Gruaja e ish-kryegjyqtarit të Gjirokastrës, të shkarkuar javën e shkuar nga KLD-ja pas skandalit seksual, bën gati padinë për divorc.
Razie Boçi mësohet se ka pajtuar një avokat dhe po përgatit procedurat për të kërkuar në gjykatë ndarjen me bashkëshortin, Guximtar Boçin, me të cilin ka dy vajza të rritura. U desh një regjistrim audio i denoncuar në emisionin “Stop” në “Tv Klan” nga një qytetare në Gjirokastër, që marrëdhëniet e çiftit Boçi të thyhen.
Burime të afërta të familjes bëjnë të ditur se e shoqja e gjyqtarit, që prej së enjtes kur dëgjoi denoncimin e 40-vjeçares Rudina I., deklaroi se do të kërkonte divorcin, i cili pason një gëzim familjar, siç ishte martesa e vajzës së madhe fundjavën e shkuar.
Kërkesëpadia do të dorëzohet në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër, aty ku 3 vjet ishte kryetar Guximtar Boçi, bashkëshorti nga i cili kërkon ndarjen.
Fundjavën e shkuar, pas skandalit, vetë ish-kryegjyqtari në një intervistë për “Panorama”, teksa dha versionin e tij për gjithë sa ndodhi, pohoi se familja i ishte shkatërruar dhe gruaja i kërkoi divorcin.
Skandali që shkarkoi kryegjyqtarin Boçi
Rudina I. i paraqiti emisionit investigativ “Stop” një audio përgjimi nga bisedat me kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi. Sipas gruas, nënë e 2 fëmijëve dhe e divorcuar, ajo i kishte kërkuar ndihmë për një gjyq për çështje pronësie me ish-burrin dhe ish-vjehrrën, por në fakt Boçi i kishte kërkuar lidhje intime.
Në denoncimin e bërë nga Rudina, kreu i gjykatës e kishte puthur në zyrë dhe kërkesën për të pasur marrëdhënie me të ia kishte bërë disa herë dhe në ambientet e jashtme. Sipas gruas, kreu i gjykatës i kërkonte seks në këmbim të fitimit të çështjes gjyqësore me palën tjetër.
Kur gruaja i është përgjigjur negativisht, atëherë ajo u shpreh se e humbi gjyqin. Nga përgjimet audio të transmetuara në emisionin e së enjtes së shkuar, veç aferës seksuale që kërkonte gjyqtari, dolën të tjera shkelje, për të cilat po verifikon dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Mes tyre dhe dekonspirimi i inspektimit të gjykatës nga KLD-ja dhe ryshfeti për gjyqtarët e Apelit./panorama/a.k