Vijon për të dytën ditë me radhë fluksi i emigrantëve që kthehen nga Greqia për të festuar Pashkën në atdhe.
Gazetarja e Klan News Daniela Zisi raporton se gjatë 24 orëve të fundit, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës kanë hyrë 7 mijë e 475 qytetarë, ndërsa 2 mijë e 741 persona kanë udhëtuar drejt Greqisë.
Edhe paraditen e së premtes është regjistruar një fluks i lartë lëvizjesh në të dyja anët e kufirit. Për menaxhimin e situatës, pala shqiptare ka vënë në funksion 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje. Ndërkohë, pala greke po punon me 3 sportele në dalje, duke shmangur krijimin e radhëve dhe pritjet e gjata.
Emigrantët kanë shfrytëzuar ditët e pushimit për të kaluar festën e Pashkës pranë familjarëve të tyre në Shqipëri.
Që nga fillimi i javës, mbi 30 mijë emigrantë kanë hyrë nga Greqia në vendin tonë. Autoritetet kufitare kanë shtuar sportelet dhe personelin, me qëllim përpunimin sa më të shpejtë të lëvizjeve të shtuara gjatë kësaj periudhe festive.











