendase mund të ishin faktorë potencialë mbështetjeje për Ivanovin. Një arsye më shumë që mund të bashkonte Serbinë me Ivanovin e VMRO-DPMNE-në është alergjia e tyre ndaj shqiptarëve dhe forcimi i pozitave të tyre në trevat e Ballkanit Perëndimor.
-Cila do ishte zgjidhja e mundshme e saj?
Zgjidhja e krizës maqedonase është respektimi i vullnetit të zgjedhësve, i parimeve demokratike e të gjithëpranuara për formimin e qeverive në të gjitha vendet e botës demokratike. LSDM-ja ka paraqitur te presidenti Ivanov 67 firma deputetësh, që në bazë të Kushtetutës i jep asaj të drejtë të formojë qeverinë. Përtej kësaj të drejte, nuk ka asnjë argument tjetër për të penguar krijimin e kësaj qeverie. Por siç ndodh rëndom në Ballkan, ka forca e qarqe politike që dëshirat e synimet e tyre pushtetore i marrin si të vërteta absolute dhe kërkojnë t’ua imponojnë të tjerëve me një këmbëngulje të verbër, që nuk prodhon veç riciklim krizash e tensionesh të panevojshme e të dëmshme.
-Në karrierën tuaj si diplomat, kjo që po ndodh sot, ju kujton juve bisedime me politikanë shqiptarë a jo në Maqedoni? Çfarë është diskutuar ndër vite- nëse mund të flisni për takime ku ju keni qenë i pranishëm?
Kriza aktuale maqedonase më nxit kujtesën e 16 viteve të shkuara, kur qeveria shqiptare e kryesuar në atë kohë nga Ilir Meta e në të cilën unë kryeja detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, u akuzua nga Shkupi me të njëjtët terma siç akuzohet sot qeveria “Rama”, për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Në atë kohë kemi qenë në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e me Bashkimin Evropian për të zgjidhur konfliktin e armatosur që shpërtheu për shkak të refuzimit kokëfortë e të vazhdueshëm të autoriteteve maqedonase për t’u njohur shqiptarëve të drejtat e tyre të ligjshme. Ne kemi pasur diskutime të gjera e shpesh edhe të ashpra me autoritetet maqedonase, të cilat si Gruevski sot refuzonin në mënyrë kategorike dhënien e të drejtave legjitime shqiptarëve. Me udhëheqësit e partive shqiptare në Maqedoni kemi qenë në kontakte të vazhdueshme, me Arbër Xhaferin e paharruar, me doktor Ymer Imerin, Menduh Thaçin, Abdurrahman Halitin e shumë të tjerë. Ne, patjetër që përcillnim në mjediset politike e diplomatike ndërkombëtare kërkesat e tyre të drejta, por këshillonim njëkohësisht maturi në veprime dhe kujdes për të shmangur akuzat e njohura për krijimin e së ashtuquajturës Shqipëri e Madhe. Unë kam shumë shënime, disa edhe të botuara, për këto takime e bisedime në ato ditë të vështira. Nuk është rasti këtu për detaje.
-Marrëveshja e Ohrit, për zbatimin e së cilës është bërë thirrje ndër vite, a gjen një farë zbatimi me qeverinë e Zaevit?
Marrëveshja e Ohrit për kohën u konsiderua si historike, por për fat të keq qeveritë maqedonase nuk e zbatuan veç pjesërisht atë. Kjo politikë dhe zhvillimet e fundit e kanë zhvlerësuar këtë marrëveshje dhe tashmë ka lindur nevoja e rishikimit të saj, në formën e një platforme që është dakordësuar midis LSDM-së e partive shqiptare. Kush arrin të kuptojë domosdoshmërinë e kësaj platforme, ka kapur trenin e kohës dhe ka kontribuar për të ardhmen e integruar dhe evropiane të Maqedonisë. Reagimi negativ nacionalist i qarqeve të vjetra në ide e në programe nuk e ndihmon këtë vend të shohë përpara. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Mogherini ua tha hapur e me forcë dje në Shkup Ivanovit e Gruevskit, që t’i hapin rrugë sa më shpejt krijimit të qeverisë së re si e vetmja rrugë demokratike dhe evropiane për të kapërcyer krizën sfilitëse maqedonase. Në të kundërt, rrjedhojat do të jenë shumë të dhembshme për të gjithë, por në radhë të parë për vetë ata.
-A keni një thirrje për qeverinë shqiptare në Tiranë, politikanët shqiptarë në Maqedoni dhe vetë shqiptarët atje?
Nuk më pëlqen të jap këshilla, sepse shqiptarët kanë një ves të njohur: kujtojnë se i dinë të gjitha. Me modesti jam i prirur më shumë të dëgjoj e të shikoj, sesa të jap mend atje ku nuk më kërkohet.