Aq më tepër kur në postet kyqe ka njerëz që inkompetencën, mungesën e kulturës, komunikimit dhe argumentit e kanë të shkruar në ballë. Siç është dhe rasti i ministrit grek të Mbrojtjes Panos Komenos. I cili duke qënë një civil në krye të një partie ekstremiste, por që për nevoja politike është në koalicion me SYRIZA-n e Tsipras drejton ministrinë greke të Mbrojtjes, u vesh ushtarak dhe doli në kufi me Shqipërinë duke hedhur deklarata dhe kërcënime ndaj një vendi anëtar të NATO-s siç është Shqipëria.
Pa pasur asnjë lloj kërcënimi nga ana e shtetit shqiptar, vetëm disa deklarata të zyrtarëve të saj më të lartë, kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, të cilët kanë theksuar nevojën e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara përmes dialogut mes dy vendeve. Pikërisht të njejtën gjë ka deklaruar dhe komisioneri i BE Johanes Hahn. I cili bëri thirrje për dialog mes vendeve për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të mbartura.
Dhe në kontekstin e thirrjes për dialog, mungesës së kërcënimeve nga shteti shqiptar për aleatin tonë në NATO Greqinë dhe habinë për kërcënimet e ministrit grek të mbrojtjes, ka reaguar dhe ministrja shqiptare e Mbrojtjes Mimi Kodheli, përmes një statusi në adresën e saj në facebook.
“NATO u krijua për të bashkuar vendet demokratike të hemisferës veriore përballë çdo rreziku totalitar. Por sot e kam të vështirë të kuptoj pse ndonjë politikan në Ballkan vesh uniformë ushtarake dhe përpiqet të ngrejë fantazma të së shkuarës. Kanë ikur kohët e satrapëve. Give peace a chance”, shkruan Kodheli në rrjetin social.
Asnjë kundërdeklaratë nga ana e ministrit grek të Mbrojtjes kundër homologes shqiptare, me gjithë deklaratën qesharake që bëri në kufi. Madje pati një tërheqje të fortë nga deklarata e mëparshme nga ana e ministrit Kamenos, çka tregon se gjuha paqësore e ministres Kodheli jo pak kishte ndikuar.
Por kur situata mes dy vendeve është me të vërtetë në qetësi, kur tonet e politikës greke kishin rënë, madhe dhe ministri i Jashtëm Kotzias kishte deklaruar mbështetjen e Shqipërisë në hapjen e negociatave me BE, vjen reagimi i “Agimit të Artë”, partisë neofashiste greke.
Përmes gazetës “mareleio.gr” dhe gazetarit dhe matematicientit grek Xristos Kapuzis, sulmohet në mënyrën më vulgare dhe më qesharake ministrja shqiptare e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Kjo gazetë e partisë ultranacionaliste greke, që dhe në Greqi nuk është se e duan dhe me gjysmën e grupit parlamentar në burgjet greke, shkruan marrëzira për prezencën e Kodhelit në vitin 1991 në Greqi, për më tepër si balerinë në lokale nate.
Madje shkruan se ka mbaruar më vonë shkollën në Itali dhe është doktoruar në SHBA për marrëdhënie ndërkombëtare, ndërkohë që i kujtojnë sjelljen e çamëve në luftën e dytë botërore. Pavarësisht se Kodheli në asnjë moment nuk ka përmendur çamët në citimin e saj në rrjetin social.
Por kur humbet logjika fillojnë fyerjet, kërcënimet dhe shpifjet nga më monstruoze. Aq më tepër kur humbet logjika e një pjese të politikës së një vendi, të një pjese të qeverisë së një vendi, të një pjese të Parlamentit të një vendi, dëmi dhe skandali është akoma më i madh.
Për korrektesë dhe përballë fyerjeve të gazetës së “Agimit të Artë”, Ministrja Kodheli është shkolluar në UT për Financë ende pa rënë regjimi komunist i Hoxhës, dhe në Greqi ka qënë vetëm në vitin 2002 si zv.kryetare e bashkisë së Tiranës. Pra thjeshtë në një delegacion zyrtar.
Ndërkohë që ka qënë sërish në Greqi në janar të vitit 2014 si Ministre e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, me ftesë të ish-ministrit grek të Mbrojtjes Dimitris Avramopulos. Dhe në këtë vizitë dy ditore ministrja shqiptare e Mbrojtjes Mimi Kodheli është takuar dhe me presidentin grek të asaj kohe Karolos Papulias si dhe me kryeministrin e atëhershëm Antosin Samaras. Të tre personalitetet vlerësuan me tone maksimale ministren Kodheli si një kontribuese e madhe në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Nuk mund të mendohet se tre ish-zyrtarët më të lartë të shtetit grek, të cilët kanë në dorë tërë rrjetet e informacionit në Greqi, për këdo që hyn dhe del në këtë vend, të ftojnë, të nderojnë dhe të ulen dhe të diskutojnë me një person që ka qënë në vitin 1991 një njeri i këtij niveli sikurse shkruan gazeta e partisë ekstremiste greke “Agimi i Artë” për Kodhelin.
Aq më tepër që Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, shumë aktive në misionet paqeruajtëse dhe mbrojtëse në pikat më të nxehta të globit.
Vetëm kaq mund të kishin llogaritur ata që janë ulur dhe kanë nxirë letrën e gazetës greke me akuza të tilla qesharake, se si mund të ulen në një tryezë ku gjenden sekretet më të mëdha të NATO-s në këtë periudhë të trazuar, përfaqësuesit e 28 vendeve anëtare të NATO-s me një ministër me një begraund të tillë si perifrazon “Agimi i Artë” grek me gazetën e saj.
Sulmet janë politike, janë shumë qeshtarake me me shanse zero për t’u besuar, çka tregon nivelin e ulët, shkallën e ulët me të cilën shoqëria greke përfaqësohet në politikë. Megjithatë, komshiun nuk e zgjedh dot, ai është aty, me të mirat dhe të këqijat e veta./M.Nikaj
ma.me