Tashmë një ish deputet i PS-së, socialisti Koço Kokëdhima i ka kthyer përgjigje akuzave të ish kryeministrit Sali Berisha, se ai ka përfituar nga qeveria një kontratë rreth 1 milion euro. Kokëdhima shkon më tutje, duke thënë se kjo është akuza e 1005-stë e Berishës ndaj tij ( edhe pse nuk dihet sesi janë numëruar). Kokëdhima thekson se kalvari i shpifjeve vjen sepse ai është modeli i politikanit që mendon për popullin dhe nuk përzihet me afera korruptive.
Ja sesi e sheh Koço Kokëdhima:
Dje, Saliu publikoi nje shpifje tjetër. Ai thotë se unë qënkam shpërblyer nga qeveria me një milionë euro kontratë pa konkurrencë e me favorizim përmes Remontit Elektrik të Elbasanit që riparon transformatorët e OSHEE-së. Kjo është një shpifje e ndyrë.
Po në të njëjtin shkrim, ai deklaron se unë e kam shitur këtë ndërmarrje në vitin 2013. Sali Berisha dhe të gjithë maskarenjtë e tjerë në politikën shqiptare, që kusëruan në këtë vend, 25 vite me radhë, do të donin të shkatërronin jo vetëm çfarë unë ndërtova në jetën time si sipërmarrës. Siç është e qartë, e kuptueshme dhe e dukshme për të gjithë njerëzit, këta kanë sulmuar emrin tim, kanë sulmuar punët e mia, kanë sulmuar bashkëpunëtorët e mi, ndërmarrjet e mia, interesat e mia, çdo gjë që lidhet me mua. Kjo bëhet sepse modeli im në politikë është ai i një politikani që nuk i tradhëton interesat e vendit, që u shërben qytetarëve, modeli i një politikani që nuk përzihet me asnjë aferë korruptive, i një politikani që nuk ka lidhje as me shitjen e posteve të punës, as me manipulimin e garave publike, as me koncesionet shkatërrimtare për vendin, as me sjelljet e ndyra të administratës, as me emërimin e kriminelëve, njerëzve pa vlera e pa shkolla në poste dhe në administratën publike, as me servilizmin ndaj interesave të huaja, as me pengmarrjen e institucioneve kushtetuese, as me kalbëzimin e plotë të partive politike dhe të sistemit politik në Shqipëri.
I gjithë shembulli im në politikë është totalisht e kundërta e kësaj që mbollën dhe zhvilluan Salinjtë në këto 25 vite. Ata kanë goditur gjithmonë sipërmarrjen e vendit, lirinë e fjalës, vlerat, rregullin, rendin e normalitetin, besimin te puna e ndershme e tek e ardhmja më e mirë për këtë popull e në këtë vend, gjithçka që ishte jashtë kontrollit dhe kundër politikës së tyre. skena politike, dhe vendos drejtësinë në Shqipëri.
Remonti Elektrik i Elbasanit është një kompani unike, e vetme në llojin e vet në Shqipëri. Nuk ka dhe nuk besoj se do të ketë konkurrentë edhe në të ardhmen, sepse është një investim jofizibël. Ajo kompani do të fitojë çdo vit, sepse është kompani që e fiton punën me meritë dhe me ligj, është e domosdoshme dhe bën shërbime me cilësi të lartë, që nuk i bën askush tjetër në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Në këto rrethana, nuk ka sesi kjo pasuri kombëtare të eliminohet, të zhduket, të shkatërrohet vetëm sepse është ish-kompani e Koço Kokëdhimës. Salinjtë do të donin që kjo ndërmarrje të mbyllej dhe punonjësit e saj të talentuar të iknin në emigracion vetëm se kjo kompani e ka të shkuarën të lidhur me mua.
Lidhja e kontratës vjetore mes OSHEE dhe Remontit Elektrik të Elbasanit, që këta e prezantojnë si një diçka të padrejtë, është diçka që përsëritet çdo vit në të gjitha këto 20 e ca vite. Që nga viti 1994, kur unë e kam blerë, rinovuar dhe rimëkëmbur këtë kompani, e deri më sot, ajo ka qënë e vetme dhe do të jetë e vetme edhe në 20 vitet e ardhshme në Shqipëri.
Unë nuk erdha në politikë për të bërë para as me tendera, as me koncesione dhe as me korrupsione. Këta horra të pamëshirshëm që u bënë të pasur në politikë duke vjedhur e plaçkitur popullin e tyre dhe pasuritë e Shqipërisë do vazhdojnë të sulmojnë përditë shembullin, punën dhe emrin tim”, shprehet Kokëdhima./ java/ a.k