Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë një urim për besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkës. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shkruar: “Me këtë pamje nga mrekullia e dritës që ndezi mbrëmë zemrat e besimtarëve, ju uroj: Gëzuar Pashkën, të dashur besimtarë ortodoksë shqiptarë. U përhaptë kudo drita e pranisë së Zotit dhe ndriçoftë jetën tuaj me besim, shpresë dhe gëzim!”
Kreu i shtetit ka shoqëruar urimin me pamje nga mesha e Pashkës, ku besimtarët ndezin qirinj dhe marrin pjesë në procesionin simbolik, duke mbajtur dritën në duar.
Pashka Ortodokse është një nga festat më të rëndësishme të kalendarit liturgjik, që simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe rilindjen e shpresës për besimtarët. Në mbarë vendin, katedralet dhe kishat janë mbushur me besimtarë që marrin pjesë në shërbesat e shenjta, duke u bashkuar në lutje dhe kremtime.











